Mar. Pri 16th, 2024

Presidentja vazhdon takimet në Bullgari, pritet nga kryeministri i Bullgarisë

By Rtv Arbëria Nën 30, 2022

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e parë të vizitës në Bullgari është pritur në takim nga kryeministri në detyrë i Bullgarisë, Galab Donev.

Në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, mundësitë për thellimin e tyre dhe situatën aktuale në Kosovë, rajon e më gjerë.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova pret mbështetjen bullgare në rrugën euroatlantike të saj, duke potencuar se në këtë aspekt mund të përfitojë nga përvoja e këtij shteti.

Të dy bashkëbiseduesit janë ndalë te çështja e sigurisë energjetike, derisa edhe kryeministri në detyrë Donev, sikurse presidenti Radev ka shfaqur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën me furnizim me energji elektrike. Palët konfirmuan se për këtë çështje do të ketë takim ndërshtetëror të ministrive të linjës përkatëse.

Në takim me kryeministrin në detyrë, Donev, Presidentja ka marrë mbështetjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare, teksa i ka bërë të ditur atij se Kosova synon që brenda këtij vitit të aplikojë edhe për anëtarësim në BE.

Presidentja Osmani e ka cilësuar Bullgarinë një partner të rëndësishëm në këtë aspekt, ndaj ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes për Kosovës në procesin e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.

Kurse në raport me zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës.

Sipas Presidentes Osmani dialogu me Serbinë duhet të jetë i fokusuar me njohje të ndërsjellë në qendër, ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës.

Më tej, Presidentja Osmani, ka potencuar se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në fushën e reformave në drejtësi dhe zbatimin e sundimit të rendit e ligjit.

Të dy palët janë dakorduar për bashkëpunim në fushën e politikës së jashtme, ekonomisë, arsimit dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *