Haradinaj nga Haga: S’kam pasë mundësi me vra aq sa kam dashtë ushtarë të Millosheviqit në Koshare

Ish-komandanti i UÇK-së, Nasim Haradinaj, gjatë dëshmisë së tij në seancën gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë ka thënë se ka vrarë ushtarë e oficerë serbë në betejen e Koshares sa herë ka pasur mundësi.

Haradinaj tha se në frontin e luftës s’ka pasur mundësi me vra ushtarë të ushtrisë serbe aq sa ka dashur.

“Unë asnjëherë s’kam pasë punë me civilë, kur jam ndesh me ushtarë serbë i kam kokrru sa herë kam mujt. E dijnë saktë ata, ushtrinë e Slobodan Millosheviqit në Koshare saherë kam mujt ku e kam nxanë e kam gjujtë. Ka pasë dy rrugë ose me më vra ose me i vra, fati as unë s’kam mujt me vra sa kam dashtë por as ata ushtarët s’kanë mujt shyqyr me m’vra edhe pse më kanë plagos. Lufta është luftë, jam kah flas për frontin”, ka thënë Haradinaj gjatë dëshmisë së tij.

Nga prokurori, përveç çështjes së dosjeve, ai është pyetur edhe nëse mendon që UÇK-ja mund të ketë kryer krime derisa Haradinaj ka thënë se Ushtria Çlirimtare të Kosovës, dhe ai si pjesë e saj, gjatë luftës në Kosovë nuk kanë synuar civilët, por vetëm kanë mbrojtur vendin dhe janë përballur me ushtrinë serbe.

“Po, kam vrarë ushtarë serb edhe oficerë, që ata thonë që është oficer se unë nuk e kam ditë çka ka qenë, po nuk ka këtu të bëjë me civil asnjë gjë, unë nuk jam kthyer nga Suedia edhe për të dhënë lule, derisa jam kthyer të hyj në front. Kam pranuar të vdes vetë. Unë kam qenë në front, po flas për pikën e frontit, nuk jam marrë me civilë, as nuk jam marrë pas luftës me më këto sende. Është çliruar vendi im dhe në rregull është. Jam plagosur prej tyre, që kam mundur të jem edhe i vrarë, dhe nuk po lyp askush llogari pse më kanë plagosur. Në rastin tim as nuk po lyp llogari pse më kanë plagosur, as nuk po jap llogari pse kam gjuajtur në ta derisa kam qenë i sulmuar, në vetëmbrojtje kam qenë, në vendin tim më kanë sulmuar”, ka thënë Haradinaj.

Dëshmia e Nasim Haradinajt, e filluar më 11 janar para Dhomave të Specializuara, do të vazhdojë edhe nesër.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Komente Së Fundi