Pre. Nën 1st, 2024

Foda optimist për ndeshjet e tetorit, flet edhe për mungesat

Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka dalë sot në një konferencë shtypi, përmes së cilës i ka shpalosur synimet për ndeshjet e tetorit.

Kosova do të luajë, më 12 tetor kundër Lituanisë në udhëtim, ndërsa tri ditë më parë, pra më 15 të këtij muaji, do ta presë Qipron në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Trajneri gjerman foli fillimisht për dy sfidat e këtij muaji, në kuadër të Ligës së Kombeve.

“Do të mundohemi t’i fitojmë të dyja ndeshjet. Fillimisht do t’i kemi para vetes disa seanca stërvitore, do ta shohim gjatë javës se si do të veprojmë dhe se si do të vendosemi në ndeshje me Lituaninë e me Qipron. Për momentin do të mendojmë vetëm për ndeshjen me Lituaninë, prej së cilës synojmë të dalim mirë”, u shpreh fillimisht Foda në konferencën e shtypit.

Tutje, ai u pyet edhe për mungesën e rëndësishme të Vedat Muriqit, i cili është i lënduar.

Por, Foda insiston se, përkundër rëndësisë së “Piratit”, Dardanët kanë zëvendësime dhe alternative të tij.

“Vedati është shumë i rëndësishëm për ekipin tonë, kemi mjaftueshëm alternativa, e kemi Rashicën si opsion të parë, pastaj Asllani, por edhe Rrahmani. I kemi pra disa alternativa që mund ta zëvendësojnë Vedat Muriqin”, shtoi ai.

Gjithashtu, zbuloi se Astrit Selmani ka pësuar lëndim, kështu që vendin e tij do ta zë Muharrem Jashari.

Sa i përket përjashtimit të treshes Zhegrova – Muriç – Muslija, Foda tha se vendimi është marrë prej tij në bashkëpunim me Federatën për shkak të thyerjes së rregullores nga ana e tyre.

E kur jemi te porta, Foda nuk e fshehu gëzimin që tash e tutje do ta ketë një tjetër portier cilësor në dispozion, më saktësisht Amir Saipin, i cili iu bashkua tash Dardanëve, ndërsa tha se nuk ka vendosur ende nëse ndaj Lituanisë titullar do të jetë portieri Arijanet Muriç apo Amir Saipi.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *