Enj. Pri 25th, 2024

NGJARJET E DITËS ,E MARTË 17.11.2020

By Rtv Arbëria Nën 17, 2020

Vjosa Osmani dhe Hykmete Bajrami Rezultojn pozitiv me covid-19

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka rezultuar pozitive në testin për koronavirus.
Osmani ka njoftuar përmes rrjetit social Facebook se ishte testuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike pasi kishte pasur kontakt me disa të afërm që kishin rezultuar pozitivë në testin për COVID-19.
Ajo ka thënë se punën do ta vazhdojë nga shtëpia.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami gjatë ditës së sotme ka rezultuar pozitiv me Covid19, Ajo ka thënë se këto ditë do të jetë në vetëizolim dhe do të punoj nga shtëpia.

Ngrihen dyshime për grantin 5.2-milionësh

Dyshimi për abuzimin e disa zyrtarëve të Ministrisë së Pushtetit Lokal gjatë procesit të matjes së përformancës së komunave, ka bërë që të vihet në pikëpyetje shpërndarja e një granti me vlerë 5.2 milionë euro.
Për mungesë transparence në procesin e vlerësimit ka alarmuar Asociacioni i Komunave të Kosovës, ndërsa pakënaqësi për raportin e performancës kanë shprehur edhe kryetarë të komunave të ranguara lart në vlerësim, raporton KOHA.
Komuna e Hanit të Elezit është listuar e dyta, dhe kryetari i saj, Rufki Suma, ka thënë se do ta refuzojë shpërblimin.
“Përveç të tjerash, vërejtja jonë ka qenë tek indikatorët e performancës, për të cilët kanë vërejtje edhe komunat e tjera. E vërejtja jonë më e madhe ka qenë se ne jemi shpallur të dytët, ndërsa shpërblimin për vendin e dytë nuk na e kanë qit. Ju kam thanë hiç mos na e lëshoni”, ka thënë Refki Suma, kryetar i Komunës së Hanit të Elezit.
Akuza e kundërakuza për Raportin e transparencës, janë parë pas një deklarate të lëshuar në përmbyllje të Kuvendit vjetor të Asociacionit.
Kjo ka bërë që njeriu kyç që e ka hartuar raportin të reagojë në Facebook.
“Në momentin kur i kap zori disa kryetarë (shkelës të ligjeve) për zgjedhjet e ardhshme, instrumentalizojnë formacione, siç është Asociacioni i Komunave, duke përhap deklarata të pavërteta për ta dëmtu imazhin e Grantit të Përformancës Komunale”, ka shkruar Diellor Gashi, drejtor i Departamentit për performancë dhe transparencë komunale.
KOHA e ka pyetur Gashin nëse e kishte fjalën për Imri Ahmetin, kryetar i Komunës së Lipjanit, i cili është edhe kryetar i Asociacionit. Ai nuk është përgjigjur. E në një koment publik, ka aluduar në të, kur ka shkruar: “‘Shkon Imrija, vjen Fazlija’, kjo është fatkeqësia më e madhe”.
Asociacioni i Komunave ka kërkuar masa për të gjithë akterët që kanë ndikuar në përmbajtjen e raportit, dokument që ka nxitur kritika të mëdha, pas të cilave ministri Goran Rakiq ka njoftuar tri ambasada për shkëputjen e marrëveshjes për grantin e performancës komunale. Në letër, të cilën e ka siguruar KOHA, ministri, ndër të tjera, përmend si arsye faktin se nga të gjitha komunat, përfshirë ato që kanë përfituar, “kontestohet transparenca e procedurave të ndjekura për ndarjen e këtij granti”.
Megjithëkëtë, kryetarë sikur ai i Rahovecit kërkojnë që shpërblimi të mos iu ndalet.
“Unë e di që është diskutuar gjatë kjo çështje dhe mendoj se as ministri Rakiq nuk ka të drejtë dhe askush të bëjë përpjekje dhe të shfaqë tendenca për ta tërheqë grantin”, ka deklaruar Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit.
Asociacioni i Komunave ka kërkuar edhe nga kryeministri Avdullah Hoti, që të kërkojë përgjegjësi ndaj zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Pushtetit Lokal që kanë akuzuar kryetarët e komunave, por në Qeveri nuk kanë treguar nëse është marrë ndonjë masë.
Burime në ekzekutiv thonë se, shkaku i kësaj, sekretarja e përhershme e ministrisë, Rozafa Ukimeraj, do të transferohet në një dikaster tjetër. KOHA ka telefonuar në zyrën e saj, por nuk ka marrë përgjigje. Ka dy javë nuk ka kthyer përgjigje as Ministria e Pushtetit Lokal..

Vlerësime të ndryshme rreth ndikimit të vendimeve të Kushtetueses për Arifin e Shalën

Epilogu i dy çështjeve të ngritura në Gjykatën Kushtetuese pritet të marrë formë në muajin dhjetor.
Në qershor e korrik të këtij viti, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar interpretim nga Kushtetuesja lidhur me votat e deputetëve Etem Arifi e Haxhi Shala.
Ndaj Arifit për shkak të dënimit prej 1 vit e tre muaj për keqpërdorim me subvencione. Kurse për Shalën, lidhur me deklarimin e tij se votën për Qeverinë Hoti e ka dhënë pas kërkesës së presidentit Hashim Thaçi e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Njohësit e Kushtetutës janë të ndarë sa i përket ndikimit të vendimeve të gjykatës në politikëbërjen aktuale.
Sipas Albert Krasniqit nga “Demokraci Plus”, vendimi për çështjen e deputetit Etem Arifi nuk do ta rrëzojë qeverinë Hoti.
“Nëse anulohet ose konsiderohet që Etem Arifi e ka humbur mandatin nga ky moment i merret mandati i tij, por që nuk anulohen vendimet të cilat z. Arifi i ka marrë pjesë në votim”, ka deklaruar Arifi.
Kurse sa i përket votës së Haxhi Shalës, sipas Krasniqit, rrethanat kanë ndryshuar pas dorëheqjes së presidentit.
Por ndryshe mendon Riza Smaka. Ndonëse e konsideron të vonuar vendimmarrjen e Gjykatës, ai thotë se votimi i Shalës e Arifit duhet të anulohet e proceset të kthehen në fillim.
“Kjo është çështje juridike ndër më të thjeshtat të mundshme dhe nuk ka kurrfarë justifikimi që ta zhagitë këtë lëndë deri në këtë etapë. Edhe rasti i Arifit është i tillë rast shumë i thjeshtë kjo tregon që GJK ma shumë është politike sesa Kushtetuese”, tha Smaka.
Në anën tjetër, nga Gjykata Kushtetuese kanë bërë të ditur se janë në shqyrtim të të dyja lëndëve. Ndonëse nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje se kur do të merret vendimi, nga ky institucion kanë bërë të ditur se për rastin e deputetit Etem Arifi do të mbahet seancë dëgjimore publike më 2 dhjetor.
“Gjykata ka marrë vendim që të mbajë seancë dëgjimore publike përkitazi me këtë rast më 2 dhjetor 2020 dhe për këtë do të njoftohen së shpejti të gjitha palët e interesit të përfshira në këtë lëndë. Për shkak të rrethanave aktuale me pandeminë Covid-19, seanca dëgjimore do të organizohet nëpërmjet videokonferencës, në përputhje me rekomandimet dhe udhëzimet në fuqi të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Njëherësh, duke pasur parasysh çështjet e ngritura në kërkesë, Gjykata po ashtu ka marrë vendim që t’i drejtohet edhe Forumit të Komisionit të Venecias, përkitazi me praktikat dhe rregullat e aplikueshme në situata të ngjashme, në shtetet anëtare të Komisionit. Përkitazi me rastin e z. Haxhi Shalës, Gjykata nuk ka afat të vendimmarrjes. Kjo lëndë është ende duke u shqyrtuar”, thuhet nga Kushtetuesja.
Lidhur me rastin e deputetit Arifi, Kushtetuesja i është drejtuar edhe Forumit të Komisionit të Venecias. Por ky komision nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS për këtë çështje këtë të martë.

16 të vdekur e 690 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

16 persona kanë humbur betejën me COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë, ndërsa janë regjistruar 690 raste të reja. Siç ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, të martën janë shëruar 337 persona.
690 rastet e reja kanë dalë nga testimi i 1566 mostrave.
Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjakovë 2 raste (78, 76 vjeç), Prishtinë 2 raste (68, 65 vjeç), Prizren 2 raste (72, 69 vjeç), Rahovec 2 raste (55, 53 vjeç), Dragash 1 rast (76 vjeç), Ferizaj 1 rast (75 vjeç), Gjilan 1 rast (65 vjeç), Kamenicë 1 rast (75 vjeç), Mitrovicë 1 rast (60 vjeç), Pejë 1 rast (67 vjeç), Podujevë 1 rast (41 vjeç), Suharekë 1 rast (82 vjeç).
Rastet pozitive të regjistruara të martën janë nga komuna Prishtinë 277 raste, Gjilan 64 raste, Podujevë 59 raste, Gjakovë 55 raste, Pejë 40 raste, Ferizaj 27 raste, Fushë-Kosovë 25 raste, Viti 23 raste, Prizren 19 raste, Suharekë 16 raste, Lipjan 13 raste, Deçan 11 raste, Klinë 11 raste, Kamenicë 7 raste, Drenas 6 raste, Dragash 5 raste, Shtime 5 raste, Istog 4 raste, Mitrovicë 4 raste, Obiliq 4 raste, Rahovec 4 raste, Vushtrri 3 raste, Kaçanik 2 raste, Malishevë 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Hani i Elezit, Kllokot, Novobërdë dhe Skenderaj.
Deri tash në Kosovë janë testuar 122 mijë e 377 persona. Prej tyre 30 mijë e 495 kanë rezultuar pozitivë, ndërsa kanë vdekur 849 persona. Janë shëruar 17 mijë e 878 persona.
Numri i rasteve aktive është 11.768..

Ish-guvernatori i BQK-së do të kompensohet mbi 200 mijë € për mbajtjen në paraburgim më 2010

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi, i cili kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), kompensimin e dëmit material dhe jo material në shumën prej 1.953.104 euro, për shkak të mbajtjes së tij në paraburgim si dhe masave tjera për sigurimin e pranisë së tij.
Një shumë të tillë, ai e kishte kërkuar për shkak të pretendimeve se nga 23 korriku e deri më 23 nëntor të vitit 2010 ishte mbajtur në paraburgim, ku pas kësaj atij i ishin shqiptuar edhe masat tjera si dorëzania dhe paraqitja në Stacionin e Policisë deri më 16 shkurt të vitit 2011, para se të lirohej nga aktakuza me aktvendim nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Nga shuma totale prej 1.953.104 eurove, që ai kishte kërkuar në emër të dëmit material dhe jo material që i ishin shkaktuar me rastin e arrestimit të tij dhe qëndrimit në paraburgim për katër muaj, si dhe masat tjera, me aktgjykimin e 27 tetorit të këtij viti, Rexhepi do të kompensohet nga shteti në shumën prej 204.307 euro.
Më këtë aktgjykim, Gjykata pjesërisht e ka aprovuar kërkesëpadinë e Rexhepit, ashtu që ka detyruar të paditurën, Republikën e Kosovës – Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që atij në emër të dëmit jo material t’ia paguajë shumën e përgjithshme prej 45.500 euro, me kamatë ligjore si për mjetet e deponuara në banka pa destinim të caktuar, duke u përllogaritur nga data e marrjes së aktgjykimit deri në pagesën definitive, kështu duke e refuzuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë sa i përket dëmit jo material.
Gjykata, sipas këtij aktgjykimi, kishte vlerësuar se periudha brenda së cilës palës paditëse i është shkaktuar dëmi moral për shkak të rrënimit të prestigjit, dëmtimit të imazhit dhe reputacionit është periudha prej 172 ditëve.
Po ashtu, Gjykata ia kishte falur besimin ekspertizës psikiatrike, ku thuhet se paditësi ka përjetuar dhimbje shpirtërore të intensitetit të lartë gjatë periudhës së kufizimit të lirisë për katër muaj, si dhe për periudhën prej 172 ditëve, ku dhimbjet shpirtërore thuhet se kishin qenë të intensitetit të ulët. Ndërsa, sa i përket dëmit material sipas këtij aktgjykimi gjykata ia ka aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit, duke detyruar të paditurën që në emër të fitimit të humbur nga të ardhurat personale të parealizuara dhe benefitet tjera përcjellëse, duke ia falur besimin ekspertizës financiare me versionin nga periudha kur paditësi është pushuar nga puna më 23 korrik 2010 e deri në skadencën e mandatit të guvernatorit më 26 mars 2013, atij t’ia paguaj shumën prej 109.834 euro në emër të pagave neto, ndërsa në emër të kontributit pensional shumën prej 12.864 euro, në emër të tatimit në pagë shumën prej 12.204 euro, në emër të kursimeve në sigurimin Slloveno-Kosovar, kontributin në shumën prej 15.543 euro.
Ndërsa Gjykata e ka refuzuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë sa i përket periudhës prej skadimit të mandatit të guvernatorit të BQK-së, prej 26 marsit të vitit 2013 e deri më 30 nëntor të vitit 2019. Gjithashtu, Gjykata i ka aprovuar edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumë prej 3.328 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ish-Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi,ishte arrestuar me 23 korrik të vitit 2010 nga Policia në prani të mediave. Arrestimi dhe bastisjet ndaj ish-Guvernatorit ndërlidheshin me një hetim financiar për korrupsion ku dyshohej për keqpërdorim të detyrës apo pozitës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe shpërlarje të parave. Pas katër muajve sa ishte mbajtur në paraburgim, ish-Guvernatori Hashim Rexhepi ishte liruar si i pafajshëm nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë. ..

Gjashtë të vdekur në Shqipëri nga COVID-19 në 24 orët e fundit, 694 të infektuar të rinj

Gjashtë persona kanë vdekur nga COVID-19 në Shqipëri në 24 orët e fundit, ndërsa janë regjistruar edhe 694 raste të reja të infeksionit.
Shifra e të infektuarve vjen nga testimi i 2560 mostrave.
Që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë regjistruar 29.126 raste me koronavirus, ndërsa si pasojë e COVID-19 kanë vdekur 637 pacientë.
Janë shëruar 13.804, përfshirë 351 në 24 orët e fundit, ndërsa aktualisht janë 14.685 raste aktive.

MOTI
Mot i ndryshueshëm në Kosovë në pesë ditët e ardhshme
Në Kosovë në pesë ditët e ardhshme do të mbajë mot i ndryshueshëm, ndërsa në mëngjes dhe gjatë natës pritet të ketë mjegull.
Të merkuren pritet të ketë mot me diell dhe pak vranësira, ndërsa nga e marta do të ketë kushte tjera atmosferike, vranësira të dendura të përcjella me reshje shiu, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Temperaturat minimale pritet të sillen nga 0 deri në minus 1 gradë Celsius. Reshjet e shiut në viset e larta malore mund të shoqëroren edhe me fjolla të borës.
Temperaturat maksimale pritet të sillen nga 5 deri 14 gradë Celsius.
Të marten parashikohet mot pjeserisht me diell, temperaturat do të levizin nga 1 deri 9 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 9-23 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 30495. Të Shëruar: 17878. Të vdekur:849
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *