Enj. Kor 18th, 2024

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur kriminel kryeministrin Albin Kurti dhe “klikën e tij” pas humbjes së arbitrazhit kompaninë amerikane “Contour Global”

By Rtv Arbëria Kor11,2024

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur kriminel kryeministrin Albin Kurti dhe “klikën e tij” pas humbjes së arbitrazhit kompaninë amerikane “Contour Global”. Ai ka insistuar se me këtë investim do t’i jepte Kosovës stabilitet dhe pavarësi energjetike.

Në një konferencë për media të enjten, Haradinaj i është përgjigjur kritikave të Kurtit i cili në mbledhjen e djeshme të Qeverisë fajësoi kryetarin e AAK-së për humbjen e arbitrazhit me “Contour Globalin” e për të cilën Kosova do të paguajë 21 milionë euro.

“Investimi i ‘Contour Globalit’ do të kishte qenë investimi më i madh në Kosovë. Termocentrali ‘Kosova e Re’ do t’i jepte Kosovës stabilitet dhe pavarësi energjetike. Ky projekt do ta bënte Kosovën të pandikueshme nga lufta në Ukrainë sa i përket çmimit të energjisë. Çmimi i megavatit të prodhuar në Kosovë do të ishte shumë më i lirë. Madje do të shisnim energji. Kosova vazhdon të mbetet e varur nga GEN-i [kompania serbe për eksportimin e energjisë me të cilën u pretendua se kishte lidhje ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj]. Kriminelët kthehet në vendin e krimit shpesh sepse nuk ndëshkohen. Kurti dhe klika e tij që e kanë ndëshkuar ‘Contour Globalin’ janë kriminelë”, ka thënë Haradinaj.

“Kosova vazhdon me mbetet e varur nga furnitorët tjerë dhe vazhdon me blejë energji prej tyre edhe pse ka ndodh pavarësimi energjetik. Ende paguhet energjia e humbur në Qeveri. Suksesi më i madh ekonomik dhe gjeopolitik dhe sigurisë prej Serbisë dhe Rusisë është pikërisht investimi. Qeveria Kurti duke e kundërshtuar këtë investim dhe duke i dërguar shkresë për ndërprerje e ka liruar nga obligimi me vazhdu me siguri financimin për projekt”, u shpreh Haradinaj.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, dje në mbledhjen e 212-të të Qeverisë, ka thënë se mbi 21 milionë euro do i ndahen kompanisë “Contour Global”, pasi që ka fituar arbitrazhin ndaj Republikës së Kosovës në lidhje me projektin për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’, kontratë kjo që ishte nënshkruar në vitin 2017, por që kompania më pas ishte tërhequr dhe kishte paditur Kosovën për mos respektim të kontratës.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *