Sht. Tet 12th, 2024

Parregullsitë në pranimin e stafit akademik në UP, reagon ministrja Nagavci

Parregullsitë në pranimin e stafit akademik në UP, reagon ministrja Nagavci
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar në lidhje me ankesat nga disa kandidatë në konkurset e hapura në Universitetin e Prishtinës.

Nagavci ka thënë se i kanë pranuar me shqetësim këto ankesa dhe se MAShTI është në pritje të reflektimit dhe trajtimit nga mekanizmat adekuat brenda institucional të UP-së.

“Kohët e fundit kemi pranuar me shqetësim një numër ankesash dhe adresimesh në forma të ndryshme të pretendimeve për shkelje procedurale dhe përmbajtësore, nga kandidatët e konkursit për staf akademik në Universitetin e Prishtinës.
Duke respektuar në plotni pavarësinë institucionale të UP-së, kemi kërkuar që këto pretendime të trajtohem me profesionalizëm dhe paanshmëri nga mekanizmat e brendshëm të Universitetit.
Pa u ndalur në detaje dhe raste specifike, i marrim me shqetësim pretendimet e kandidatëve me kredenciale të larta akademike dhe profesionale, me numër të madh të publikimeve në revista të indeksuara ndërkombëtare, numër të madh të citimeve dhe me “H-faktor” shumë të lartë, e të cilët rezulton se nuk janë përzgjedhur nga strukturat e brendshme të UP-së në konkursin e fundit. Presim që këto raste të trajtohen me kujdes, në mënyrë meritore dhe me transparencë të plotë nga organet e UP-së, dhe të adresohen nga komisione të kualifikuara, me kredenciale akademike dhe kredibilitet për të trajtuar ankesat e parashtruara.
MAShTI është në pritje të reflektimit dhe trajtimit nga mekanizmat adekuat brenda institucional të cilët do të trajtojnë këto ankesa me seriozitet dhe profesionalizëm të lartë, duke u bazuar në legjislacionin në fuqi dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare. Bashkëpunimi ministri-universitet është i lidhur ngushtë me zbatimin e akteve ligjore dhe rregullativave të brendshme, prandaj edhe reflektimi mbi këto ankesa mbetet i domosdoshëm.
Në drejtim të përmirësimit të praktikave të instaluara, besojmë se me Statutin e ri të Universitetit të Prishtinës do të rregullohet sistemi i rekrutimit të stafit në bazë të meritokracisë, do të hapet për kuadro elitare, do të ndalohen praktikat e nepotizmit dhe do hapen mundësitë për angazhim pa pengesa të stafit akademik nga mërgata jonë.
MAShTI inkurajon të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës që të hapen, duke mundësuar kështu rekrutim të jashtëm të personave të kualifikuar dhe të cilët janë të interesuar të kontribuojnë në sistemin e arsimit të lartë. Rekrutimi i stafit akademik bazuar në meritokraci mundëson garë të brendshme, rritë numrin e publikimeve shkencore dhe cilësinë e mësimnxënies, duke garantuar kështu arritje të rezultateve të të nxënit dhe avancim të performancës së institucioneve” thuhet në reagimin e ministres Nagavci.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *