Enj. Dhj 5th, 2024

Osmani ua prezanton planin 9-pikësh Komitetit të Ministrave të KiE-së për de-eskalim të situatës në veri

Kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani, ka mbajtur fjalim të enjten në Strasburg para Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku ka prezantuar planin 9-pikësh për de-eskalim të situatës në Veri të Kosovës.

“Në atë drejtim është edhe plani 9-pikësh për deeskalimin e tensioneve të fundit në Kosovë, i cili do të sigurojë normalizimin e mëtutjeshëm”, tha Osmani, duke potencuar se Kryesimi në radhë të parë i vë njerëzit dhe përmirësimin e jetës së tyre të përditshme”, tha Osmani.

Në gjysmë të kryesimit me OSBE-së, Osmani po ashtu prezantoi aktivitetet e deritanishme në cilësinë e kryesuesit, duke i përmendur vizitat në Ukrainë, Moldavi, Kaukazin e Jugut, si dhe në Serbi dhe Kosovë, duke theksuar punën e vazhdueshme të OSBE-së në këto rajone kyçe për Organizatën.

“Jetojmë në një periudhë të kthimit demokratik dhe sfidave të sigurisë për shkak të agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, i cili ka shkelur parimet mbi të cilat janë themeluar organizatat tona. Prandaj, prioritet i kryesimit tonë është që të sigurojë mbështetje thelbësore për Ukrainën dhe popullin e saj. Pasi të rivendoset paqja dhe Rusia të tërheqë forcat e saj nga territori sovran i Ukrainës, OSBE-ja do t’i vë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saj për rimëkëmbjen pas luftës”, shtoi ai.

Krahas planit për Ukrainën, Osmani iu referua edhe konflikteve të tjera afatgjata dhe destabilitetit në rajonin e OSBE-së, për të cilat si Kryesues prezantoi udhërrëfyes për zgjidhje graduale që do të çojë në stabilitet dhe paqe afatgjatë.

Siç tha Osmani, OSBE-ja është e përfshirë në një gamë të gjerë fushash të rëndësishme për njerëzit dhe kapacitetet e saj për rajonin e Evropës Juglindore i ka fokusuar në pajtimin, luftën kundër korrupsionit dhe ndryshimet klimatike.

“Përkundër sfidave me të cilat përballet organizata, ajo do të mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj prioriteteve të saj, potencoi ai.

“OSBE funksionale dhe fleksibile që do të ndihmojë në ripërtëritjen e paqes dhe sigurisë dhe parandalimin e konflikteve të ardhshme në rajonin e OSBE-së. Promovim të sigurisë së njerëzve përmes mbështetjes së rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe bashkëpunimit ekologjik dhe promovimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të së drejtës si parakushte për siguri të gjithanshme”, theksoi Osmani.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *