Enj. Dhj 5th, 2024

Shoqata e Prokurorëve i quan “shpifje” deklaratat e Hekuran Muratit

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Financave Hekuran Murati, për prokurorin Milot Krasniqi.

Kjo Shoqatë thotë se ministri ka përdorur gjuhë linçuese ndaj prokurorit Krasniqi.

“Sot në mesdite në rrjetin e tij social (i publikuar në portale) ministri Hekuran Murati ka bërë një postim duke përdorur gjuhë linçuese dhe shpifëse ndaj institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe në veçanti ndaj Prokurorit të Shtetit Milot Krasniqi duke e cilësuar se gjoja prokurori i rastit nuk ka bërë asnjë hap lidhur me rastin që ministri Murati e përmend në postimin e tij”, thuhet në reagim.

Shoqata e Prokurorëve e ka dënuar “gjuhën linçuese dhe stigmatizuese” të përdorur nga ministri Hekuran Murati dhe thekson se “format e tilla të përdorimit të gjuhës nënçmuese, stigmatizuese dhe mbi të gjitha shpifëse janë të papranueshme dhe të drejtuara jo vetëm ndaj dëmtimit të integritetit të prokurorit Krasniqi por edhe ndaj autoritetit tërësor të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”.

“Ne si Shoqatë e Prokurorëve të Republikës së Kosovës jemi thellësisht të shqetësuar dhe njëherit për të satën herë ju bëjmë thirrje të gjithë akterëve me peshë në jetën politike, ekonomike, sociale të përmbahen nga përdorimi i gjuhës ofenduese, nënçmuese, denigruese dhe shpifëse ndaj secilit prokuror”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.

Murati, në shkrimin e tij në “Facebook”, ka hedhur akuza ndaj prokurorit Milot Krasniqi, i cili ishte caktuar për rastin e kallëzimit penal ndaj ish-ministrit Vesel Krasniqi. Murati thotë se Prokuroria Speciale po shpreson se do të kthehet ish-pushteti, të cilin ai e quan “kastë e vjetër kriminale”.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *