Die. Pri 28th, 2024

NGJARJET E DITES, E SHTUNE 19.12.2020

By Rtv Arbëria Dhj 19, 2020

Komuna e Prishtinës me urdhëresë: Ndalohet përdorimi i mjeteve piroteknike deri më 3 janar

Komuna e Prishtinës ka lëshuar urdhëresë për ndalimin e mjete piroteknike.
Lajmin e ka bërë të ditur vet Shpend Ahmeti, përmes një njoftimi në “Facebook”.
“Ndalohet përdorimi i mjeteve piroteknike Si çdo vit, nënshkruam urdhëresën për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në vende të hapura publike, gjegjësisht në sheshe, rrugë e tregje. Kushdo që vepron kundër kësaj urdhërese, gjobitet në shumën prej 100 eurosh. Për zbatimin e Urdhëresës, e cila do të jetë në fuqi deri më 3 janar 2021, do të kujdeset Drejtoria e Inspekcionit”, ka shkruar ai në një postim në Facebook. ..

Zemaj: Nëse rritet disiplina mund të zbuten masat

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se vaksinat antiCOVID do të arrijnë në fillim të vitit 2021
Zemaj tha se nëse lëvizjet e qytetarëve do të jenë të reduktuara mund të ketë edhe lirim të masave në aspektin kohor të lëvizjes, por nëse ndodh e kundërta, shtrëngohen masat.
“Nëse disiplina rritët, rritët përkushtimi dhe e shohim që lëvizjet janë të reduktuara, atëherë në mund të ecim tutje edhe më lirimin e aspektit kohorë të lëvizjes. Nëse e shohim që kufizimi është i detyruar që kufizim është i detyruar që të parandalojë infeksionin, masat do të jenë në fuqi deri në një situatë më të favorshme epidemiologjike”, tha ai në RTV21.
Tutje Zemaj ka thënë se të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e COVID-19 duhet të kenë testin negativ me vete.
“Çdo qytetarë që nuk është banorë i Kosovës që vije nga shtete që potencialisht janë shpërndarës të infeksionit dhe janë në listë, ne e kemi si masë që kërkohet testi negativ. Në të kundërtën personi rekomandohet që të shkojë në vetizolim për shtatë ditë. Atëherë organet tona duhet ta mbikëqyrin a është apo jo duke e respektuar masën”…

Tetë të vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë, 345 raste të reja.436 të shëruar

Tetë persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në 24 orët e fundit në Kosovë, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë të shtunën. Sipas raportit, për 24 orë janë regjistruar edhe 345 ndërsa janë shëruar 436 persona.
Rastet e vdekjes janë nga Mitrovica dy raste (85, 79 vjeç), Prizreni dy raste (70, 65 vjeç), Peja një rast (68 vjeç), Rahoveci një rast (62 vjeç), Klina një rast (69 vjeç), Ferizaj një rast (79 vjeç).
Në 24 orët e fundit janë testuar 1501 mostra. Gati 23 për qind e tyre kanë rezultuar pozitive. Prishtina prin me 117 raste të shtunën. Ajo pasohet nga komunat: Mitrovicë 39 raste, Podujevë 20 raste, Ferizaj 19 raste, Prizren 18 raste, Skenderaj 16 raste, Gjilan 14 raste, Vushtrri 14 raste, Lipjan 12 raste, Fushë-Kosovë 10 raste, Obiliq 10 raste, Pejë 8 raste, Suharekë 8 raste, Gjakovë 7 raste, Drenas 6 raste, Kamenicë 6 raste, Shtime 4 raste, Deçan 3 raste, Viti 3 raste, Kaçanik 2 raste, Novobërdë 2 raste, Rahovec 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Istog, Klinë, Leposaviq, Malishevë dhe Zubin Potok.
Në nivel vendi nga fillimi i pandemisë, me koronavirus janë prekur 48 mijë e 682 persona, ndërsa 1248 prej tyre kanë vdekur. Janë shëruar 36 mijë e 226.
Janë edhe 11 mijë e 208 raste aktive.

Haradinaj e vazhdon betejën me kryeministrin, Hoti e shpërfill krejtësisht liderin e AAK-së

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj që nga lidhja e koalicionit me LDK’në në vazhdimësi ka kundërshtuar veprimet dhe vendimet e kryeministrit Avdullah Hoti. Haradinaj ka kundërshtuar shefin e qeverisë në temën e dialogut, në marrëveshjen e Washingtonit, shuarjen e Task-Forcës dhe tash së fundi në masat e ndërmarra anti-COVID nga ekzekutivi.
Haradinaj dhe Hoti kanë pasur një episodë në rrjete sociale sa i përket shkarkimit të Task-Forcës në kuadër të policisë.
Kreu i AAK’së dhe kryeministri Hoti përmes statuseve të njëpasnjëshme në Facebook thumbonin njëri tjetrin se cili nuk po e lë drejtësinë ta bëjë punën e saj. Ish-kryeministri Haradinaj e kishte kundërshtuar Hotin për çështjen e shuarjes së task-forcës në kuadër të policisë duke e akuzuar atë për ndërhyrje politike.
Hoti rifilloi dialogun të cilin e kishte bllokuar Haradinaj me vendosjen e taksës në fund të vitit 2018.
Formati me të cilin Hoti u kyç në bisedimet me Serbinë nuk i pëlqeu Haradinajt pasi sipas tij përfaqësuesi i AAK’së po lihej jashtë bisedimeve nga ana e kryeministrit.
Kritika kreu i AAK’së pati edhe për Marrëveshjen për Normalizim Ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.
Haradinaj kishte kundërshtuar pikën e kësaj marrëveshje kur bëhej fjalë për Liqenin e Ujmanit, për të cilën kishte deklaruar se ishte ndryshuar me insistimin e tij.
Kryetari i AAK’së nuk është ndalur as sot duke kritikuar qeverinë për punën e masave anti-Covid.
Sipas Haradinajt, qeveria e Avdullah Hotit duhet të heq kufizimin e lëvizjes për qytetarët në festat e fundvitit.
“Apeloj tek institucionet e vendit, që të hiqet ndalesa e qarkullimit, të paktën deri pas festave. Kjo do mundësonte qarkullimin e lirë të motrave e vëllezërve tonë që jetojnë jashtë vendit, e që po hasin në vështirësi të arrijnë në shtëpitë e tyre”, ka thënë sot Haradinaj.
Kryeministri Hoti e ka shpërfillur krejtësisht kryetarin e AAK’së lidhur me këto kritika.
Hoti deri më tani nuk i ka dhënë asnjë sinjal Haradinajt se koalicioni qeverisës do ta përkrahë atë në ambicien për president..

Nxënësit mund të mos kthehen në shkolla pas pushimit, shkak infektimi i mësimdhënësve me COVID-19

Dje përfundoi gjysmëvjetori i parë për vitin shkollor 2020/2021. Nxënësit shkuan në pushim dimëror për një muaj, teksa ministri Likaj pohoi se ata do të angazhohen me detyra edhe gjatë kësaj pauze mësimore. Por, kryeministri Hoti përmes një deklarate për media, la të nënkuptohet se varësisht nga situata epidemiologjike, nxënësit mund edhe të mos u kthehen shkollave në janar. Për këtë çështje janë deklaruar edhe nga MASh-i
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, dje nënvizoi se gjysmëvjetori i pari i vitit shkollor 2020/2021, ishte një vit i vështirë për secilin pa përjashtim. Ndërkohë që shprehu besimin që prej 18 janarit 2021, mësimi të fillohet në kushte më të mira. Këto komente ai i bëri gjatë vizitës që bëri dje në shkollën fillore të mesme të ulët “Dardania”, në kryeqytet.
“Statistikat e fundit na tregojnë se numri i arsimtarëve të prekur nga Covid-19, në raport me mjekët apo policët, është në përqindje më të lartë, që nënkupton se edhe ju jeni në vijën e parë të frontit në luftë me këtë armik të padukshëm, njëlloj sikurse profesionistët e tjerë”, tha Hoti, duke shtuar se shpreson se nxënësit ti rikthehen shkollave me këtë datë ashtu edhe siç është paraparë.
Në ndërkohë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), kanë thënë për Express se vendimi i Qeverisë për pushimin dimëror to të respektohet me afatet e përcaktuara.
“Për shkak të gjendjes aktuale pandemike, e cila tashmë mund të kombinohet edhe me gripin sezonal, rritjes së numrit të të infektuarve me virusin Covid-19, në konsultim kryeministrin e Kosovës z. Hoti, rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShPK-së, MASh ka marr vendim për ta zgjatur pushimin pas periudhës së parë të vitit shkollor 2020/2021, dhe si i tillë vendimi do të respektohet me afatet e përcaktuara në të”, thuhet në përgjigjen e MASh-it dhënë për Gazetën.
Sipas tyre kjo kohë do të shfrytëzohet për të dezinfektuar shkollat dhe për ti përgatitur ato për fillim e mësimit.
“Koha e pushimit do të shfrytëzohet për dezinfektim dhe përgatitje të shkollave, ndërkaq MASh do ti përkrah shkollat në përgatitje dhe ofrim të kushteve të sigurta për mbajtje të mësimit në shkolla”, thuhet më tutje në përgjigje.
Të shqetësuar me mësimin në distancë dhe efektet që ka krijuar kjo formë e mësimit tek nxënësit janë prindërit. Kryetari i Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti ka thënë për Express, se nxënësit janë dëmtuar me këtë lloj mësimi. Ai theksoi se edhe pushimi prej një muaj do i dëmtojë të njëjtit.
Në ndërkohë për njohësit e fushës së arsimit, mësimi online tashmë veçse është treguar jo efikas.
“Mësimi online tashmë është dëshmuar si jo efikas, mund të ketë qenë interesant dhe i domosdoshëm në pranverë, si reagim karshi shumë të pa njohura për pandeminë në atë periudhë, mirëpo, tash, muaj më vonë, të gjithë besoj jemi të të njëjtit mendim që mësimi me prezencë fizike nuk mund të zëvendësohet asesi me atë online dhe nga distanca”, ka thënë Rinor Qehaja, nga Instituti “EdGuard”, për Express.
Sipas tij tashmë veçse do të duhej të kishte një rishikim të skenarëve për mbarëvajtjen e mësimit në kushte të pandemisë.
“Numri i vogël i të infektuarave në shkollë që nga rikthimi në shtator duhet të jetë pikënisje për rishikim të skenarëve për mbarëvajtje të mësimit në kushte të pandemisë. Përkushtimi i institucioneve tona duhet të jetë që njëkohësisht karshi kujdesit për shëndetin gjatë pandemisë vëmendja të kthehet në sigurim të cilësisë në mësimdhënie. Dëmi nga shpërqendrimi që është shkaktuar do të ketë pasoja afatgjatë në performances akademike të të rinjve”, ka thënë më tutje ai.
Në shkollat e vendit brenda 4 ditësh me koronavirus janë infektuar 118 mësimdhënës dhe 64 nxënës.
“Nga raporti i fundit i inspektoratit të arsimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe personelin e infektuar në shkolla, për periudhen 14 – 18.12.2020 në gjithë komunat e Republikës së Kosovës kemi këto të dhëna: 118 mësimdhënës të infektuar dhe 90 të shëruar, 10 personel të infektuar dhe 8 të shëruar, 64 nxënës të infektuar dhe 47 të shëruar”, është bërë e ditur në të dhënat e MASh-it.
Në ndërkohë ministri i Shëndetësisë në një konferencë për media ka bërë të ditur dje që në nivel vendi që nga hapja e shkollave, janë shënuar 1.615 raste të mësimdhënësve të infektuar me koronavirus dhe 1173 raste tek nxënësit.
“Gjatë procesit mësimor, nga 15 shtatori e deri më sot janë testuar 10,823 mësimdhënës (prej tyre 1,615 kanë rezultuar pozitiv 14.9%) dhe 6,792 nxënës (prej tyre 1173 kanë rezultuar pozitiv 17.3%) mesatarja 15,8%”, ka thënë Zemaj dje në një konferencë për media..

Haziri: LDK e gatshme të shkojë në zgjedhje, nëse s’ka marrëveshje për president

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se për t’u zgjidhur ngërçi politik sa i përket çështjes së presidentit, dialogu siç ka thënë Haziri, duhet të bëhet pa kushtëzime nga partitë politike.
Në një bisedë për GazetaBlic, i pari i Gjilanit ka shtuar se deri më tani nuk është arritur gjuhë e përbashkët sa i përket çështjes së presidentit.
Haziri ka thënë se përderisa Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka vënë kushte në këtë drejtim, siç ka thënë ai, nuk duhet të ketë edhe nga partitë e tjera.
“Nuk ka marrëveshje ende për çështjen e presidentit, do të provohet ende me u bë një marrëveshje. Besoj që të gjitha rrugët nuk janë shtjerr për me ardhur deri tek një marrëveshje e madhe. Sidoqoftë, çështja tash është nivel politik, iniciativa e LDK-së është për dialog të brendshëm lidhur me zgjidhjen e presidentit. LDK s’ka vënë kushte dhe nuk është e udhës që edhe partitë tjera të hynë në dialog m kushtëzime, pasi në bisedime duhet të ulen liderët pa kushte për zgjidhur një president, i cili fiton besimin e shumicës në Kuvend”, ka thënë Haziri.
Haziri ka potencuar se nëse një gjë e tillë nuk arrihet me kohë, vendi, sipas tij, do të shkojë në zgjedhje, për të cilat Haziri thotë se LDK është e gatshme.
“Nëse nuk zgjidhet presidenti, Kushtetua s’jep tjetër mundësi, përveç zgjedhjeve. E nëse ka, LDK është e gatshme gjithmonë për zgjedhje”, është shprehur ai.
Deri më tash, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), që është pjesë e koalicionit qeverisës, ka propozuar që për president të ardhshëm të vendit të jetë vetëm lideri i saj, Ramush Haradinaj.
Këtë e ka thënë edhe vetë Ramush Haradinaj, duke shtuar se paraqitja e kandidaturës së tij për president të vendit ka qenë një ofertë për partitë e tjera, në mënyrë që të gjendjet një zgjidhje dhe vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Haradinaj thotë se nëse nuk ka marrëveshje për kandidaturën e tij, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje.
Të njëjtën gjë e kanë thënë edhe zyrtarë tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Mundësinë e shkuarjes në zgjedhje s’e ka përjashtuar edhe kreu i ekzekutivit, Avdullah Hoti.
“Jemi në përpjekje për të tejkaluar situatën për takim. Nuk përjashtohet edhe mundësia e organizimit të zgjedhjeve”, ka thënë Hoti ditë më parë..

Moti
Të dielen parashikohet mot pjeserisht me diell , temperaturat do të levizin nga 0 deri 6 gradë Celsius. Mot i ngjashem ne Tiranë, me temperatura nga 10-18 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste:48682. Të Shëruar: 36226. Të vdekur: 1248.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *