ngjarje dite, e hene, 22.03.2021

Pak para seancës për formimin e Qeverisë, deputetët e Vetëvendosjes të parët në Kuvend

Disa deputet të Lëvizjes Vetëvendosje po qëndrojnë në Kuvend, pak para seancës së jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë.
Derisa kryesia e Kuvendit po diskuton për caktimin e seancës për formimin e Qeverisë, ata janë mbledhur në sallën ku do të mbahet seanca për formimin e Qeverisë.
Kujtojmë që Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për kryeministër të ardhshëm të vendit Albin Kurtin, liderin e saj.
Ky subjekt politik i ka kthyer letrën Glauk Konjufcës, ushtruesit të detyrës së presidentit.
Ndërsa, rreth orës 17:00 është paralajmëruar seanca ku do të votohet Qeveria Kurti.
Seanca për formimin e Qeverisë nis në ora 17:00
Seanca për formimin e Qeverisë së re do të mbahet nga ora 17:00.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi për media nga Lëvizja Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
Seanca për formimin e Qeverisë vije pasi ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca, i dërgoi letër më herët liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, që ky subjekt ta propozojë mandatarin për kryeministër.
Sot Kuvendi ka zgjedhur kryetar Glak Konjufcën.
.

Plani i Albin Kurtit
Lufta kundër korrupsionit dhe punësimi, vaksinimi i 60 për qind të popullatës kundër COVID-19 brenda një viti, rritja e prodhimit dhe eksportit si dhe fuqizimi i ndërmarrjeve publike janë prioritetet e Albin Kurtit, partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kurti, qeveria e të cilit pritet të votohet nga Kuvendi i ri i Kosovës, ka thënë se dialogu me Serbinë, nuk është pjesë e prioriteteve të tij. Ai madje ka paralajmëruar edhe vendosjen e reciprocitetit ndaj këtij shteti.
Sipas rezultatit zgjedhor, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.28 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlametare të 14 shkurtit. Kjo parti ka 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje garoi në këto zgjedhje pa certifikimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të liderit të saj Albin Kurti, i cili është kandidat i këtij subjekti politik për kryeministër të vendit.
Në listën e Lëvizjes Vetëvendosje ka garuar edhe Vjosa Osmani, e cila ka qenë numri dy, në krye të listës së këtij subjekti politik. Ajo fitoi më së shumti vota, përkatësisht mbi 300 mijë.
Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, prezantoi programin e ardhshëm qeverisës të partisë së tij, duke thënë se dëshirojnë “të nxjerrin Kosovën nga kriza e shumëfishtë dhe ta vendosin në binarët e progresit”.
Programi qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, siç ka deklaruar Kurti, do ta ketë në fokus të menjëhershëm përballjen me pandeminë e koronavirusit, ku do të krijohen kushtet që shpjegimet dhe rekomandimet e ekspertëve të jenë bazë për çdo vendim që do të merret nga institucionet.
Vaksinimi i 60 për qind të popullatës
“Pa vonesë do të vëmë në zbatim planin aksionar të detajuar të mbështetur financiarisht dhe i bazuar në situatën në terren. Masat e veprimit të menjëhershëm do të jenë: vaksinimi i së paku 60 për qind të popullatës, sigurimi i qëndrueshëm i materialeve elementare mbrojtëse, barnave dhe testeve, trajnimi i vazhdueshëm i stafit shëndetësor, komunikim transparent, i sinqertë dhe i dendur me qytetarë”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se do të nisë menjëherë bisedimet me vendet e rajonit, me theks të veçantë Shqipërinë, për përballjen e përbashkët me pandeminë COVID-19. Kurti gjithashtu, ka theksuar se do të bëhen përgatitjet për aplikim dhe anëtarësim të Kosovës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Për rimëkëmbje ekonomike, “intervenim ambicioz fiskal”
Kurti ka theksuar se kthimi i jetës ekonomike në normalitet është prioriteti kryesor i angazhimit në ditët, muajt dhe vitin e parë të qeverisjes së tij.
“Për këtë jemi të gatshëm të ofrojmë një intervenim ambicioz fiskal”, ka thënë Kurti.
Ai ka premtuar se në qeverinë e re do të synohet “një ekonomi që del nga pandemia dhe e shëruar edhe nga sëmundjet tjera”.
Në ekonomi, sipas tij, do të ketë më shumë nevojë dhe hapësirë për gratë, për rininë, për mërgatën, për komunitetet, për fshatin, e sidomos për ata që kanë nevojë për më shumë mbështetje prej shoqërisë dhe shtetit.
Ai ka premtuar një ekonomi ku ka më shumë prodhim dhe eksport, më shumë punëtorë, më shumë kontrata të punës dhe më shumë respektim të të drejtave të punëtorit.
Ekonomia që ai synon, siç ka thënë, duhet të jetë pa monopole, por me ndërmarrje publike që operojnë suksesshëm, si dhe një ekonomi ku fuqizohen komunat në mënyrë që ato të vendosin vetë për prioritetet e tyre.
Ndërmarrësve u është premtuar ofrimi i qasjes së volitshme në financa, të nevojshme për të përballur rritjen e prodhimit.
“Për këtë do të krijojmë partneritet të fuqishëm në mes pesë shtyllave, që së bashku garantojnë daljen relativisht të shpejtë nga recesioni i tanishëm; ndërmarrjet, shteti, sistemi bankar, Fondi kosovar për garantimin e kredive, si dhe komuniteti i donatorëve dhe i kredidhënësve ndërkombëtarë”, është shprehur Kurti.
LVV-ja ka thënë se mbështetja do të shtohet për të gjitha bizneset që arrijnë të krijojnë qasje në tregjet e reja ndërkombëtare dhe të rrisin eksportet e Kosovës, për të gjithë ndërmarrësit që hapin linja të reja të prodhimit, fusin produkte të reja apo që arrijnë të shtojnë numrin e punëtorëve.
Vetting-u dhe lufta kundër korrupsionit
Kurti ka premtuar që pjesë e programit të tij qeverisës do të jenë qasja më serioze ndaj drejtësisë.
Siç ka theksuar ai, pjesë integrale dhe e domosdoshme të sistemit e drejtësisë është gjyqësori i pavarur dhe i paanshëm, me integritet dhe efikas.
“Për të arritur këtë, nivelet më të larta hierarkike të sistemit të drejtësisë dhe jo vetëm, do t’i nënshtrohen procesit të vetting-ut. Nëpërmjet këtij procesi, synohet të arrihet integriteti gjyqësor dhe prokurorial dhe do të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se procesi i vetting-ut do të nisë nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial.
“Qeveria e jonë do të dëshmojë përkushtim në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë drejtim, do të shtohen kapacitetet njerëzore dhe profesionale në Departamentin Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të asaj të Apelit”, është shprehur Kurti.
Kurti ka thënë se kjo do të mundësohet përmes mbështetjes financiare për sistemin e drejtësisë, me qëllim të plotësimit të nevojave të tyre..
Rivendosje e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë?
Çështja e reciprocitetit me Serbinë, e cila kishte prodhuar mjaft probleme brenda skenës politike në Kosovë, por edhe në raport me faktorët ndërkombëtarë, është potencuar sërish nga Vjosa Osmani, e cila në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje ishte numri dy, por edhe nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Në një debat të transmetuar nga mediat vendore, më 12 shkurt, Osmani ka deklaruar që “reciprociteti është baza më e shëndoshë e ndërtimit të raporteve, në veçanti tregtare dhe ekonomike, ndërmjet shteteve”.
“Natyrisht që ajo që mund të pritet është se ne do të sillemi në mënyrë reciproke për ta mbrojtur dinjitetin e shtetit tonë. Për këtë ne do të ulemi me partnerët tanë, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me Bashkimin Evropian, që kanë qenë ndërmjetësues të këtyre marrëveshjeve, për t’i bindur që kjo është rruga e drejtë, për të arritur barazi, jo vetëm në raport me Serbinë, por siç e thash, për ta mbrojtur dinjitetin shtetëror mbi të gjitha”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se vendosja e reciprocitetit me Serbinë, do të jetë ndër gjërat e para që do ta bëjë qeveria e tij.
“Është çështje ditësh, javësh dhe kurrsesi muajsh. Nuk e di tash se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”, ka thënë Kurti.
Marrëdhëniet me SHBA-në
Lidhur me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti ka theksuar Kosova i do marrëdhëniet “jo vetëm të mira, por edhe shumë më të mira se që janë, në aspektin bilateral, ushtarak, ekonomik dhe kështu me radhë”.
“Nuk mund t’i zëvendësojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me asnjë partner ose aleat tjetër… me SHBA-në ne kemi raporte të një shteti të ri me një shtet, për të cilin të thuash na ka ndihmuar, përkrahur e mbështetur, gjithmonë është pak”, ka thënë Kurti dhe ka shtuar:
“Me Sekretarin amerikan të Shtetit (Antony) Blinken mendoj që do të kem një bashkëbisedues të shkëlqyeshëm për marrëdhëniet tona të ndërsjella”.
Dialogu me Serbinë “nuk është prioritet”
Pa një zhvillim të brendshëm ekonomik të Kosovës, Kurti ka theksuar se nuk do të ketë as marrëveshje me Serbinë. Kjo për shkakun se, sipas tij, përderisa shteti i Kosovës është i dobët, Serbia nuk do ta respektojë asnjë marrëveshje.
“Gjithmonë do të kërkoj edhe më shumë. Ne duhet ta forcojmë shtetin tonë. Nuk po them që të mos dialogojmë me Serbinë, por kjo nuk është ndër prioritetet e para. Së dyti, Serbia na ka borxh. Unë jam i gatshëm të dëgjoj kërkesat për të drejtat dhe nevojat e serbëve në Kosovë, mirëpo nuk mund të dëgjoj vajtimet dhe piskamat në Beograd, se si paska humbur shteti serb Kosovën në kohën e (Sllobodan) Millosheviqit. Nuk mund të kem kurrfarë mirëkuptimi për këso lloj vajtimesh. Kur thuhet se ‘çka ofroni ju’, mendohet të kompensohet Serbia për humbjen e Kosovës. Jo. Serbia na ka borxh për krimet këtu, të kryera gjatë luftës, pra krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe të gjenocidit. Unë Serbisë do t’ia kërkoj borxhin”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se në rast se shikohet prezantimi programor i Lëvizjes Vetëvendosje, “fjala Serbi nuk është fare aty”.REL

Postet të cilat pritet t’i marr lista e Vjosa Osmanit

Deputeti nga Lista Vjosa, Haxhi Avdyli ka thënë se nga ky subjekt Donika Gërvalla do të propozohet për ministre të Punëve të Jashtme dhe zv/kryeministre.
Kurse ai ka shtuar se për pozitën e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të propozohet Faton Peci.
Sipas Avdylit, në përgjithësi do të propozohen një numër i madh i ministrave që ishin edhe në Qeverinë Kurti 1.
Avdyli ka thënë se Lista Vjosa nuk do të formojnë grup të ri parlamentar porse do të qëndrojë brenda grupit të VV-së..

16 të vdekur vdekur nga Covid, 827 raste të reja dhe 518 të shëruar
Njoftimi plotë nga IKSHPK!
518 TË SHËRUAR DHE 827 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 5.049 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 827 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 16 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prizren 3 raste (87, 71, 62 vjeç), Ferizaj 2 raste (58, 82 vjeç), Gjakovë 2 raste (73, 76 vjeç), Mitrovicë 2 raste (72, 60 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (53 vjeç), Kamenicë 1 rast (79 vjeç), Lipjan 1 rast (84 vjeç), Obiliq 1 rast (62 vjeç), Pejë 1 rast (72 vjeç), Prishtinë 1 rast (76 vjeç) dhe Viti 1 rast ( vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 83.012 raste nga 389.791 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.776 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 518 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 68.601 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.635.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 274 raste, Gjilan 66 raste, Prizren 54 raste, Vushtrri 50 raste, Fushë-Kosovë 39 raste, Pejë 39 raste, Lipjan 34 raste, Gjakovë 33 raste, Kamenicë 33 raste, Ferizaj 29 raste, Mitrovicë 25 raste, Klinë 24 raste, Obiliq 23 raste, Podujevë 22 raste, Viti 16 raste, Deçan 11 raste, Drenas 8 raste, Kaçanik 8 raste, Malishevë 7 raste, Rahovec 7 raste, Suharekë 7 raste, Skenderaj 6 raste, Shtime 4 raste, Dragash 3 raste, Novobërdë 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë, Hani i Elezit dhe Partesh.
Të nderuar qytetarë!
Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 827 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Vetëm në Prishtinë janë raportuar 274 raste pozitive. Shprehim ngushëllime familjarëve për 16 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.
Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.
Andaj rekomandojmë edhe një herë:
1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;
4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprenë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.
IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.
Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.
Qytetarë të nderuar,
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbani në mend:
FYTYRA E MBULUAR ME MASKË!
DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Lushtaku për votën e Halitit pro Konjufcës: Në PDK e vlerësojmë mendimin ndryshe

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e ka komentuar votën pro të kolegut të tij Xhavit Haliti për Glauk Konjufcën që të zgjedhet Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
E vlerësojmë mendimin ndryshe në PDK. Ai e ka të drejtën e votës dhe më e rëndësishmja është që PDK do ta mbikëqyr qeverinë në ardhje”, ka thënë Lushtaku.
Sipas Lushtakut është e pashpjegueshme thirrja kaq e shpejtë e partisë fituese për ta votuar qeverinë.
“Do të votojmë kundër. E vlerësojmë vendimin dhe votën e qytetarëve më 14 shkurt dhe do të qëndrojmë në kuvend dhe do të deklarohemi dhe do ta japim votën kundër”.
“Pozicioni ynë si PDK e kemi treguar edhe me ardhjen tonë me rastin e konstituimit të kuvendit. Jemi parti serioze dhe e duam institucionin. Do t’ia japim mundësinë kësaj qeverie që të tregojë punët e saj sepse gjatë kanë folur në opozitë”….

Moti
Gjatë dites se marte parashikohet mot i vranet me reshje bore, temperaturat do të lëvizin nga minus 4 deri në 3 gradë celcius .Ndersa Ne Tirane mot i vranet dhe me shi, temperaturat do te levizin nga minus 1 deri në 14 gradë celcius .

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 83012 , Të shëruar: 68601 ,të vdekur: 1776

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Komente Së Fundi