Mbi 50 mijë qytetarë të Kosovës nga e hëna do të mund të pajisen me dokumente të udhëtimit. Nga muaji shtator i vitit të kaluar rreth 50 mijë qytetarë janë përballur me probleme të shumta për plane të udhëtimit , për shkak se Agjencia për Regjistrimin Civil nuk ka lëshuar pasaporta , përveç rasteve urgjente. Arsye për këtë sipas drejtorit të ARC-së, Blerim Camaj ka qenë mungesa e materialit me të cilin prodhohen pasaportat. Ai ka thënë se nga e hëna qytetarët që janë në pritje nga muaji shtator të vitit të kaluar do të mund të pajisen me pasaporta, pasi sipas tij fillon edhe prodhimi i pasaportave për qytetarët që janë në pritje.
Ai po ashtu ka shtuar se nga muaji mars i këtij viti do të ketë materiale të mjaftueshme për prodhim të pasaportave dhe se gjendja i kthehet normalitetit. Camaj thotë se deri në muajin prill të vitit 2024 do të ketë furnizim të rregull ku shpreson që më nuk do të ketë më kriza të tilla.
Ministria e Punëve të Brendshme nëse nuk bënë marrëveshje afatgjate me kompaninë për furnizim të materialeve, mund të përballet me situata e njëjtë.
Por Camaj, premton që do të marrin masa që mos të vijnë në kriza të tilla.