Taulant Kryeziu shpjegon procedurat që duhet ndjekur deri të liberalizimi i vizave

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian i kanë dhënë dritën e gjelbër Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Sipas këtij vendimi, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS, por në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi do të hyjë në fuqi jo më vonë së 1 janari i vitit 2024.

Por, cilat janë procedurat e ardhshme që duhet ndjekur që të materializohet ky vendim.

Ish deputeti dhe ish zv/ministri i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu ka folur për votimin e sotëm dhe hapat që duhet ndjekur deri në përfundim të këtij procesi.

Ai është shprehur optimist duke u bazuar në atë që është votuar sot.

“Pra janë dy elemente; hyrja në fuqi si datë e fundit 1 janari 2024, por mund të jetë më herët, nëse funksionalizohet sistemi ETIAS. Për t’u funksionalizuar ky proces duhet të zbatohet procedura e zakonshme legjislative që kërkon në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe pastaj kalon votimi në Këshill të BE-së, më atë që quhet shumicë e dyfishtë, që i bie duhet të votojnë 55% të vendeve anëtare që përfaqësojnë 65% të popullsisë së Bashkimit Evropian”, ka thënë Kryeziu për Indeksonline.

I pyetur se cilat janë obligimet e Kosovës gjatë kësaj kohe, Kryeziu ka thënë se Kosova duhet të miratojë marrëveshje ripranimi dhe të harmonizojë regjimin e saj të vizave me BE-në.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti e ka mirëpritur vendimin e ambasadorëve të Bashkimit Evropian

“Mirëpresim vendimin e rëndësishëm por edhe të vonuar të shteteve anëtare të BE-së për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky vendim është njohje dhe konfirmim i përkushtimit tonë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrollit kufitar dhe menaxhimin e migrimit”, ka shkruar ndër të tjera Kurti

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Komente Së Fundi