Sht. Tet 5th, 2024

Aktakuzë ndaj katër personave për rastin e mashtrimit të qindra qytetarëve përmes Agjencisë “BCD Travel”

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Sh.C., V.C., A.A dhe B.S., në drejtim të veprave penale “Mashtrimi”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” dhe “Shmangia nga tatimi”, të parapara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku janë të dëmtuar mbi 400 persona, ndërsa vlera e shumës së përfituar kundërligjshëm është mbi 667.950,00€, transmeton IndeksOnline.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Sh.C dhe V.C., nga data 12.09.2019 e deri në fund të muajit tetor 2020, në Prishtinë, pas marrëveshjes paraprake dhe në bashkëkryerje në Agjencinë BCD TRAVEL, me seli në Bregun e Diellit, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kanë hapur zyrën në Bregun e Diellit në Prishtinë, duke i mashtruar të dëmtuarit me premtimin se do t’ju caktohen terminet për viza dhe do t’ju sigurojnë viza pune në shtetet perëndimore dhe skandinave, me ç ‘rast të dëmtuarve ju është shkaktuar dëm material mbi 50.000€, dhe me këtë në vazhdimësi të pandehurit dhe në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, sipas KPRK-së.

Të pandehurit A.A dhe Sh.C., nga muaji nëntor 2020 deri në shtator 2021, kanë mashtruar me dashje dhe në bashkëkryerje, duke qenë në dijeni se aplikacionet për viza nuk po procedohen në ambasadat përkatëse dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe tjetrin, e pandehura A.A., ju ka kërkuar paratë të dëmtuarve kinse për sigurimin e vizave, ka plotësuar “kontratat” për të dëmtuarit, si dhe ka “arsyetuar” tek të dëmtuarit arsyet e pritjet e gjata për vizat e punës, e po ashtu, nga profili i të njëjtës në rrjetin social “facebook” dhe “instagram”, i ka postuar ofertat për punë, si dhe listat me emra dhe mbiemra të aplikantëve/tani të dëmtuarve që ju është “konfirmuar” caktimi i termineve për vizë dhe që do “të nënshkruajnë” kontratat për punësime jashtë vendit, ndërsa “aplikacionet” e të dëmtuarve nuk janë dorëzuar asnjëherë në ambasadat përkatëse, me ç ‘rast iu është shkaktuar dëm material mbi 50.000€ dhe me këtë në vazhdimësi të pandehurit, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, sipas KPRK-së.

Po ashtu, i pandehuri Sh.C., me dashje ka fshehur dhe i është shmangur tërësish pagesës së tatimit që kërkohet me ligj duke mos i deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës, ku vlera e shumës së shmangur tatimore arrin shumën prej pesëdhjetëmijë (50.000€) Euro, andaj me këtë ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, sipas KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri B.S., me dashje ka vënë në lajthim Agjencinë e Regjistrimit të bizneseve të Kosovës (ARBK), që të vërtetojë një çështje të pavërtetë, në emër kinse të autorizuesit (pronar imagjinar i biznesit), duke e dhënë nënshkrimin e tij pa pasur autorizim, i cili autorizim ka shërbyer si provë në ARBK për të regjistruar “BDC Travel” Sh.p.k., dhe me këtë i njëjti ka kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, sipas KPRK-së.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës t’ju vazhdohet masa e paraburgimit të pandehurve, po ashtu ka propozuar të konfiskohet dobia pasurore e fituar nga vepra penale: Njësia kadastrale me sipërfaqe 90.12 m2 , në Gllogovc, njësia kadastrale me sipërfaqe 700 m2 dhe njësia kadastrale sipërfaqe 1400 m2, në Pejë, banesa me sipërfaqe 83.5 m2, në Fushë Kosovë dhe një (1) automjet.

Po ashtu, prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës të shqiptohet dënim plotësues të pandehurve Sh.C dhe V.C., për kompensimin e dëmit/përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar të dëmtuarve, si dhe, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *