Mar. Pri 23rd, 2024

Nesër dëgjohet dëshmitari i katërt në gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt në Hagë

By Rtv Arbëria Nën 4, 2021

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së proces ky që do të vazhdoj nesër me dëgjimin e dëshmitarit të katër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS). Miro Jukiq, dëshmitari i cili u përgjigj sot në pyetjet e mbrojtjes dhe të trupit gjykues, ndër të tjera ka thënë se dy persona i kanë zhvendosur nga Kosova meqë të njëjtit janë frikësuar pasi ka ndodhur rrjedhja e dokumenteve nga Specialja.

Gjatë dhënies së dëshmisë, Jukiq ka thënë se ndër masat që ZPS ka marrë për dëshmitarët që janë deklaruar se janë të trembur, ka qenë edhe dhënia e telefonave për disa prej tyre në mënyrë që të mund të kontaktojnë me prokurorinë.

Por, mbrojtja e Hysni Gucatit, avokati Rees ka thënë se nuk kanë parë ndonjë dokument me procesverbal që një telefon i dhënë një dëshmitari që lidhet me ngjarjet e shtatorit të vitit 2020.

Ndërsa lidhur me personat që dëshmitari ka thënë se janë zhvendosur, ai ka shtuar se asnjëri nga ta nuk ka të kaluar kriminale.

E derisa avokati e ka pyetur për periudhën e zhvendosjes, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.

Dëshmitari Jukiq: Zhvendosja që është bërë është e personit direkt është marrë nga Kosova, është nxjerrë nga Kosova, ndërkohë sa i takon zhvendosjes së dytë, personi është vënë së pari në një shtëpi të sigurt pastaj nga shtëpia e sigurt është nxjerrë jashtë Kosovës.

Ndërsa u përmend edhe një person i cili kishte kërkuar zhvendosje por nuk kishte ndodhur një gjë e tillë.

Avokati Rees: Individi që përmendet në paragrafin e këtij shënimi zyrtar që ka kërkuar zhvendosje apo shpërngulje, ky person a u shpërngul?

Dëshmitari Jukiq: Jo.

Avokati Rees: Ky person a është dikush që ka një të kaluar kriminale, apo nuk e dini?

Dëshmitari Jukiq: Nuk e di.

Në seancë gjithashtu u bë e ditur se ZPS ka paguar faturën mjekësore të një prej dëshmitarëve.

Avokati Rees: Sipas përmbajtjes së shënimit, dëshmitari ka kërkuar nga ZPS që të paguaj për faturat mjekësore, është kjo saktë?

Dëshmitari Jukiq: Na ka dorëzuar dokumentacionin mjekësor dhe faturat dhe na ka pyetur nëse ZPS ka mundësi t’i paguaj ato fatura.

Avokati Rees: Do të thotë u ka dhënë faturat dhe ka kërkuar t’i paguanim, i keni paguar ato?

Dëshmitari Jukiq: I kemi paguar faturat.

Avokati Rees: Atëherë sa keni paguar?

Dëshmitari Jukiq: Nuk mund të ju them saktësisht por afërsisht 400 euro.

Avokati Rees: Ku janë ato fatura tani?

Dëshmitari Jukiq: Janë në sistemin ZaeLab.

Ndërkohë ka shtuar që nuk e mban mend datën e faturave në fjale.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij, Miro Jukiq që në kohë ne rrjedhjes së dokumenteve ishte punonjës sigurie në ZPS, kishte thënë se të gjithë dëshmitarët me të cilët kishte kontaktuar pas rrjedhjes së dokumenteve ishin shumë të trembur.

Avokati Rees: Ju thatë që të gjithë personat që ju kontaktuan ishin të trembur.

Dëshmitari Jukiq: Po ashtu thash.

Avokati Rees: Po ky dëshmitari që në shënimin tënd që ka folur me t më 7 shtator 2020 ka thënë se nuk ka vënë re ndonjë dyshim dhe nuk kam pasur ndonjë problem, është fjala për telefon apo takim.

Dëshmitari Jukiq: Për takim. Unë thash që të gjithë dëshmitarët që më morën ën telefon ishin të trembur.

Avokati Rees: Po ai djali që tha nuk kemi nevojë për ndihmën tuaj, nuk shprehu që ishin të frikësuar.

Dëshmitar Jukiq: Jo, sepse e tha që nuk kemi e nevojë për ndihmë nga ju.

Avokati Rees: Pra, ishte ekzagjerim kur thatë që të gjithë personat që ju kishin kontaktuar ishin të trembur.

Dëshmitari Jukiq: Ai djali nuk më mori në telefon mua, unë e mora atë në telefon.

Pas pyetjeve të avokatit të Hysni Gucatit, mbrojtja e Nasim Haradinajt, Toby Cadman ka thënë se janë në linjë me pyetjet e avokatit Rees ndërsa ka kërkuar të drejtën që ta thërrasin përsëri këtë dëshmitar pasi të mirret vendim për nxjerrjen e informacioneve.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020 kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *