Osmani takohet me shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu priti sot në takim njoftues shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë, ambasadoren Heleni Vakali.

Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores Vakali dhe i përcolli gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve nëpërmjet shtimit të bashkëpunimit ekonomik, në sektorin e energjisë, turizmit dhe investimeve.

Në këtë frymë, Presidentja Osmani vlerësoi ngritjen e raporteve në mes të Kosovës dhe Greqisë, duke theksuar se institucionet tona janë të përkushtuara t’i zgjerojnë dhe intensifikojnë raportet në të gjitha fushat, përfshirë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimin në procesin e integrimit në strukturat euro-atlantike si prioritet kyç i Republikës së Kosovës.

Në takim u diskutua edhe për situatën politike dhe të sigurisë në kontinentin evropian, me ç’rast Presidentja ripotencoi përkushtimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet, duke u thirrur në nevojën që demokracitë të qëndrojnë të bashkuara kundër tendencave destabilizuese edhe në rajonin tonë.

Presidentja Osmani dhe ambasadorja Vakali u dakorduan për shtimin e bashkëpunimit dhe komunikimit ndërinstitucional në fushat e interesit të dyanshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Komente Së Fundi