Përfundon seanca e Kuvendit ku po diskutohet për energjinë, vazhdon nesër në ora 11:00

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës në të cilin u debatua mbi gjendjen energjetike në vend, do të vazhdojë nesër në orën 11:00.

Propozuesi i debatit parlamentar, deputeti i AAK-së Ramush Haradinaj ka shprehur qëndrimet dhe masat e nevojshme që qeveria duhet t’i aplikojë për dalje nga kriza aktuale energjetike me të cilën po përballet vendi.

Ai ka kërkuar që të bëhet një kosto e çmimit të importit të energjisë elektrike deri në kalimin e krizës dhe njëherësh të nisë faturimi i energjisë elektrike në veri.

Haradinaj: S’kam mocion sepse e shoh se s’do të kuptohem nga Qeveria

“Nuk kam mocion sepse e shoh se s’do të kuptohem drejt sidomos nga qeveria dhe ata që marrin vendime. Këtë debat kur e kemi ftuar, nuk e kemi bërë për vete, por e kemi problemin serioz – kemi familje në terr, dhe ftesën për këtë debat para dy jave ka qenë ta bëjmë një alarm për qeverinë se do të jetë një problem me të cilin do të përballemi… Nëse sasia e rrymës nuk mjafton, duhet të angazhohemi që të sigurojmë sasinë që na mungon. Ta bëni një para-llogari të kostos së importit deri në kalimin e krizës dhe të sigurojmë buxhet dhe të garantojmë të kenë likuiditet… Është rrezik ta qesim dilemën a ta rritim çmimin apo reduktimet. Bëni llogari se kaq na kushton deri në prill dhe të mos e lëmë popullin në terr. S’kemi kah t’ia mbajmë se s’guxojmë t’i lëmë njerëzit në terr. Filloni ta shtrini autoritetin në veri dhe t’i jepni një datë të caktuar dhe të filloni t’ua çoni faturat atyre njerëzve dhe e keni kohën më të mirë të mundshme duke u bazuar në këtë krizë”, tha Haradinaj.

Me propozim të kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca seanca plenare do të vazhdojë nesër në orën 11:00, ku pritet të votohen edhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Komente Së Fundi