Enj. Pri 25th, 2024

NGJARJET E DITËS, E HËNË, 11.01.2021

By Rtv Arbëria Jan 11, 2021

KQZ merr vendim të ri për Diasporën: Secili mërgimtar që s’përgjigjet në telefon, s’i lejohet votimi
Komisioni Qendror Zgjedhor, ka marrë vendim për verifikimin e të gjithë votuesve nga Diaspora, që aplikojnë për t’u regjistruar si votues në zgjedhjet e 14 shkurtit, në Kosovë.
Në vendimin e KQZ-së, thuhet do të kontaktojë prej telefonit të gjithë mërgimtarët që kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues.
Secili mërgimtar që nuk lajmërohet në telefon, atëherë ai nuk do të ketë të drejtë që të votojë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
doc:

Masat anti-COVID/ LDK dënohet me 2000 euro për mbajtjen e tubimit elektoral në Prishtinë

Drejtori i Inspektoratit të Prishtinës, Adonis Tahiri, përmes një postimi të bërë në FB ka ripërsëritur se askush s’është mbi ligjin, duke aluduar kështu në tubimet elektorale.
Madje ai ka publikuar dëmin prej 2.000 euro që i ka shqiptuar LDK-së për tubim elektoral në kryeqytet.
Ai në shkrimin e tij të fundit u ka bërë thirrjeve partive politike që të respektojnë ligjet dhe vendimet që vetë i kanë votuar. Në të kundërtën, gjobat u shkojnë në zyrat qendrore të partive, për secilin tubim në Prishtinë.
Ky është postimi i Tahirit:
Askush mbi ligjin!
Zbatimi masave për parandalimin e shpërndarjes së virusit, është i domosdoshëm. Shkeljet sanksionohen në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës – neni 25, paragrafi 1.
U bëjmë thirrjeve subjekteve politike që të respektojnë ligjet dhe vendimet që vetë i kanë votuar. Në të kundërtën, gjobat u shkojnë në zyrat qendrore të partive, për secilin tubim në Prishtinë.

206 raste të reja me COVID-19, gjashtë të vdekur, 389 të shëruar

Gjatë 24-orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.281 mostra të marra nga SHSKUK-ja dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 206 raste pozitive.
Brenda 24-orëve janë raportuar 6 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitivë. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Fushë-Kosovë 2 raste (71, 74 vjeç), Prishtinë 2 raste (77, 72 vjeç), Mitrovicë 1 rast (74 vjeç), Prizren 1 rast (73 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 53.982 raste nga 198.342 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.383 raste të vdekjes.
Gjatë 24-orëve të fundit, janë shëruar 389 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri sot është gjithsej 46.648 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.951.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 54 raste, Podujevë 18 raste, Mitrovicë 17 raste, Lipjan 15 raste, Ferizaj 13 raste, Fushë-Kosovë 13 raste, Pejë 11 raste, Vushtrri 10 raste, Gjakovë 8 raste, Drenas 6 raste, Gjilan 5 raste, Malishevë 5 raste, Rahovec 4 raste, Suharekë 4 raste, Kaçanik 3 raste, Klinë 3 raste, Obiliq 3 raste, Skenderaj 3 raste, Deçan 2 raste, Istog 2 raste, Shtimje 2 raste, Shtërpcë 2 raste dhe me nga një rast komunat Kamenicë, Prizren dhe Viti.
Të nderuar qytetarë,
Duke pasur parasysh vlerësimin e situatës aktuale me COVID -19, IKSHPK-ja përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
IKSHPK-ja u apelon të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe organizatave publike dhe private, për respektimin dhe marrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.
U apelojmë institucioneve përgjegjëse, përkatësisht Policisë së Kosovës dhe inspektorateve përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Qytetarë të nderuar,
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektojoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbulojeni gojën dhe hundën me maskë!
Mbajeni higjienën!
Respektojeni distancën!

Vjosa Osmani vizitë në Bruksel, nesër takon zyrtarët e lartë të BE-së

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet në Bruksel, ku do të ketë takime me zyrtarë të Belgjikës, si dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian.
Osmani pritet të takojë të martën presidentin e Parlamentit Evropian, David Sasolli, dhe komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
BE-ja i ka konfirmuar këto takime, por nuk ka dhënë hollësi rreth temave që pritet të diskutohen.
Sipas burimeve të BE-së, pritet që të flitet për situatën aktuale në Kosovë, për procesin zgjedhor, për përballjen me pandeminë e koronavirusit, si dhe për dialogun me Serbinë.
Në takimet e Osmanit me zyrtarë të BE-së pritet të flitet edhe për ndihmën që i ofron Bashkimi Evropian Kosovës në përballje me pandeminë e koronavirusit, e sidomos për përgatitjen për fushatën e vaksinimit…

Rrugë të bllokuara e shtëpi të mbushura me ujë, situatë e rënduar pas reshjeve në Kosovë

Reshjet e mëdha të shiut gjatë ditëve të fundit kanë sjellë telashe në Kosovë. Në shumë qytete e fshatra të vendit janë shkaktuar vërshime e përmbytje.
Shumë shtëpi, rrugë, ndërtesa e dyqane janë bllokuar si pasojë e reshjeve të shiut që kanë filluar para pak ditësh në Kosovë.
Në shumicën e qyteteve e fshatrave të vendit janë shkaktuar përmbytje si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.
Qytetarëve iu është vështirësuar qarkullimi nëpër fshatrat e lagjet e tyre, e hiç më mirë nuk janë as rrugët në vend.
Përveç rrugëve, uji ka depërtuar edhe nëpër shtëpitë e banesat e qytetarëve.
Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar edhe prishjen e asfaltit në disa prej komunave të vendit. Lumenjtë kanë dalë nga shtrati dhe uji ka përfshirë gjithë hapësirat përreth.
Disa nga komunat që shiu ka shkaktuar dëme të mëdha janë Prishtina, Fushë Kosova, Podujeva, Lipjani, Gjilani, Vitia, Kamenica, Klina, Ferizaj e Drenasi…..

Hoti paralajmëron rikthimin e reciprocitetit me Serbinë

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar sot rikthimin e reciprocitetit me Serbinë, shfuqizimi i të cilit ishte një nga vendimet e para të tij kur erdhi në krye të Qeverisë.
Hoti, në një konferencë të përbashkët për media me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës tha se në shtator do të dërgojnë tekste shkollore për shqiptarët në Luginë. Ai u pyet se a do t’i ndalonte tekstet serbe të hynin në Kosovë në rast se Serbia do ta bënte të njëjtën me tekstet që Kosova po planifikon t’i dërgojë atje. Kryeministri në detyrë u shpreh se në një situatë të tillë, mund të riktheheshin masat e reciprocitetit.
“Kur e kemi filluar procesin e dialogut, në javët e para kur unë e kam marrë Qeverinë i kemi hequr masat e reciprocitetit dhe e kemi shfuqizuar vendimin për tarifën dhe çfarë ka qenë më herët, që i ka hapur rrugë procesit të dialogut. Kjo është bërë me një afat të caktuar kohor, për disa muaj, dhe sapo ky proces të vijë në përfundim, ose procesi mbaron me njohje reciproke, ose ne i zbatojmë të gjitha masat e reciprocitetit, pa përjashtim. Çdo masë që Serbia e drejton nga ne, ne kemi të drejtë dhe do ta drejtojmë nga Serbia”, tha Hoti.
Megjithatë, ai u shpreh se nuk beson që do të ketë nevojë për veprime të tilla, ndërsa përmendi edhe vizitat e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë.
“Por unë besoj që me përfshirjen e partnerëve ndërkombëtarë, nuk do të kemi nevojë të shkojmë në këto ekstreme, por besoj që çdo ditë po bëjmë progres drejt marrëveshjes përfundimtare. Ju e keni parë që i kemi disiplinuar pak edhe vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë”, tha Hoti.
Ai i ka pritur sot përfaqësuesit e Luginës së Preshevës për ta hartuar programin e punës për Zyrën për Luginën e Preshevës, e cila u formua muaj më parë.
Hoti tha se me hartimin e planit të punës së kësaj zyre, do të “analizohet gjendja sociale dhe ekonomike” e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, për, siç tha, “faktuar gjendjen në arsim, shëndetësi e punësim”,

Vaksinohet kryeministri Edi Rama

Ka nisur sot vaksinimi kundër koronavirusit në vend. Kryeministri Edi Rama ashtu sikurse lajmëroi ka marrë sot vaksinën, pas shefes së Infektivit Najada Çomo.
Fillimisht Rama ka plotësuar formularin sipas procedurës. Pas kësaj kreu i qeverisë mori vaksinën. Ndërkohë kreut të qeverisë do t’i duhet të qëndrojë 30 minuta pas marrjes së injeksionit në stadiumin “Air Albania

Moti
Të marten parashikohet mot kryesisht i vranet, temperaturat do të levizin nga -4 deri 2 gradë Celsius. Mot me shi në Tiranë, me temperatura nga 5-14 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 53982. Të Shëruar: 46648. Të vdekur: 1383.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *