Sht. Tet 5th, 2024

Pjesëtari i Ushtrisë serbe dëshmoi kundër krerëve të UÇK-së, ja se çfarë tha ai sot në Hagë

Sot para Gjykatës Speciale në Hagë dëshminë e tij e dha Dragan Ivanisheviq. Ivanisheviq është dëshmitari i 34 me radhë që dëshmon kundër krerëve të UÇK-së në Hagë. Para trupit gjykues ai pretendoi se bashkë me një serb tjetër janë rrëmbyer, por që ia dolën të arratisen. Ky dëshmitar, ka qenë edhe pjesë e Ushtrisë së Serbisë gjatë luftës.

Më 9 shkurt të vitit 1999, Dragan Ivanisheviq, thotë të jetë rrëmbyer nga disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bashkë me të ishte edhe serbi tjetër, Velko Markoviq. Ky i fundit që edhe sot figuron si i zhdukur.

Megjithatë, gjatë marrjes në pyetje nga avokatët, dëshmitari e konfirmoi se ka qenë ushtar i Serbisë në kohën e luftës në Kosovë.

Ai ka thënë se në kohën kur ka filluar lufta ka qenë i mobilizuar në ushtri si dhe ka shërbyer në njësitin “Mbrojtja territoriale”, në Vushtrri.

“Në ‘99 u mobilizova, u mobilizova sigurisht kur filloi lufta. Që prej 25 marsit të vitit (1999) deri më 14 qershor 1999. Ishte njësiti i Mbrojtjes territorialenë Vushtrri”, tha Ivanisheviq.

“Kam qenë në këtë zonë. Ndonjëherë shkonim të ofronim ndihmë në vendet e tjera. Unë isha gjatë gjithë kohës në Vushtrri, por isha edhe në fshatrat rreth e rrotull. Kam qenë në fshatin tim. Kam qenë edhe në disa vende, në vende që na dërgonin për ndihmë”, tha dëshmitari Dragan Ivanisheviq.

Çuditërisht ai deklaroi se nuk është në dijeni të masakrave në Vushtrri që janë kryer nga Ushtria e Serbisë. Krejt kjo në kuadër të pyetjeve që ia bëri avokati i Thaçit, Luka Misetiq.

“Jo është herë e parë që e dëgjoj këtë. Është hera e parë që dëgjoj për këta 1 mijë persona”, tha dëshmitari.

“Jo. Kam dëgjuar që janë vrarë civil dhe datën nuk e di dhe nuk e di sa persona. Kam dëgjuar që ka ndodhur vrasje individuale”, tha dëshmitari.

Dëshmitari ka treguar për momentet kur kishte arritur të arratiset nga vetura në të cilën pretendon se ka qenë i rrëmbyer.

“Kërceva nga bagazhi, rash në këmbë dhe fillova të largohesha larg makinës. I dëgjova të thoshin ndalo, hapën dyert, mund të isha rreth 30 metra larg. Qëlluan njëherë me armë, unë rrëshqita dhe rash dhe u ngrita vrapova. Dëgjoja hapa e kuptoja që dikush po me ndiqte dhe kur me pa serish, serish qëlloi me armë unë serish rash… vendosa t’i bija rreth e rrotull venit”, tha dëshmitari Ivanisheviq.

Nga Fushë Kosova, dëshmitari thotë se duke ikur kishte arritur në Vushtrri.

Në seancën e sotme, u lexua një përmbledhje për historinë e dëshmitarit.

“Dëshmitarit Dragan Ivanisheviq po vinte nga Prishtina me makinë në mbrëmjen e 9 shkurtit 1999 kur e rrëmbyen disa burra të armatosur me uniformë të UÇK-së. Brenda një ore apo diçka e tillë, UÇK-ja e transportoi dëshmitarin nga një vend në tjetrin me një “Lada” të bardhë. Rrëmbimi i dëshmitarit përkoi me rrëmbimin nga UÇK-ja të Velko Markoviq. Dëshmitari e pa Markoviqin atë ditë disa herë dhe kur i mbajtën bashkë mbrapa një makine “Lada”, duke i çuar nga një vend tek tjetri”, tha prokurori.

“Gjatë kësaj kohe, Markoviq i tha dëshmitarit ndër të tjerash se ishte polic, por se do t’iu thoshte kidnapuesve se do të punonte në hekurudhë. Z. Markoviq dhe dëshmitari arritën që ta hapin bagazhin dhe dëshmitari iku, ndërsa Markoviq vazhdoi të ishte i ndaluar nga UÇK-ja”, tha ai.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *