Enj. Pri 25th, 2024

MINT deklarohet rreth akuzave për largim të investitorëve për shkak të vonesave nga Qeveria

By Rtv Arbëria Nën 29, 2021

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka hedhur poshtë akuzat se vonesat procedurale të Qeverisë kanë shtyrë një kompani të huaj të zhvendosë investimin e planifikuar nga Kosova në një shtet tjetër.

Në një komunikatë për media thuhet se ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, dhe kryetari në largim i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë deklaruar se vonesat procedurale të Qeverisë kanë shtyrë kompaninë franceze “Akuo Energy” të zhvendosë investimin e planifikuar nga Kosova në një shtet tjetër.

Kompania “Akuo Energy”, përmes filialit “Cicavica Wind Farm” sh.p.k., synon të realizojë projektin e prodhimit të energjisë me erë “Çiçaciva”. Kompania franceze, e cila operon në disa vende të rajonit, i ka konfirmuar edhe sot ministrisë se nuk po tërhiqet nga projekti investues në Kosovë, por ka edhe projekte tjera në rajon.

Projekti është paraqitur fillimisht në fund të vitit 2018, por subjekti propozues ka dorëzuar aplikimin e kompletuar për investim strategjik tek në qershor 2020.

Agjencia për Investimet dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve e Kosovës (KIESA) ka rekomanduar që projekti të shpallet investim strategjik, dhe Qeveria ka miratuar rekomandimin e KIESA-s në dhjetor 2020, por nuk ka arritur të sigurojë pëlqimin e Kuvendit të Republikës para zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2021, thuhet më tej në reagim.

MINT i ka kumtuar kompanisë “Akuo Energy” se lënda do të riprocedohet shpejt në Komisionin Ndërministror për Investimet Strategjike, me pjesëmarrjen e institucioneve të reja në nivelin qendror dhe nivelin lokal, dhe pas shqyrtimit në Komision, lënda trajtohet në Qeveri dhe Kuvend.

“Riprocedimi do t’i hapë rrugë realizimit të investimit në përputhje me legjislacionin në fuqi, sidomos normat për ndihmën shtetërore, pa tarifa nxitëse që mund t’u faturohet qytetarëve dhe të cilat ndalohen me legjislacionin e BE-së dhe Kosovës. MINT mbetet e përkushtuar për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve në përputhje me ligjin dhe interesit publik të qytetarëve:, përfundon komunikata.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *