Enj. Pri 25th, 2024

LAJMET DITORE, E PREMTE 19.02.2021

By Rtv Arbëria Shk 19, 2021

Momenti të shuhen polemikat, publikohen faktet, ja pse Osmani mund ta bëjë Kurtin kryeministër

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.
Sipas këtij rezultati, Albin Kurti do të jetë kryeministri i vendit.
Por, për të arritur deri te pozita e kryeministrit ai ka “sfida” të cilat duhet t`i kaloj.
Ditëve të fundit janë shtuar polemikat se ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani nuk mund ta nominoj Kurtin për kryeministër të vendit.
Mirëpo, analisti i çështjeve politike Vigan Qorrolli mendon që një gjë e tillë është e munduar.
Ai ka publikuar një rast të tillë i cili ka ndodhur në vitin 2011.
Fjala është për rastin e Jakup Krasniqit dhe Hashim Thaçit.
“Në rast se Legjislatura e VIII e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit e zgjedh një Kryetar/e të ri të Kuvendit — mandati i të cilit si UD President nuk mund të zgjatet me tej se 5 maji 2021 — atëherë njëjtë duhet të veproje ai/ajo në përkohshmërinë e tij/saj si UD President”, ka shkruar Qarrolli në Facebbok.
Postimi i plotë:
Ku Dekret i UD Presidentit të Republikës, z. Jakup Krasniqi, që mban datën 18 shkurt 2011 — është lëshuar konform autorizimeve kushtetuese për nominimin e kandidatit për Kryeministër të asaj kohe, z. Thaçi.
Situata është e njëjtë edhe sot: UD Presidentja znj. Osmani i ka të gjitha prerogativat e saj për ta nominuar z. Kurti për postin e KM, sapo të konstituohet Kuvendi i ri.
Në rast se Legjislatura e VIII e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit e zgjedh një Kryetar/e të ri të Kuvendit — mandati i të cilit si UD President nuk mund të zgjatet me tej se 5 maji 2021 — atëherë njëjtë duhet të veproje ai/ajo në përkohshmërinë e tij/saj si UD President.
#Kushtetuta #Kosova.

Fatmir Sejdiu publikon pamjet: Ky ishte Kuvendi i pazareve, ja veprimet që e sollën rezultatin e dobët të LDK-së

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Sejdiu, përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka publikuar një video, ku shihet duke dhënë një paralajmërim, lidhur me atë se çfarë do ta pret Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Sejdiu po ashtu shkruan se Kuvendi i IX i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte një kuvend i pazareve,”.
Ai madje, thekson se veprimet nga ky Kuvend, sollën edhe këtë rezultat të LDK-së, në zgjedhjet e 14 shkurtit.

10 të vdekur nga Covid, 340 raste të reja dhe 411 të shëruar

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:

411 TË SHËRUAR DHE 340 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.715 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 340 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 10 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 3 raste (67, 80, 55 vjeç), Prizren 2 raste (54, 46 vjeç), Rahovec 2 raste (76, 52 vjeç), Ferizaj 1 rast (72 vjeç), Gjakovë 1 rast (81 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (58 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 65.690 raste nga 280.071 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.568 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 411 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 57.385 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.737.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 162 raste, Prizren 29 raste, Pejë 20 raste, Lipjan 18 raste, Mitrovicë 14 raste, Ferizaj 13 raste, Deçan 10 raste, Fushë-Kosovë 10 raste, Gjilan 10 raste, Vushtrri 10 raste, Gjakovë 8 raste, Graçanicë 7 raste, Kaçanik 4 raste, Rahovec 4 raste, Shtime 4 raste, Viti 4 raste, Obiliq 3 raste, Klinë 2 raste, Malishevë 2 raste, Skenderaj 2 raste, Suharekë 2 raste dhe me nga një rast komunat Istog dhe Podujevë.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Xhavit Haliti me akuza: Ka të tillë që po i paguajnë komisionerët e numërimit të votave

Nënkryetari i PDK-së dhe kandidati për deputet, Xhavit Haliti, ka thënë se ende nuk dihet se cilët kandidatë nga kjo parti kanë arritur të zgjedhen deputetë.
Ai në “Imazh” të RTK-së, i ka hedhur poshtë raportimet e disa mediave të cilat e kanë publikuar një listë të kandidatëve më të votuar të PDK-së, e në të cilën nuk është emri i tij.
Haliti tutje ka thënë se PDK-ja nuk ka rënie në Pejë, në komunën ku ai është kryetar i degës.
Ai tutje ka hedhur akuza ndaj komisionierëve që numërojnë votat e kandidatëve në Qendrën e Numërimit në Fushë Kosovë.
“Ka plot prej atyre që paguajnë komisionerët që numërojnë votat. Edhe arushat e dijnë këtë. Ligji e ka legjitimu këtë. Është sikur unë të ulem me tre shokë dhe i bëjmë ato gjëra. Këtij ia shtojmë disa vota, atij ia marrim disa, e kështu me radhë”, ka thënë Haliti.
Sipas tij, duhet të ketë transparencë në numërimin e votave, e jo kjo të bëhet në mënyrë të fshehtë.
Haliti ka thënë se Kosova duhet t’i ketë të paktën shtatë zona zgjedhore ose të shkohet sipas sistemit mazhoritar.
“Edhe mbyllja e listave është më e mira, prandaj duhet të jetë një metodë e numërimit që mundëson jo manipulimin e numërimit. Të ketë edhe kamera gjatë numërimit që secila votë të shihet”, ka thënë Haliti. /

Vasfije Krasniqi: Do të jem zë i fuqishëm institucional i të mbijetuarve të luftës

Kandidatja për deputete nga Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi, ka thënë se do të jetë vetvetja në misionin për të përfaqësuar viktimat e luftës së fundit në Kosovë, duke nënkuptuar se ka fituar votat për të qenë deputete.
Ajo në një postim në Facebook thotë se ka marrë mijëra mesazhe që e nxisin dhe e urojnë për të qenë zëri i atyre që përjetuan të njëjtën fatkeqësi si Krasniqi.
“Në këto ditë, kam marrë me mijëra e mijëra mesazhe, urime, përshëndetje, nxitje, mbështetje, për të qenë vetvetja në misionin që më pret, zëri i fuqishëm institucional i të mbijetuarve. Ju falënderoj të gjithëve, një për një. U premtoj se do të jem ai zë që doni ta dëgjoni, do të punoj e luftoj për drejtësinë që na përket e që duhet ta arrijmë. Unë jam thellësisht e bindur që do të korrim rezultatet e shpresuara dhe këtë bindje ma jep prania juaj, mbështetja juaj, përkrahja juaj, dashuria që më shfaqni”.
Krasniqi ka shkruar se Vetëvendosje e ka ndër prioritete shtyrjen përpara të temave të tilla.
“Për mua ka qenë privilegj të garoj si kandidate e Lëvizjes Vetvendosje. Nr.4 që mbajta në këtë listë flet për prioritetin me të cilin ky grupim politik, i konsideron temat e përpjekjes së armatosur për liri, që ndërmorrëm 20 vite të shkuara. Të kesh në qendër të vëmendjes ata njerëz që më së shumti i goditi lufta e viteve ’98-’99, do të thotë përpjekje e qëllim për ta parë në sy të kaluarën, për të mbyllur me drejtësi e përmes drejtësisë pasojat e saj, do të thotë të mendosh ndërtimin e së ardhmes, pa pesha të mbartura e të mbetura nga e kaluara. Unë do të punoj për këtë, pa u lodhur, pa u ndalë, me zemër, me shpirt, me mendje”.
“Dita e zgjedhjeve, 14 shkurti i këtij viti, demonstroi qartë e bindshëm, se sa është rrënjosur ndër ne, kultura demokratike e shprehja më e lartë e saj: e drejta për të zgjedhur e për tu zgjedhur, liria për të votuar e për tu votuar”.
“Asnjë parregullsi evidente, asnjë ngjarje që të dëshmonte të kundërtën, përkundrazi. Fakti që më pas i gjithë shtypi e kanceleritë perendimore vlerësuan maksimalisht procesin elektoral, më mbush jo vetëm me një ndjenjë krenarie për popullin tim, por edhe më krijon bindjen se me një ecuri të tillë, me një pjekuri të tillë politike, drejt së ardhmes mund e duhet të shihet vetëm me optimizëm”..

Bashkimi kombëtar, Pandeli Majko: Kjo histori duhet mbyllur, Kurti të mendojë për drejtimin e Kosovës

Deklarata e Albin Kurtit se do të votonte pro nëse do të mbahej një referendum për bashkimin Kosovë-Shqipëri, për ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko është një histori që duhet mbyllur dhe se tani prioritet për ‘Vetëvendosjen’ dhe liderin e saj duhet të jetë drejtimi i Kosovës.
Në një intervistë në Euronews Albania për gazetaren Eksiola Shehu, ish-kryeministri Majko deklaroi se diskutime të tilla, krijojnë probleme me aktet ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin e Kosovës dhe e cilësoi idenë e bashkimit kombëtar një ide që ka ekzistuar në shekullin e kaluar.
“Unë mendoj se z. Kurti ka vetëm një prioritet, të drejtojë si shtetar dhe kryeministër shtetin e Kosovës, nuk besoj se i bëjnë punë histori të natyrave të tilla. Nuk ka pse krijon lidhje të natyrave të çuditshme me ide që kanë ekzistuar në shekullin e kaluar, e kam fjalën në vitet ’80 dhe ’90 për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, jo se unë nga pikëpamja emocionale ndihem ndryshe nga z. Kurti, por unë mendoj se diskutime të natyrave të tilla, do të krijonin probleme me aktet ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin e Kosovës. E kam fjalën për akte që garantojnë prezencën e NATO-s në Kosovë dhe paketën Ahtisari”, tha ish-kryeministri i Shqipërisë.
Pandeli Majko i bëri thirrje Albin Kurtit që duhet të fokusohet tek forcimi i shtetit të Kosovës dhe të mos nxisë hapjen e diskutimeve të tilla pasi do të ndikojë negativisht për njohjet e reja ndërkombëtare.
“Një kryeministër nuk mund të aludojë për statuse të ndryshme për shtetin që ai do të drejtojë sepse Kosova është duke u njohur nga shtete të tjera. Nëse ata do të mendojnë se Kosova është duke bërë një jetë të dyfishtë kjo do nxiste shtetet e tjera, të ishin më të rezervuara për njohjen e Kosovës. Histori të tilla duhen mbyllur, ‘Vetëvendosja’ dhe lideri i saj duhet të mendojnë vetëm për një prioritet dhe ky është për drejtimin e shtetit të Kosovës”, ka shtuar z. Majko.

Moti
Të shtunen parashikohet mot pjeserisht me diell, temperaturat do të lëvizin nga minus 2 deri në 9 gradë celcius. Mot pjeserisht me diell edhe në Tiranë,me temperatura nga 4 deri në 17 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 65690 , Të shëruar: 57385 ,të vdekur:1568
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *