Hën. Dhj 9th, 2024

Lansohet Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm në Energji Elektrike

Kryeministri Albin Kurti së bashku me Ministrin e Financave Hekuran Murati, si dhe me përfaqësues të lartë të Zyrës së Bashkimit Evropian, Bankës Botërore, Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar lansuan Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike.

Në fjalën e tij Kryeministri Kurti theksoi se reformën në fushën e energjisë e filluam me draftimin e Strategjisë së Energjisë 2022-2031 dhe përmendi një varg masash që janë ndërmarrë në këtë fushë në mbështetje të qytetarëve, vlera totale e të cilave kap shumën prej 150 milionë euro. Ai po ashtu tha se gjatë këtyre viteve në qeverisje janë vënë themelet për investime afatgjatë në fushën e energjisë, të cilat kapin vlerën totale prej rreth 700 milionë euro.

Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri Kurti tha se si Qeveri gjithmonë përkujdesemi për mirëqenien e qytetarëve tanë, andaj edhe sot po prezentojmë një program të rëndësishëm për të mbështetur ata, atë të mbrojtjes së konsumatorëve të cenushëm në energji elektrike.

Ndërkaq, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ky program parasheh që të gjitha familjet të cilat mesatarisht kanë më pak se 150 euro të hyra mujore për anëtar të familjes mund të kualifikohen për programin.

“Programi që po e prezantojmë sot bazohet në pragun e të hyrave të familjes prej 150 euro për anëtar. Pragu prej 150 euro është në përputhje me Linjën Ndërkombëtare të Varfërisë për vendet me të ardhura mesatare të larta (ku listohet edhe Kosova) e përllogaritur në 5.5 dollarë (5 euro) në ditë që është ekuivalente me 150 euro në muaj për person, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore”.

Ai shtoi se synimi kryesor i Programit është të ofrojë mbështetje direkte financiare për konsumatorët e cenueshëm në energji elektrike, ashtu që të kenë qasje të barabartë në energji të përballueshme elektrike, duke iu subvencionuar faturat e energjisë elektrike.

Kjo masë është në kuadër të Pakos Mbështetëse prej 75 milionë euro të Bashkimit Evropian për përballje me krizën energjetike.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *