Sht. Tet 5th, 2024

LDK: Dhuna ndaj grave dhe vrasja e tyre po shndërrohet në përditshmëri

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se dhuna ndaj grave dhe vrasja e tyre po shndërrohet në përditshmëri.

Ajo ka përmendur vrasjen ne gruas nga një burrë kosovar në Gjermani dhe atë në Zvicër.

Dhuna ndaj grave dhe vrasja e tyre po shndërrohet në përditshmëri, në një shoqëri të narrativave “burrërore e kanunore. Mosreagimi përmes zërit të ngritur të shoqërisë duke shenjëstruar vrasësit për ta marrë dënimin e merituar po e normalizon krimin mbi gratë”.

“Vrasja e gruas nga një burrë kosovar në Gjermani e më pas edhe gruas, nënës së katër fëmijëve në Zvicër, poashtu nga një kosovar, shpërfaq një gjendje emergjence në komunitetin tonë, që të ngritët kundër mizorisë.Kurse shoqëria jonë, me të gjitha potencialet e saj, OJQ-ve, zyrave diplomatike, shoqatave e mediave, duhet të organizojë fushata vetëdijësuese për mbrojtjen e të drejtave të grave”, ka shkruar ajo.

Halimi ka thënë se politika e jashtme duhet të krijojë një strategji të posaçme për mërgatën kosovare.

“Politika e jashtme duhet të krijojë një strategji të posaçme për mërgatën kosovare ngase indiferenca ndaj vrasjës së grave është e barasvlerëshme me miratimin e krimit!Gratë po vriten, e fatkeqësisht asnjë shqetësim nga ky kabinet qeveritar dhe mekanizmat e shtetit.Paradigmat janë të njohura pse dhuna ndaj grave jashtë Kosovës, është aq e shprehur. Bartja e mendësisë tradicionale, patriarkale në ambintin e ri dhe kombinimi i tij me traumën sociale të mërgimit, është një nga shkaqet thelbësore që prodhon dhunë në familje”, shkroi ajo.

Tutje, Halimi tha se dhuna ndaj grave deri në eliminimin fizik të tyre esencialisht është luftë kundër lirisë.

“Dhuna ndaj grave deri në eliminimin fizik të tyre esencialisht është luftë kundër lirisë, e për nënshtrimin e tyre diktatit të burrit që pandehet pronar i jetës së tjetrit/tjetrës. Presidentja si grua, por edhe prijëse politike duhet me urgjencë ta krijojë një grup nën patronatin e saj, që të avokojë për mbrojtjën e lirive dhe jetës së grave në mërgatë. Ajo sëbashku me shoqatat, aktivistet e shoqërisë civile dhe forumet e grave duhet të nisë një ofensivë për ta ndalur këtë mizori, që lajmet për vrasje grashë të mos mbesin vetëm kronika të zeza, por të na zgjojnë në mbrojtje të jetës dhe lirisë”, u shpreh tutje ajo.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *