Enj. Pri 18th, 2024

NGJARJET E DITES, E MERKURE, 10.02.2021

By Rtv Arbëria Shk 10, 2021

KQZ deri më tani ka pranuar 14 mijë fletëvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar të pranojë pako të supozuara me fletëvotime, të cilat po vijnë nga jashtë vendit në kuadër të periudhës së votimit përmes postës.
“Deri më tani numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë pranuar është: 14 mijë e 625”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.
Elezi ka thënë se pranimi i këtyre pakove po bëhet me përcjelljen e Policisë së Kosovës, si dhe vëzhguesve të subjekteve politike dhe organizatave jo-qeveritare të akredituara…

Hoti e quan VV-në “shami-kuqe”: Të dielën ne do dalim fitues, qytetarët nuk duan dhunë

Kryeministri në detyrë, njëherësh kandidati i LDK-së për këtë pozitë, Avdullah Hoti gjatë ditës së sotme ishte për tubim parazgjedhor në Gjilan, ku nga aty tha se të dielën do dalin fitues, shkruan Indeksonline.
Ai tha se atë ditë qytetarët do të votojnë për demokracinë, e jo për shami-kuqtë e autokracinë që haptas duan ta zhbëjnë Republikën tonë.
Postimi i plotë:
Falemnderit Gjilan!
Jam i lumtur me pritjen e jashtëzakonshme që na bënë gjilanasit. Sa shumë entuziazëm e zell për Lidhjen tonë!
Më 14 shkurt, qytetarët e Gjilanit dhe gjithë Anamoravës do ta demonstrojnë dashurinë e tyre për shtetin e Kosovës!
Forcat e urrejtjes dhe përçarjes përnjëherë po e përmendin dashurinë, sepse po e dinë që qytetarët nuk duan dhunë e kaos, por zhvillim e stabilitet.

4 të vdekur nga Covid, 307 raste të reja dhe 221 të shëruar

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:

221 TË SHËRUAR DHE 307 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.787 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 307 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 4 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Fushë-Kosovë 1 rast (58 vjeç), Malishevë 1 rast (63 vjeç), Prizren 1 rast (63 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (58 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 63.089 raste nga 256.355 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.532 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 221 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 54.661 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.896.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 128 raste, Prizren 34 raste, Gjakovë 17 raste, Fushë-Kosovë 16 raste, Pejë 16 raste, Podujevë 16 raste, Mitrovicë 12 raste, Gjilan 9 raste, Vushtrri 9 raste, Lipjan 8 raste, Istog 6 raste, Suharekë 6 raste, Malishevë 5 raste, Rahovec 5 raste, Dragash 4 raste, Drenas 4 raste, Ferizaj 4 raste, Deçan 2 raste, Obiliq 2 raste dhe me nga një rast komunat Hani i Elezit, Kamenicë, Kaçanik dhe Skenderaj.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Haradinaj pejanëve: Ju po ia jepni Kosovës komandantin e Ushtrisë së Kosovës

Kryetari i AAK-së dhe kandidati për President, Ramush Haradinaj, ka mbajtur sot tubimin qendror në Pejë.
Para qytetarëve të Pejës, Haradinaj, që është edhe kandidati për President, ka folur edhe për synimet e tij dhe të partisë që ai drejton.
“Aleanca është parti e parë në Pejë e Gjakovë. Për Deçanin e Junikun s’po ju flas, udhëheqim edhe në Suharekë e Rahovec. Në Klinë Aleanca është parti e parë, por kemi rritje edhe në Podujevë, Malishevë, Drenas, Skenderaj, kemi rritje në Gjilan dhe në Ferizaj. Në Kamenicë e Kaçanik kemi rritje të votës, në Lipjan e Shtime”, ka theksuar Haradinaj.
“Ata që po thonë se Aleanca ka këtë rezultat e atë rezultat, unë po ju them nuk po na njihni, nuk po na merrni vesh, nuk jeni kah jetoni në Kosovë, shihemi më 14 shkurt, në rezultatin tonë”, shtoi Haradinaj.
“Jo vetëm që do të kemi rritje, e do të jemi shumë në parlament, por do të jemi edhe në qeveri po, po ashtu do të udhëheqim vendin me Presidentin e vendit. Pra, Pejë, ju po ia jepni Kosovës edhe njëherë komandantin e Forcave të Armatosura, urime”, tha Haradinaj në fjalimin e tij….

Osmani: Më 14 shkurt, do të triumfojë dashuria ndaj Kosovës

Tubimet parazgjedhore të partive politike ende janë duke vazhduar, shkruan Indeksonline.
Kandidatja për presidente nga lista e VV-së, Vjosa Osmani sot ishte në takim me qytetarët e Prizrenit dhe Klinës.
Osmani tha se për vendin kanë veç dashuri, ndërsa më 14 shkurt do të triumfojë dashuria ndaj Kosovës.
“Ne për vendin tonë kemi veç dashuri. Bashkë me qytetarë të Prizrenit e Klinës më 14 shkurt, do të triumfojë dashuria ndaj Kosovës! #krejtdhedrejt127”.

Valbon Krasniqi emërohet drejtor i SHSKUK-së

Bordi i Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), ka emëruar sot zyrtarisht Valbon Krasniqin në krye të këtij institucioni shëndetësorë.
“Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 10 shkurt 2021, në mënyrë unanime, e ka votuar Raportin e Komisionit Vlerësues, në bazë të të cilit drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së emërohet dr. Valbon Krasniqi”, thuhet në njoftim.
Krasniqi për disa muaj ka shërbyer si ushtrues detyre i drejtorit të SHKUK’së, pas largimit të Basri Sejdiut në këtë pozitë.
Ai me profesion është infektolog. .

Albin Kurti i kundërpërgjigjet Isa Mustafës për shamitë e kuqe

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk ka dhënë ndonjë përgjigje lidhur me atë se kush janë aleatët e tij për Republikën e Tretë, për të cilën kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës përmes një postimi në “Facebook” i ka kërkuar sqarime.
Kurti i pyetur për këtë deklaratë tha se nuk ka kohë që të merret me deklaratat e të tjerëve, por që sipas tij ata duhet t’i sqarojnë vet deklaratat e tyre.
“Republika e Kosovës është para një referendumi gjithëpopullor ku numri 127 është dalje nga kriza e shumëfishtë. Nuk mund të jap shpjegime për deklaratat e të tjerëve, ata duhet t’i japin vet”, tha Kurti, pas homazheve tek vendi ku janë vrarë aktivistët e VV-së, Mon Balaj e Arben Xheladini 14 vjet më parë në një protestë të organizuar kundër Pakos së Ahtisarit.
Kreu i LDK-së Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova ka shpallur pavarësinë së bashku me ShBA-në dhe partnerët evropian, ndërsa ka kërkuar nga Kurti të sqaroj se kush janë parterët e tij për Republikën e Tretë.
“Një shtet e bëmë me SHBA-të dhe me partnerët tanë evropian, të zotuar për demokracinë perëndimore. Ndërkaq, VV duhet ta qartësojë se kush janë partnerët e saj për Republikën e Tretë. Ndryshe, në qoftë se votohet vetëm me emocione, rrezikojmë të vejmë shallat e kuqe rreth qafe, të marshojmë si në Revolucionin Kulturor Kinez e të mbesim pa asnjë republikë”, ka shkruar Mustafa…

Moti
Të enjten parashikohet mot i vranet dhe me shi, temperaturat do të lëvizin nga -8 deri në 8 gradë celcius. Mot i vranet dhe me shi edhe në Tiranë,me temperatura nga 6 deri në 15 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 63089 , Të shëruar: 54661 ,të vdekur:1532
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *