Sht. Tet 5th, 2024

NGJARJET E DITES, E MARTE, 09.02.2021

Kurti: Nuk do të bëjmë koalicione pas 14 shkurtit, atë e kemi bërë para zgjedhjeve me Vjosa Osmanin

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të vendit, Albin Kurti ka thënë se nuk do të bëjnë koalicione pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, meqë siç tha ai, atë e kanë bërë para zgjedhjeve me Vjosa Osmanin.
Para qytetarëve në Shtime, Kurti ka thënë se synojnë më shumë se 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe për këtë u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në zgjedhje këtë të diele.
E Vjosa Osmani ka thënë se ata, që sipas saj, kanë menduar për xhepat e tyre, duhet të shkojnë në opozitë të gjatë.
Kurti u ka thënë qytetarëve të Shtimes se nuk do të qeverisin për t’u pasuruar.
Kurti: Nuk do të bëjmë koalicione pas zgjedhjeve
“Numri 127 është numri i fitores, por kësaj radhe fitorja nuk është vetëm të dalim të parët se dihet që dalim ne të parët se nuk ka kush del i pari. Fitorja është 61 deputetë e më shumë, na duhet shumicë parlamentare se nuk do të bëjmë koalicione pas zgjedhjeve, ato i kemi bërë para zgjedhjeve, Vjosa Osmani dhe unë. Nuk do të qeverisim për të ju sunduar, nuk do të qeverisim për t’u pasuruar, edhe zonja Osmani edhe unë do të mbetemi siç jemi klasë e mesme, për t’u pasuruar është biznesi”, tha Kurti.
Në tubimin me qytetarë, pas ecjes në komunën e Shtimes, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani e cila në këto zgjedhje garon në listë me Lëvizjen Vetëvendosje, tha se Kosova ka nevojë të udhëhiqet nga njerëz të pastër para ligjit.
Osmani: Ata që menduan për xhepat e tyre duhet të shkojnë në opozitë të gjatë
“Falemnderit që po ua dëshmoni atyre që e ndalën qeverinë e shpresës që nuk ka forcë që mund t’ju ndalë më. Falemnderit që po e dëshmoni që kurrë më nuk do të t’i lejoni që t’iu mashtrojnë. Ne i kemi bashkuar forcat me Lëvizjen Vetëvendosje, me kryeministrin tonë të ardhshëm. Më shumë se për çdo gjë tjetër Kosova ka nevojë t’i luftojë ata që e katandisën shpresën tuaj, që e shkelën çdo perspektivë për rininë tonë, e ata që menduan për xhepat e vet e asnjëherë për juve. Ata duhet të shkojnë në opozitë të gjatë sepse kanë nevojë edhe ata vet, por më së shumti ka nevojë Kosova që të udhëhiqet nga njerëz të pastër para ligjit, nga njerëz të pa korruptueshëm”, tha Osmani.
Edhe në Shtime, Albin Kurti ka folur për programin qeverisës duke theksuar shtetin ligjor, ndihmën që t’u ofrohet bizneseve dhe përkrahjen që do të marrin nga shteti gratë e fëmijët.
Kurti: Nuk do të zmbrapsemi para asnjë krimineli të fuqishëm në Kosovë
“Ne zotohemi para jush se në drejtimin e ardhshëm të shtetit, zonja Vjosa si presidente e unë si kryeministër nuk do të zmbrapsemi para asnjë krimineli të fuqishëm në Kosovë por çdo kriminel, sado i fuqishëm, do të zmbrapset para drejtësisë së shtetit dhe fuqisë së ligjit”, tha ai..

Hoti: Kosova ka dy opsione, atë të zhvillimit me LDK-në dhe të izolimit me shiritat e kuq

Kandidati i LDK-së, për kryeministër, Avdullah Hoti, në tubimin zgjedhor në Gjonaj të Hasit, ka thënë se më 14 shkurt, Kosova i ka dy opsione, atë të shtet-ndërtimit që përfaqësohet nga LDK dhe opsionin e izolimit që përfaqësohet nga ata me shirita të kuq.
“Më 14 shkurt qytetarët i kanë dy rrugë, rrugën e LDK-së për të fuqizuar shtetin dhe demokracinë në vend, për të ofruar zhvillim e punësim, arsim cilësore dhe reforma në të gjitha fushat. Dhe është ai opsioni tjetër i shiritave të kuq që ka orientim të konfrontimit me krejt botën”, tha Hoti.
Kandidati i LDK-së, i ftoi hasjanët që në mënyrë sa më masive të dalin në zgjedhje dhe ti japin besimin opsionit të shtet-ndërtimit që përfaqësohet nga LDK.
“Unë kam besim që në Kosovë dhe në Has ka më shumë njerëz të arsyeshëm sesa njerëz që janë mashtruar. Besoj që njerëzit e arsyeshëm janë shumicë në Kosovë dhe ata do ta vendosin rezultatin e 14 shkurtit dhe ne kemi me fituar. Ju ftoj që të na jepni mbështetje të madhe që të vazhdojmë rrugën për në destinacionin final që është integrimi në BE, anëtarësimi në NATO dhe miqësia e përjetshme me SHBA-të”, tha Hoti. !

2 të vdekur nga Covid, 234 raste të reja dhe 209 të shëruar

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:

209 TË SHËRUAR DHE 234 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.405 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 234 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 2 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 1 rast (51 vjeç) dhe Prizren 1 rast (59 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 62.782 raste nga 254.568 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.528 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 209 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 54.440 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.814.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 109 raste, Prizren 50 raste, Gjakovë 16 raste, Pejë 8 raste, Gjilan 7 raste, Malishevë 7 raste, Rahovec 6 raste, Fushë-Kosovë 5 raste, Drenas 4 raste, Ferizaj 3 raste, Graçanicë 2 raste, Hani i Elezit 2 raste, Istog 2 raste, Kamenicë 2 raste, Obiliq 2 raste, Skenderaj 2 raste dhe me nga një rast komunat Lipjan, Mamushë, Mitrovicë, Podujevë, Shtime, Shtërpcë dhe Vushtrri.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!!

Acarohet Vlora Çitaku me vendimin e Serbisë: E papranueshme, vulosën

Ish ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës në Beograd, lidhur me rastin e Aleksandar Vulin.
Gjykata e Lartë në Beograd e ka hedhur poshtë padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar ndaj ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vullin.
Çitaku këtë vendim e cilësoi si të pranueshëm, me të cilin Serbia e vulosi racizmin ndaj shqiptarëve.
“Gjykatat në Serbi vulosën racizmin ndaj shqiptarëve. E papranueshme, por jo befasuese”, shkroi Çitaku në Facebook, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Gjykatat në Serbi vulosën racizmin ndaj shqiptarëve. E papranueshme, por jo befasuese.
Kjo nuk është dhe nuk duhet të mbetet vetëm betejë e shqiptarëve të Luginës…

Prokuroria e Hagës insiston me çdo kusht që gjyqi ndaj krerëve të UÇK-së të nis në shtator

Të enjten e 11 shkurtit do të mbahet seanca e radhës nga Gjykatën Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. Seanca në fjalë do të jetë konferencë mbi ecurinë e çështjes.
E siç ishte kërkuar nga gjykatësi francez i Procedurës Paraprake, Prokuroria e Specializuar ka dërguar tanimë parashtresat për seancën e radhës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar insiston që gjykimi në rastin e Thaçit dhe të tjerëve të nis në shtator të këtij viti.
“SPO më parë i ka kërkuar gjykatës të caktojë një datë gjykimi jo më vonë se Shtator 2021,dhe mbi atë bazë tregoi gatishmëri dhe aftësi për të siguruar materialin deri në korrik 2021, si pasojë e të cilit autorizimi gjyqësor për të prezantuar çdo material të mëtejshëm zakonisht do të hynte në fuqi”, thuhet në parashtresat e Zyrës së Prokurorit.
Prokuroria insiston se fillimi i gjyqit tre muaj pasi është dhënë procesverbali i tërësishëm i procedurës paraprake, është brenda kornizave dhe praktikave ligjore.
“Pavarësisht hedhjes poshtë të Mbrojtjes nga refleksivi i perspektivës që gjyqi mund të fillojë tre muaj pasi është dhënë Procesverbali i Procedurës Paraprake të Prokurorisë, orari është plotësisht në përputhje me kornizën e zbatueshme, drejtësinë e procedurat dhe praktikën e vendosur. Në të vërtetë, një hendek tre-mujor midis përfundimit e zbulimit, dhe / ose sigurimit të njoftimit paraprak të prokurorisë, dëshmive dhe listave të ekspozimeve, është një standard i zbatuar zakonisht për raste komplekse ndërkombëtare”, thuhet në parashtresat e Prokurorisë.
Prokuroria e Specializuar tutje kundërshton të gjitha propozimet e mbrojtjes që gjyqi të nis kah fundi i 2022-ës apo fillimi i 2023-ës.
Ajo pretendon se avokatët në interpretimet e tyre kanë rrjedhur nga faktet reale për kohëzgjatjen e gjyqeve të tjera në Tribunale Ndërkombëtare. ZPS thekson se faktet e paraqitura nga mbrojtja paraqesin një studim akademik, në të cilin prezentohet kohëzgjatja e gjyqeve në Tribunale Ndërkombëtare, e ku llogaritet koha që nga ngritja e aktakuzës deri në nisjen e gjykimit.
Prokurorët e Specializuar tutje kundërshtojnë edhe argumentin tjetër të mbrojtjes e cila krahason kohën e kaluar në hetime nga organi ndjekës si dhe mbrojtja.
“Më në fund, mbrojtja ka cituar gjatësinë e supozuar të hetimit të prokurorisë në mbështetje të parashikimeve të veta të hetimit paragjyqësor. Si fillim, kallëzuesi për pretendimin është i pavërtetë – gjatësia e supozuar e hetimit të ndjekjes penale është thjesht një vlerësim i përgjithësuar dhe i pasaktë bazuar në gjatësinë e institucionit që ka ekzistuar. Për më tepër, argumenti rrjedh nga një premisë e rremë. Ndryshe nga SPO, Mbrojtja nuk thirret për të kryer një hetim të gjerë për të identifikuar dhe më pas për të vendosur elementet e provave në lidhje me një numër të patreguar të ngjarjeve për një periudhë të gjatë, të gjitha në një standard të përtej dyshimit të arsyeshëm. Në vend të kësaj thirret që t’i përgjigjet një distilimi”, thuhet në parashtresën e Prokurorisë.
Këto dhe çështje të tjera do të diskutohen në seancën e së enjtes në Gjykatën Speciale.
Gjyqtari i Procedurës paraprake ua ka refuzuar para disa ditësh kërkesën për lirim nga paraburgimi krerëve të UÇK-së.
Kjo çështje është dërguar në apel nga avokatët teksa edhe janë caktuar gjyqtarët.,.

Ja momenti kur i dyshuari nxjerr revolen dhe plagos një person në Prishtinë

Mesditën e se martes, në lagjen “Dardania” në Prishtinë është plagosur me armë zjarri, N.Qafleshi.
Mediat kishin raportuar në kohë reale për këtë plagosje, ndërsa tani janë siguruar edhe pamjet ekskluzive kur i dyshuari nxjerr revolen dhe e qëllon nga prapa në këmbë viktimën.
I dyshuari, siç shihet edhe në video, e përcjellë viktimën i cili lëvizte në rrugën “Xhemajl Mustafa” dhe nga një afërsi e qëllon.
Ndonëse i plagosur, viktima qëndron në këmbë për një kohë derisa kalimtarët i rekomandojnë të shtrihet në rrugë dhe i ofrojë ndihmën e parë mjekësore.
Ende nuk dihen motivet që kanë quar të dyshuarin te kryej këtë vepër në mes të ditës, pa u trembur.
Policia dhe autoambulanca menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë marrë me rastin.
Policia ka thënë se kanë nisur një hetim intensiv për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin.
Deri tani ende nuk ka informacion nëse i dyshuari është arrestuar.

Vjen parashikimi: Vetëvendosje do të marrë 43% të votave, mund të bëjë koalicion me këtë parti

Katër ditë kanë mbetur nga fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë.
Analisti Fidan Ukaj u shpreh në Euronews Albania se në këto zgjedhje do të dalë si forcë e parë politike Lëvizja Vetëvendosje.
Por, zoti Ukaj theksoi se kjo parti nuk mund ta ndërtojë e vetme qeverinë dhe ka nevojë për partnerë.
“Por unë mendoj se ata do të kenë nevojë për partnerë tjetër, një parti tjetër më të vogël, që të formojnë institucionet e ardhshme”, u shpreh analisti.
“ LVV do të ketë nevojë për një partner tjetër, në këtë rast shihet AAK-ja që do të marrë diku 8%”, tha ai.
Ai theksoi më tej se në zgjedhjet e 14 shkurtit LVV do të marrë nga 40 deri në 43% të votave, përfshi edhe votën nga diaspora.
Ndërkohë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në deklaratat e tyre theksojnë se duan të krijojnë të vetëm qeverinë, pa pasur nevojën e ndonjë partie tjetër..

Moti
Të merkuren parashikohet mot pjeserisht me diell, temperaturat do të lëvizin nga 7 deri në 13 gradë celcius. Mot pjeserisht me diell edhe në Tiranë,me temperatura nga 12 deri në 20 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 62782 , Të shëruar: 54440 ,të vdekur:1528
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *