Pre. Pri 19th, 2024

Gërvalla pas vizitës në Deçan: Do të jemi në dispozicion që sa më parë ta kthejmë normalitetin

By Rtv Arbëria Kor 13, 2021

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla sot ka vizituar Deçanin pas dyshimeve se 1500 persona janë helmuar nga uji.

Gërvalla përmes një shkrimi në Facebook, ka treguar se në takim kanë siguruar kryetarin e komunës, Bashkim Ramosaj, se do t’i dalin në ndihmë Deçanit në përballimin e kësaj situate emergjente.

“Qytetarët e Deçanit i sigurojmë se të gjitha institucionet përgjegjëse, duke përfshirë edhe ato të sigurisë, do të jenë në dispozicion që sa më parë ta kthejnë normalitetin në këtë komunë, duke zbardhur këtë çështje dhe duke trajtuar secilin qytetar që ka nevojë për trajtim mjekësor”, shkruan Gërvalla në Facebook.

Ja shkrimi i saj:

Së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, Ministrin e Shëndetësisë z. Arben Vitia dhe Ministrin e Mbrojtjes, z. Armend Mehaj sot kemi qëndruar në Deçan, ku kemi parë nga afër gjendjen e qytetarëve të helmuar.

Në takim me kryetarin e komunës, z. Bashkim Ramosaj si dhe personelin mjekësor të QKMF-së, kemi theksuar përkushtimin maksimal të Qeverisë së Kosovës për t’i dalë në ndihmë komunës së Deçanit në përballimin e kësaj situate emergjente si dhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme, duke përfshirë jo vetëm pajisjen me barnat e nevojshme, por edhe ndihmën konkrete në furnizim të banorëve me ujë të pijshëm, ndihmë me personel mjekësor, ekspertizë laboratorike dhe të tjera.

Ministri Mehaj shprehu gjithashtu gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar në forma të ndryshme për daljen nga kjo situatë.

Qytetarët e Deçanit i sigurojmë se të gjitha institucionet përgjegjëse, duke përfshirë edhe ato të sigurisë, do të jenë në dispozicion që sa më parë ta kthejnë normalitetin në këtë komunë, duke zbardhur këtë çështje dhe duke trajtuar secilin qytetar që ka nevojë për trajtim mjekësor.

Shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha. Të gjithë pacientëve u dëshiruam shërim të shpejtë me besimin që kjo situatë të tejkalohet sa më shpejt.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *