Enj. Pri 25th, 2024

Mbrojtja e Thaçit e të tjerëve thotë se prokuroria po i fsheh provat shfajësuese, përmendet edhe një raport i CIA-s

By Rtv Arbëria Mar 24, 2022

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, mbrojtja e të akuzuarve ka kritikuar prokurorinë për mos nxjerrje të provave shfajësuese.

Duke folur për materialet e rregullës 103 që përfshinë provat shfajësuese, avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe ka thënë se ekzistojnë dokumentet nga institucionet amerikane që tregojnë se UÇK-ja nuk ka qenë e përfshirë në aktivitete terroriste.

“Po i kthehem një komenti të ZPS-së lidhur me komentin e tyre për materialet e rregullës 103 (2), ishte një letër nga Departamenti Amerikan i Shtetit që i drejtohej kryetarit të Komitetit të punëve të jashtme ku është thënë që nuk ka pasur ndonjë kontroll komandë efikase të UÇK-së në Kosovë. Dhe përgjigja e tyre ishte ne i kemi kontrolluar ato dosje dhe është aty. Ata kanë bërë kërkesa drejtuar qeverisë amerikane, ka vite që e bëjnë këtë dhe nuk kanë bërë asnjë kërkesë për asnjë dokumentacion që cenonte kredibilitetin e hetimit të tyre dhe thonë se nuk i kanë pasur. E di njeri këtë gjë, që ata kanë kërkuar dokumente nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i di njëri dokumentet e tyre, është marrë ndonjë vendim që nuk duan t’i marrin këto dokumente, është shkelje e rregullës 103 dhe nuk është i vetmi dokument”, ka thënë ai.

Avokati Kehoe ka përmendur edhe një raport të CIA-s, i cili sipas tij tregon se UÇK-ja nuk është përfshirë në aktivitete terroriste.

“Është edhe një raport i CIA-s i 3 janarit 2000, CIA publikisht i drejtohet Kongresit në rastin e diskutimit të një projektligji për buxhetin. Shtetet e Bashkuara konstatuan, thotë këtu, që udhëheqja e UÇK-së duket se nuk është angazhuar në operacione narkotike për të mbështetur aktivitetet e veta gjatë luftës. Kjo ka ardhur nga agjencia e zbulimit amerikan, kanë thënë gjithashtu që UÇK-ja nuk është përfshirë në aktivitete terroriste të përcaktuara si dhunë e paramenduar e kryer kundër objekteve jo luftarake. Pra, thonë që nuk e dinë këtë raport, ku thuhet se nuk ka pasur trafikim dhe udhëheqja nuk është përfshirë në aktivitete terroriste. Përsëri po ndjekim një qasje, mirëpo se çka do të thotë materialet e rregullës 103. Këtu duhet ta japim horizontin tonë me atë që është material i rregullës 103 dhe testi do të duhej të ishte nëse do t’ua cenonte çështjen aty, ata duhet të na japin neve këto materiale, ky është shqetësimi ynë. Është shqetësim që duhet rregulluar që ky informacion duhet dorëzuar menjëherë e jo të pritet 16 muaj e pastaj të dorëzohet”, ka thënë avokati Kehoe.

Deklaratat e mbrojtjes së Thaçit, prokurorja i ka quajtur spekulative.

“Parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit sa i takon kontakteve me qeverinë amerikane dhe shkalla e bashkëpunimit apo materialit që mund të kemi marrë është tërësisht spekulative, nuk ka absolutisht asnjë bazë të mendosh se ZPS ka qasje apo ka në zotërim dokumentacione ashtu siç sugjeron ajo mbrojtje”, ka thënë përfaqësuesja e ZPS-së.

Lidhur me këtë ka reaguar avokati Kehoe, i cili ka thënë se ZPS-ja në vazhdimësi i ka bërë kërkesa qeverisë amerikane lidhur me strukturën e UÇK-së.

“Kanë parë atë që kanë dashur të shikojnë, ngrenë aktakuzë kundër këtyre personave të cilët kanë që në nëntor të vitit 2020 që rrinë në burg, edhe pse na thoshin që do ta fillonim gjyqi në prill a në maj, por nuk po flasim më për këtë. Seriozisht po thonë që nuk i kanë bërë kërkesë qeverisë amerikane apo CIA-s, apo ndonjë qeverie tjetër për këtë informacion sa i takon këtyre operacioneve narkotike të UÇK-së kur CIA pastaj përgjigjet dhe thotë që nuk ka asnjë provë që të mbështesë këto pretendime”, ka thënë ai.

Derisa është diskutuar për provat shfajësuese, prokurorja ka thënë se nga konferenca e fundit kanë nxjerrë edhe tetë paketa me materiale të rregullës 103 të cilat përmbajnë 751 prova. Ajo ka thënë se ka ende materiale për t’u rishikuar nëse përmbajnë prova shfajësuese.

Avokati i Kadri Veseli, Ben Emmerson ka thënë se ka prova që konfirmojnë manipulimet nga ana e autoriteteve serbe.

“U bëj jehonë fjalëve që ua drejtoj zoti Kehoe. Ka shumë lloje provash, të cilat gjenden në domenin publik dhe të cilat konfirmojnë ato lloj manipulimesh nga ana e autoriteteve serbe siç është përfshirë këtu edhe zhvarrosja e varrezave masive të viktimave, që janë transportuar në kufi me Serbinë ku është gjendur një kamion, po ashtu rivendosja e kufomave nga ana e policisë në territorin serb. Pra, është kryer një operacion pastrues në masë të gjerë që tregon edhe manipulimin e provave. Është folur gjatë për këtë në gjykimet e tribunalit, serbët kanë përdorur një sërë taktikash për të marrë informacione të rreme dhe prova të rreme, përfshirë këtu torturën, shantazhin e të tjera, të gjitha janë materiale shfajësuese e të cilat duhej të ishin përfshirë tek analiza që i ka bërë ZPS-ja, sidomos në materialet që vinë nga shërbimi informativ serb”, ka thënë ai.

Emmerson ka thënë se ka përpjekje nga ana serbe për të manipuluar provat.

“Ka gjëra të cilat çdo prokuror që ndodhet në këtë proces mund të jetë në dijeni të informacioneve që i kanë parë, por që kanë dalë në proces edhe të tjera për shembull provat e forcave serbe në terren në Kosove, kanë pasur në dispozicion municione kineze për të vrarë civilë dhe kjo të dukej sikur ishte bërë nga UÇK-ja. Pra, ka orvatje serioze nga ana serbe për të manipuluar provat. Ky informacion dihet. Pse nuk na është vënë në dispozicion?”, ka thënë ai.

Avokatët kanë kërkuar nga prokuroria që të ecin me ritëm më të përshpejtuar në nxjerrjen e materialeve.

“Kemi shqetësime të rënda sa i takon qëndrimin që mban prokurori për nxjerrjen e materialit shfajësues. Siç e dimë ky material ka të bëjë me pafajësinë e të akuzuarve dhe mund të ndryshojë tërësisht pistën, apo edhe çështjen gjyqësore”, ka thënë avokati i Rexhep Selimit, David Young.

Sipas avokatëve, provat që lidhen me UÇK-në mbetën pa u nxjerrë.

“Kjo nuk tregon që ata po e kryejnë në mënyrë korrekte këtë detyrim, sepse kanë kaluar 16 muaj tashmë në këtë proces, kjo sasi që vazhdojnë të nxjerrin tregon një problem që ka diçka që nuk funksion”, ka thënë avokati Elis, pjesë e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.

Ndryshe, ish-krerët e UÇK-së akuzohen nga Dhomat e Specializuara për kinse krime lufte dhe kundër njerëzimit.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar përmes një vendimi të Kuvendit të Kosovës në gusht 2015 dhe mision kanë hetimin e krimeve të pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *