Ambasadori Hill, thotë se targat po lënë anash tema shumë më të rëndësishme

Qeveria e Kosovës vendosi tri ditë para skadimit të afatit të vendosur prej saj, të “shkallëzojë” zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

Por, ky vendim hasi në kritika të shumta, si nga faktori ndërkombëtar, ashtu edhe nga opozita në vend.

Veç reagimit të ashpër të Departamentit të Shtetit, i cili u shpreh “i zhgënjyer” dhe “i shqetësuar” që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve të saj ndërkombëtarë për shtyrjen e afatit të targave, edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill tha mbrëmë gjatë një debati në Konferencën e Sigurisë në Beograd, se është i zhgënjyer që për shkak të çështjeve të vogla teknike, sikurse rasti i targave, janë lënë anash tema të mëdha, transmeton Klankosova.tv.

“Jam shumë i zhgënjyer me këto, jam i zhgënjyer të shoh që çështjet si energjia elektrike në veriun e Kosovës vazhdojnë të diskutohen me muaj të tërë pa asnjë rezultat për shkak të gjërave të vogla në ndërkohë ne kemi një situatë të brishtë dhe mund t’ju them se shekuj nga tash ne nuk do të jemi dhe njerëzit nuk do të jenë duke diskutuar për targat e makinave në Kosovë. Do të flasin për këtë sulmin barbar nga Rusia ndaj fqinjit të saj dhe kjo është çështja që duhet të gjithë t’i shqetësojë, si ushqimi, energjia dhe jemi duke folur për armët nukleare së fundmi që është shumë më e rëndësishme se targat e makinave”, tha ai.

Me vendimin e qeverisë janë vendosur disa afate për konvertimin e targave ilegale të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës. Sipas qeverisë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor fillon masa e qortimit, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe nga 21 janari do të përdoren targat provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk do të lejohen targa tjera në Kosovë.

Kryeministri Kurti tha dje pas vendimit se kjo është mënyra që edhe të zbatohet rendi e ligji, por në anën tjetër “ta kemi përgjigjen tonë për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë në vendin tonë, por jo vetëm”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Komente Së Fundi