Hën. Dhj 9th, 2024

Mbi 59 mijë euro gjoba për partitë që thyen heshtjen zgjedhore

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar mbi 59 mijë euro gjoba ndaj subjekteve politike, vetëm gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të balotazhit që u mbajtën të dielën.

E prej tyre, mbi 13 mijë euro gjobë janë shqiptuar për shkak të thyerjes së heshtjes në ditën e zgjedhjeve dhe thyerje të heshtjes zgjedhore në ditën e votimit.

Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku.

“PZAP-i për zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021, ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike në shumë prej gjithsej: 59,250.00 euro. Në këtë shumë të gjobave është e përfshirë shuma prej 13,500.00 euro, për thyerje të heshtjes zgjedhore në ditën e heshtjes zgjedhore te shtunën me 13.11.2021 dhe për thyerje të heshtjes zgjedhore në ditën e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave të mbajtura me 14 nëntor 2021”, tha Desku.

Sipas të dhënave të PZAP-së, subjekti politik që është gjobitur më së shumti është Lëvizja Vetëvendosje, e ndjekur pas nga PDK-ja e LDK-ja.

Desku ka theksuar se LVV-ja në raundin e dytë të zgjedhjeve ka marrë gjobë mbi 16 mijë euro.

“Lidhja Demokratike e Kosovës 15,000.00 euro, Lëvizja Vetëvendosje 16,400.00 euro, Partia Demokratike e Kosovës 15,800.00 euro, Srpska Lista 8,100.00 euro, Partia Liberale Egjiptiane – PLE 300.00 euro, Iniciativa Qytetare për Obiliqin 1,250.00 euro, Lista e Pavarur-Bekim Jashari 1,800.00 euro, Organizata Balli Kombëtar Demokrat-OBKD 300.00 euro, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 300.00 euro”, tha Desku.

Ndryshe, në zgjedhjet e 14 nëntorit, PDK-ja dhe LDK-ja kanë fituar nga 8 komuna, AAK-ja 5 komuna dhe VV-ja doli e katërta me 4 komuna.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *