Sht. Pri 20th, 2024

Çmimet po fluturojnë në treg, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ende pa bord, flet drejtori dhe deputeti Shala

By Rtv Arbëria Shk 16, 2022

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti është komentuar shumë për shkarkimin dhe emërimi e bordeve të ndërmarrjeve të ndryshme në vend.

Megjithatë, komisioni (bordi) i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës është jo funksional tash e sa muaj, pikërisht në kohën kur ka pasur ngritje të çmimeve të produkteve nga ato baze e deri të derivatet e naftës.

Partitë opozitare e vlerësojnë si tepër të dëmshme mungesën e funksionimit të këtij institucioni.

Në anën tjetër, Drejtori i AKK-së, Sakip Imeri thotë se i kanë njoftuar me kohë Qeverinë dhe Kuvendin për skadimin e mandatit të bordit.

“Bord nuk ka prej 9 qershorit, jemi në pritje. I kemi njoftu në fund të marsit, sipas ligjit që na autorizon me njoftu kryeministrin dhe Kuvendin që bordit i skadon mandati. Asnjë prej anëtarëve nuk kanë mandat. Qysh e kanë përfunduar mandatin kanë shku në shtëpi”, ka thënë Imeri për Indeksonline.

Më tutje, ai thotë se vendosja e çmimeve nuk është përgjegjësi e autoritetit, sepse ata e bëjnë bizneset.

“Ne monitorojmë praktikat e padrejta, të marrëveshjeve të kundërligjshme. Monitorim të përgjithshëm të çmimeve bëjmë, por hetime nuk mund të zhvillojmë në mungesë të bordit”, ka shtuar ai.

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ferat Shala thotë për Indeksonline se Qeveria Kurti e ka lënë bordin e Agjensionit kosovar të konkurrencës për shkak të neglizhencës dhe paaftësisë saj, por edhe me tendenca të një veprimi jo të matur të disa dikastereve qeveritare në raport me tregun e brendshëm.

“Mund të themi me përgjegjësi të plotë që tendencat janë që tregu i brendshëm e ka një fushëveprimtari të pakontrolluar si rezultat i paaftësisë qeverisëse të qeverisë Kurti. Kemi një inflacion të jashtëzakonshëm, një situatë të ndërlikuar socio-ekonomike dhe nuk ka institucione që kanë me kontrollu dhe menaxhu situatën e konkurrencës. Tregu farmaceutik, tregu i shportës se qytetarëve, dhe tregu i përgjithshëm energjetik në mungesë të agjensionit të konkurrencës ka një situatë jashtëzakonisht shqetësuese me pasoja të mëdha ekonomike”, ka shtuar ai.

Ndërsa, ish kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Pastreshi ka shkruar ditë më parë se emërimi i kryetarit dhe komisionit nga ana e kuvendit është urgjente dhe jetike.

“AKK duhet të funksionalizohet sa më shpejt që t’iu del në mbrojtje qytetarëve karshi ngritjes dhe fiksimit të çmimeve të koordinuara”, ka shkruar ai në Facebook

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *