Rritet numri i pacientëve me COVID-19 që po trajtohen në spitalet e Kosovës

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK) tha të dielën se 325 pacientë po trajtohen në klinikat për COVID-19 dhe spitalet e përgjithshme dhe 256 prej tyre janë pozitivë me koronavirus.

Kjo paraqet një rritje të numrit të pacientëve të hospitalizuar, krahasuar me një ditë më parë, ku ishin të shtrirë 272 pacientë, 196 prej tyre, pozitivë me COVID-19.

SHSKUK-ja tha më 15 gusht se 11 pacientë janë në gjendje të rënduar, ndërkaq 242 po trajtohen me oksigjeno-terapi.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Klinika Infektive ka më së shumti pacientë, përkatësisht 86, pasuar nga ajo e Pulmologjisë ku po trajtohen 39 pacientë.

Në spitalet e përgjithshme po trajtohen 164 pacientë me COVID-19, ku 59 prej tyre janë të shtrirë në spitalin Gjakovës, 36 në atë të Gjilanit, 35 në atë të Prizrenit dhe pjesa tjetër në spitalet e tjera të përgjithshme në Pejë, Mitrovicë, Vushtrri dhe Ferizaj.

Të shtunën, në Kosovë u regjistruan një viktimë dhe 1.370 raste të reja me koronavirus.

Që prej marsit të vitit 2020, deri më 14 gusht, Kosova ka regjistruar 115.151, ndërsa 2.280 raste kanë përfunduar me fatalitet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Komente Së Fundi