Die. Tet 6th, 2024

Në gjyqin ndaj Mustafës flet një viktimë, thotë se deri tani ka heshtur për shkak të frikës

Një person i mbrojtur, i njohur si viktimë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka folur para trupit gjykues në rastin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Ai është deklaruar nën masa mbrojtëse të sigurisë, identiteti të cilit nuk është bërë i ditur për publikun dhe ka thënë deri tani ka heshtur për shkak të frikës. Por sipas tij, ka shumë persona që ndajnë të njëjtat vuajte dhe shqetësime.

Ai është dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun, me kërkesë të mbrojtëses së viktimave.

Vetëm në fund të seancës janë shfaqur në transmetim publik disa fjali të tij.

“Si viktimë pjesëmarrëse në këtë gjykim e pata rastin me fol shumë për familjen time. Kemi heshtur për këto vite prej frikës, mirëpo ne e dimë që nuk jemi të vetëm që kemi vuajt. Shumë familje kanë humbur anëtarët e familjes… kanë anëtarë të familjes të zhdukur. Ne vetëm eventualisht e kemi gjetur viktimën dhe kemi mundur me varrosë si një anëtar i dashur i familjes. Po mundem me imagjinua se sa zor është… (përmbajtje e redaktuar)”, ka thënë ai.

Pas kërkesës së avokates së viktimave, trupi gjykues kishte vendosur paraprakisht të dëgjojë deklaratën e një viktime e cila ka përfunduar në një seancë të vetme.

Ndërsa, mbrojtja e Salih Mustafës do të paraqes nesër deklaratën hyrëse para trupit gjykues në Hagë. Kjo shënon fillimin e çështjes së mbrojtjes e cila tutje do të vazhdojë me provat dhe dëgjimin e 17 dëshmitarëve.

Më 23 mars është caktuar të dëgjohet dëshmitari i parë i mbrojtjes dhe turpi gjykues i ka lënë avokatit 36 orë në dispozicion për të marrë në pyetje 17 dëshmitarët e paraparë.

Fillimi i çështjes së mbrojtjes vjen pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka përfunduar çështjen e saj.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *