Pre. Pri 19th, 2024

NGJARJET E DITËS, E PREMTË, 13.11.2020

By Rtv Arbëria Nën 13, 2020

Task-forca përplas Bajqinovcin me Hotin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, është përplasur me kryeministrin, Avdullah Hoti, lidhur me task-forcën.
Bajqinovci ka thënë se Hoti është intervistuar nga task-forca.
“Qysh ju ra në mend tash LDK-së që qenka antiligjore kur vet e kanë pas në 2010 kur ka marrë Hashim Thaçi vendim, ministrinë e Drejtësisë e ka pas LDK-ja. Ky kryeministër është intervistuar po nga kjo task-forcë me 14 mars edhe Hykmete Bajrami më 4 mars. Kam qenë në atë kohë gazetar dhe kam pa siç kanë shkuar. Kjo është tipike hakmarrje e LDK-së. Nuk po e kontestoj a ka gabime, por qysh kur filloj iniciative me iu dënu, ju u zgjuat koka antiligjore tash”, i ka thënë Bajqinovci.
Ndërkaq, Hoti ka thënë se problem duhet të jetë fakti se Bajqinovci, si deputet, ka të dhëna që ai thotë janë të sigurta.
“E sqarova në fjalën time. Ju jeni deputet dhe keni mundësi me mbikëqyr krejt procesin. Deri në kohën kur riorganizohet krejt policia, tashk-forca vazhdon punën ashtu siç ka qenë. Shqetësimi që duhet me qenë për të gjithë është fjalimi yt. Unë jam kryeministër, unë nuk kam qasje sepse s’guxoj, nuk i di këto informata. Një deputet thotë i kam të dhënat e sigurta, ky është problem. Nëse ke qasje aty, këtu është problemi dhe pse duhet me u ristrukturuar”, i tha Hoti deputetit Bajqinovci, derisa ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke i thënë se “Ke qenë në publik, në KTV më 14 mars ke qenë kur je intervistuar, prandaj mos shpif. Më 4 mars është marrë në pyetje ministrja juaj, andaj mos shpifni, të gjitha këto janë publike”..

13 të vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë, 963 raste të reja

13 persona kanë humbur betejën me COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë në raportin e së premtes. Në të njëjtën ditë janë regjistruar edhe 963 raste të reja.
Këto raste kanë dalë nga testimi i 2056 mostrave. Me këtë numri i përgjithshëm i të prekurve ka shkuar në 27851.
Rastet pozitive në 24 orët e fundit janë nga komuna Prishtinë 347 raste, Ferizaj 102 raste, Podujevë 61 raste, Gjakovë 52 raste, Gjilan 51 raste, Fushë-Kosovë 45 raste, Shtime 34 raste, Prizren 30 raste, Vushtrri 28 raste, Pejë 27 raste, Mitrovicë 24 raste, Lipjan 21 raste, Viti 20 raste, Obiliq 16 raste, Rahovec 16 raste, Kaçanik 12 raste, Suharekë 12 raste, Malishevë 10 raste, Klinë 9 raste, Deçan 8 raste, Kamenicë 8 raste, Drenas 7 raste, Istog 7 raste, Skenderaj 6 raste, Dragash 5 raste, Hani i Elezit 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë, Novobërdë dhe Shtërpcë.
Si pasojë e COVID-19, në Kosovë kanë vdekur 797 persona. 13 vdekjet e fundit janë nga Prishtina 3 raste (88, 67, 64 vjeç), Gjakova 2 raste (85, 83 vjeç), Peja 2 raste (81, 62 vjeç), Prizreni 2 raste (74, 70 vjeç), Kamenica 1 rast (90 vjeç), Podujeva 1 rast (69 vjeç), Suhareka 1 rast (60 vjeç), Vitia 1 rast (66 vjeç).
Deri tash në nivel vendi janë testuar 115 mijë e 794 persona.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 177 pacientë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 16 mijë e 862. Në vend janë 10 mijë e 191 raste aktive…..

Nga ora 18:00 , hyjnë në fuqi masat anticovid

Nga sot, në orën 18:00, janë në fuqi masat e reja të Qeverisë së Kosovës lidhur me Covid-19.
Lëvizja e qytetarëve, është e përcaktuar sipas numrit të të infektuarve në 7 ditët e fundit në 100.000 banorë dhe masat janë të marra sipas kategorizimeve me zona.
Në zonën e kuqe bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë, me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë 9 komuna si:
Komuna e Prishtinës, Fushë -Kosovës, Gjilanit, Obiliqit, Gjakovës, Shtimes, Podujevës dhe Pejës dhe Ferizaj.
Në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm me 76 deri me 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë komunat (19) në vijim:
Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Vushtrria, Leposavic, Deçan, Klinë, Drenas, Prizren, Hani i Elezit, Suhareka, Lipjani, Graçanica, Novobërda, Kamenica, Ranillugu, Parteshi, Vitia dhe Kaqaniku dhe Kllokoti.
Në zonën e gjelbërt bëjnë pjesë komunat (10) me rrezik të ulët, me 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë komunat si në vijim:
Malisheva, Mamusha, Dragashi, Shtërpca, Rahoveci, Juniku, Skenderaj, Istogu, Zubin Potoku dhe Zveçani.

MPJD: BE të zgjohet nga gjumi, dhe të mbajë Serbinë përgjegjëse për moszbatimin e marrëveshjeve të Brukselit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes një komunikate për medie ka thënë se mirëpret deklaratën e Bashkimit Europian, që edhepse me shumë vonesë, riaktualizon çështjen e mos implementimit nga ana e Serbisë, të një ndër marrëveshjeve më të rëndësishme të arritura në Dialogun e Brukselit, që është ajo për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), me të cilën Serbia e pranoi integritetin territorial të Kosovës së 17 shkurtit 2008.
“Kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet, prej kur është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e gjashtë pikë-kalimeve të përhershme kufitare të IBM-it, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Që nga ajo kohë vetëm dy objekte të përhershme janë përfunduar, ajo në Merdarë dhe në Mutivodë, ndërsa zbatimi i katër të tjerave, Jarinjë, Bërnjak, Dheu i Bardhë, dhe Muçibabë, është bllokuar nga ana e Serbisë”, thekson komunikata.
Tutje MPJD-ja thekson se presim nga ana e BE-së, që ta riaktualizojë edhe mos zbatimin nga ana e Serbisë e një pjese të konsiderushme të marrëveshjeve të Brukselit, sidomos atë për Urën e Ibrit, e cila po ashtu, përkundër faktit se është financuar dhe kryer më fondet e BE-së, vazhdon të jetë e mbyllur dhe e bllokuar për lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Bashkimi Evropian, gjithashtu duhet të shtyjë përpara shuarjen e plotë dhe të verifikueshme të të gjitha strukturave paralele të mbetura në Kosovë, të kërkojë zbatimin e marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave, atë për kadastrat, lirinë e plotë të lëvizjes, dhe të punojë intenzivisht dhe e koordinuar me SHBA-të, për arritjen e njohjes reciproke në kufijtë ekzistues mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë brenda një afati të shkurtër kohor.Ndryshe, me Serbinë si i vetmi shtet i mbetur jodemokratik në rajon dhe Evropë, me retorikë kriminale kundër NATO-s, paqes dhe stabilitetit rajonal, kundër vënies së drejtësisë për krimet e saj të luftës, kundër bashkëpunimit për kthimin e të pagjeturve, dhe kundër zgjidhjes paqësore pa luftë të çështjes së fundit të mbetur nga ish-Jugosllavia – dialogu i padefinuar, i paafat, dhe pa parime të përcaktuara është bërë i pavlerë”, përfundon komunikata….

Nuk tërhiqet Vuçiq nga deklarata për luftën, thotë se është e saktë dhe precize

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se deklarata e tij për Nagorno Karabakun, ndaj së cilës kanë reaguar ashpër një pjesë e zyrtarëve politikë të Kosovës, ka qenë “mjaft e saktë dhe precize”.
“Kam folur për nevojën që të shmangim politikën e konfliktit të ngrirë”, ka thënë Vuçiq.
“Unë thashë që konflikti në Nagorno Karabak ka qenë i ngrirë dhe më pas është shkrirë dhe se kushdo në të ardhmen mund të na çojë drejt një katastrofe dhe deri te një konflikt, gjë që nuk na nevojitet”, u ka thënë Vuçiq gazetarëve në Batajnicë, një vendbanim në Beograd, ku më herët sot ai mori pjesë në vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e një terminali ndërmodal, një nyje e transportit rrugor – hekurudhor, në bashkëpunim me BE.
“Me këtë kam shprehur dëshirën që të krijojmë paqen dhe të bëjmë zgjidhjen me kompromis. Për çdokënd kjo ishte e qartë”, tha Vuçiq dhe shtoi që “Kosova i ka arsyet e veta dhe përplasjet e brendshme”.
“Për mua është e rëndësishme që të ruajmë paqen. Kjo është politika e Serbisë dhe kjo do të mbetet politika e Serbisë”, theksoi Vuçiq.

A do t’i mbyllin përsëri kufijtë, flasin nga Qeveria e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Situata epidemiologjike në vend ka ditë që e ka marrë teposhtzën. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 13 raste të vdekjeve dhe 963 raste të reja me koronavirus. Situatë e rënduar është edhe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut. Por, a do të ndikojë rritja e këtyre rasteve që këto shtete t’i mbyllin kufijtë sërish?
Njoftimi i fundit nga MSH: Nga ora 18:00 hyjnë në fuqi masat e reja anti Covid-19
Rastet pozitive me koronavirus janë rritur dukshëm gjatë javëve të fundit.
Një prej arsyeve që ka ndikuar në shtimin e këtyre rasteve është edhe heqja e Kosovës nga lista e vendeve me rrezik të lartë dhe ardhja masive e mërgimtarëve.
“Për më tepër, në rritjen e rasteve si duket ka ndikuar edhe heqja e Kosovës nga lista e vendeve me rrezik të lartë dhe ardhja masive e bashkë-atdhetarëve këtyre ditëve në Kosovë, nga vendet evropiane që këtyre ditëve po shënojnë gjithashtu ngritje të madhe të rasteve me Covid-19”, kishte deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, menjëherë pas rritjes së shifrave të të prekurve.
Madje, menjëherë ishte vendosur si kusht posedimi i një testi PCR-Negativ jo më i vjetër se 72 orë për shtetasit e vendeve me rrezik të lartë infektimi. Por, a ka gjasa që të mbyllen sërish kufijtë për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundje?
Në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës deklarojnë se s’ka ndonjë vendim për mbyllje të kufijve.
Por, thonë se nëse ndërmirret një masë e tillë, do të publikohet paraprakisht që të njoftohen qytetarët.
“Nuk ka ndonje vendim rreth mbylljes se kufijve. Çfarëdo mase që ndërmirret në varësi të situatës, publikohet paraprakisht me qëllim që qytetarët të njoftohen me kohë”, kanë deklaruar nga MSH’ja për Express.
Me situatë të rënduar po përballet edhe Shqipëria. Por, as në këtë shtet duket se nuk po e shohin mbylljen e kufijve si zgjidhje.
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Gelardina Prodani, i ka thënë Gazetës Express se po e ndjekin me vëmendje ecurinë e pandemisë në të gjitha vendet dhe se po marrin masa varësisht nga situata epidemiologjike.
Bazuar në këtë situatë, Prodani thotë se ende nuk është diskutuar një kufizim i tillë.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve ndjek me vëmendje ecurinë e pandemisë në vend dhe të gjitha vendet e botës. Të gjitha masat e marra janë në përputhje me dinamikën e situatës epidemiologjike si dhe faktorëve që e ngadalësojnë përhapjen e virusit. Për sa më sipër, parasysh ecurinë e situatës në vend nuk është diskutuar ende kufizimi i mundshëm për mbylljen e kufijve”, thuhet në përgjigjet e Prodanit për Express.
Gjendje e rënduar është edhe në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, as atje mbyllja e kufijve nuk është folur si opsion.
Zëvëndësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani i ka thënë Gazetës Express se deri tash në Maqedoninë e Veriut nuk është diskutuar për mbyllje.
Por, thotë se të hënën do të mblidhet komisioni dhe mbetet të shihet nëse do të përmendet apo vendoset për një opsion të tillë.
“Nuk është diskutuar për mbyllje deri tani. Të hënën kemi komision, do e shohim dhe do vendosim”, ka thënë Hasani për Express.
Ndryshe, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Kosovës i janë shtuar 963 raste të reja me COVID-19.
Me këto raste, numri i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 27 mijë e 851, me gjithsej 798 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Aktualisht në gjithë vendin janë 10 mijë e 191 raste aktive me sëmundje.
“Numri total i rasteve pozitive është 27.851 raste nga 115.794 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 798 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 177 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 16.862 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.191”, thuhet në raportin e IKSHP’s.

MOTI

Të shtunen parashikohet mot i pjeserisht me diell, temperaturat do të levizin nga -2 deri 12 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 9-20 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 27851.Të Shëruar: 16862. Të vdekur:797
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *