Die. Pri 28th, 2024

Kush e sulmoi Valdete Dakën sot në KQZ edhe pas shkarkimit?

By Rtv Arbëria Qer 19, 2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka mbajtur mbledhjen e radhës ku janë diskutuar disa pika. Përfaqësuesi i LVV-së, Sami Kurteshi, sërish ka sulmuar ish-kryetaren Valdete Daka, duke thënë se nuk e mbajti asnjë mbledhje të Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë.

Këto deklarata ai i bëri në fund të mbledhjes, ndërsa nga anëtarët e tjerë u akuzua se e ka personale deklaratën për Dakën.

“Sa për informim, ne e kemi pasë Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, asnjë mbledhje nuk e ka thirrë zonja Daka, asnjë mbledhje. Ka pasë arsyetime pandemia e anej, ka qenë e zënë. Prandaj, unë mendoj…unë jam duke folë për pikën katër të rendit të ditës, nuk e thash asnjë fjalë personale për livadhin e babës tem”, ka thënë ai.

Vlen të përmendet se gjatë kohës sa Daka kryesonte KQZ-në ka pasur përplasje të vazhdueshme me Sami Kurteshin, ku ky i fundit e ka akuzuar disa herë se është “koka e krimit”.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme të KQZ-së është marrë vendim për shumën që partitë politike kanë të drejtë ta shpenzojnë në fushatën e zgjedhjeve lokale, që është 950 mijë e 633 euro e 40 cent.

Veç kësaj, KQZ vendosi ta dënojë Nismën Socialdemokrate me një gjobë prej 350 euro, pasi e ka dorëzuar dokumentacionin për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor 20 ditë me vonesë.

Mbledhja e radhës e KQZ-së pritet që të mbahet të mërkurën e javës së ardhshme.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *