Mër. Pri 24th, 2024

Qeveria arsyeton vendimin: Prodhimi i një kriptovalute konsumon energji sa afro 19 shtëpi kosovare mesatare në vit

By Rtv Arbëria Jan 6, 2022

Qeveria e Kosovës për Indeksonline është deklaruar rreth vendimit për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në vend. Në një përgjigje ata thonë se vendimi është marrë duke u bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.

Tutje, ata tregojnë se në rritjen e konsiderueshme të konsumit të energjisë elektrike besohet të ketë ndikuar prodhimi i kriptovalutave në vend.

Sa për ilustrim, nga Qeveria e Kosovës bëjnë të ditur se prodhimi i një kriptovalute konsumon energji sa afro 19 shtëpi kosovare mesatare në vit.

“Në vitin 2021 është rritur konsiderueshëm konsumi i energjisë elektrike. Një ndër faktorët e rritjes së konsumit besohet të jetë prodhimi i kriptovalutave në vend, me theks të veçantë në veri të vendit, ku për shkak të mospagesës së energjisë elektrike, prodhimi i kriptovalutave konsiderohet të jetë më i larti në vend.

Prodhimi i kriptovalutave shpenzon sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike. Sa për ilustrim, prodhimi i një kriptovalute, duke marrë parasysh shifra konzervative, konsumon energji sa afro 19 shtëpi kosovare mesatare në vit.

Kjo pa marrë në konsideratë edhe faktorët e pajisjeve më të specializuara të cilat përpunojnë të dhënat më shpejtë dhe rrjedhimisht konsumojnë më shumë energji, hapësirat e mëdha dhe pajisjet për t’i ftohur pajisjet të cilat punojnë gjatë gjithë kohës etj.

I gjithë ky proces shpenzon energji elektrike enorme, importi i të cilës aktualisht është duke u subvencionuar pjesërisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.

Për më shumë, nga Qeveria e Kosovës thonë se, kjo veprimtari nuk shpie tek punësimi i fuqisë punëtore, si dhe prodhuesit e kriptovalutave nuk paguajnë taksa për këtë aktivitet në Republikën e Kosovës, pasi kjo veprimtari nuk është e rregulluar me ligj.

“Rrjedhimisht, Komiteti Teknik duke marrë parasysh faktet e lartëcekura dhe situatën vendore të shkaktuar nga kriza botërore energjetike, i ka rekomanduar Ministres së Ekonomisë të marrë vendim për ndërprerje të aktivitetit në fjalë.

Pas rekomandimeve të Komitetit Teknik, Ministrja Rizvanolli ka marrë vendim për masa emergjente për t’u përballur me krizën e energjisë ku ndalohet prodhimi i kriptovalutave në vend.

Identifikimi i lokacioneve të prodhimit si dhe ndërprerja e këtyre aktiviteteve do të bëhet nga ana e organeve të rendit dhe të drejtësisë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante të sektorit të energjisë”.

Vendimi për masa emergjente për t’u përballur me krizën e energjisë mbetet në fuqi deri në marrje të vendimit të ardhshëm, bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik kur vlerësohet që situata energjetike është stabilizuar, i cili shfuqizon paraprakun.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *