VOA: Më shumë se gjysma e komunave në balotazh në zgjedhjet e para si provë për qeverisjen Kurti

Në Kosovë po vazhdon numërimi i votave të hedhura në zgjedhjet e së dielës pëer pushtetin komunal, por sipas rezultateve paraprake 21 nga 38 komunat e vendit shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve, meqë asnjëri nga kandidatët nuk ka siguruar votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në raundin e parë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se 42.5 për qind e rreth 1 milion e 890 mijë votuesve të regjistruar hodhën votën. Zyrtarët e këtij komisioni thanë se nuk ka pasur vështirësi në rrjedhën e procesit.

Zgjedhjet për pushtetin lokal u mbajtën tetë muaj pas atyre të përgjithshme ku lëvizja Vetëvendosje doli fituese me mbi 50 për qind të votave. Prandaj, zgjedhjet e së dielës shihen si një provë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe lëvizjen e tij.

Kryeministri Kurti tha në një konferencë me gazetarë se është i kënaqur me rezultatet sipas të cilave, tha ai, lëvizja Vetëvendosje doli e para.

“Tani që jemi të parët edhe në nivel komunal edhe në nivel parlamentar në Republikën e Kosovës, padyshim që kjo na bën më të kënaqur sepse kurrë nuk kemi qenë më të fortë, kurrë nuk kemi qenë më të fuqishëm. Në balotazh synojmë të fitojmë kudo që jemi në balotazh dhe prandaj po them që kandidatët e Vetëvendosjes do të angazhohen për ditë, për çdo votë”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti që në raundin e parë të fitojë ndonjë komunë por doli e para në disa nga qytetet kryesore të vendit, në Prishtinë, Prizren e Gjilan ndërsa është në garë edhe në komunën e Gjakovës dhe disa të tjera. Vëzhguesit në Kosovë i shohin rezultatet e lëvizjes Vetëvendosje si të dobëta kundrejt rezultateve në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit.

Zoti Kurti tha se nuk mund të bëhet krahasimi i zgjedhjeve lokale me ato të përgjithshme.

“Sa i përket zgjedhjeve të 14 shkurtit, unë nuk besoj se mund t’i krahasojmë me zgjedhjet e 17 tetorit, sepse ju e dini shumë mirë se në atë listën e përbashkët, në krye të listës kanë qenë tre njerëz që sot drejtojnë tri institucione. Nuk mund të krahasohen listat nëpër komuna me atë listë. Ajo listë është e pashembullt, jo vetëm në Kosovën e pasluftës. Me atë listë ku presidentja, kryeparlamnetari dhe unë jemi në krye, nuk ka kësi liste më edhe ku me ditë sa vjet e dekada, prandaj nuk mund ta krahasojmë këto lista dhe problemet lokale janë të natyrës së tjetër prej atyre nacionale”, tha ai.

Në zgjedhjet e së dielës rezultate pozitive arritën edhe partitë opozitare në Kosovë.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila mbrëmë e shpalli vetën fituese të këtyre zgjedhjeve, tashmë do të qeverisë në komunën e Ferizajt, Mitrovicës së Jugut, Skenderajt dhe Hanitë të Elezit, ndërsa pritet të garojë për raundin e dytë në disa komuna tjera.

Udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës i cilësuan rezultatet e mbrëmshme si rikthim i kësaj partie pas rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit.

Ky subjekt ka fituar dy komuna, atë të Pejës dhe Lipjanit, ndërsa pritet të marrë pjesë në balotazh në shumicën e komunave që ende nuk e kanë zgjedhur kryetarin e ri.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar tashmë dy komuna atë të Deçanit dhe Suharekës ndërsa do të konkurrojë edhe në disa të tjera që shtrihen në rrafshin e Dukagjinit.

Sipas rezultateve paraprake, lista Serbe, subjekti kryesor i serbëve në Kosovë ka fituar nëntë nga dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe.

Konkurrenca më e fortë në raundin e dytë pritet në komunat e mëdha të vendit posaçërisht në kryeqytet ku Lëvizja Vetëvendosje do të përballet në raundin e dytë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Në zgjedhjet e së dielës është vendosur edhe për deputetët e kuvendeve komunale.

Mbi 25 mijë vëzhgues të vendit por edhe ndërkombëtarë ndoqën procesin. Rreth 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian qenë shpërndarë gjithandej Kosovës.

Rreth 100 prokurorë e gjykatës të Kosovës ishin përshirë në ditën e zgjedhjeve për të siguruar veprimet ligjore ndaj çdo përpjekjeje për keqpërdorimin e votës, ndërsa policia e Kosovës u kujdes për të siguruar një proces të qetë.

Prokuroria e Shtetit bëri të ditur se ka ndaluar 13 persona për veprat penale “cenim të përcaktimit të lirë të votuesve, pengim të procesit të votimit, dhënie apo marrje të ryshfetit, cenim të fshehtësisë së votimit dhe falsifikim i rezultateve të zgjedhjeve”./VOA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Komente Së Fundi