Enj. Dhj 5th, 2024

Sistemi i hallkave elektronike pritet të lansohet në fund të këtij muaji

Gati një dekadë pas miratimit, Ligji për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, pritet të fillojë zbatimin. Avokuesit e të drejtave të njeriut vlerësojnë se në këtë mënyrë do të rritet siguria dhe do të parandalohen përsëritjet e rasteve të dhunës.

Fushata 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore – që fillon më 25 nëntor – pritet që të sjell edhe lansimin e sistemit të hallkave elektronike.

Shuma prej 600 mijë eurosh për blerjen e byzylykëve ishte ndarë nga qeveria në prill të vitit të kaluar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë për KosovaPress se kontrata për blerjen e tyre është nënshkruar dhe se janë bërë “planifikimet për trajnimin e zyrtarëve përgjegjës”.

Haxhiu: Kontrata për blerjen e hallkave elektronike është nënshkruar

“Tashmë kontrata [për blerjen e hallkave elektronike] është nënshkruar, unë nuk mund të jap detaje të kontratës sepse nuk më lejohet duke qenë se është e klasifikuar, megjithatë kontrata është nënshkruar, trajnimi i zyrtarëve përgjegjës po planifikohet të bëhet, madje edhe për disa prej tyre tashmë janë caktuar datat se kur do të bëhen sepse është e rëndësishme që para lansimit të këtij sistemi të bëhet trajnimi i zyrtarëve që e kanë përgjegjësi mirëmbajtjen e këtij sistemi, por po ashtu edhe monitorimin e të njëjtit”, thotë Haxhiu.

Haxhiu shpreson që edhe Policia e Kosovës – si implementues të këtij ligji – të jenë të gatshëm për lansimin e sistemit për mbikëqyrjen elektronike.

Haxhiu: Sistemin për mbikëqyrje elektronike planifikojmë ta lansojmë në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore

“Ne planifikojmë që këtë sistem ta lansojmë në kuadër të 16 ditëve kundër dhunës në bazë gjinore dhe dhunës në familje që është 25 nëntori i këtij viti deri më 10 dhjetor, urojmë që Policia e Kosovës të jetë e gatshme ndonëse ne kemi qenë në vazhdimësi në komunikim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe janë zotuar se brenda këtyre ditëve do të lansohet ky sistem”, thotë ajo.

Moszbatimi i Ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, është shqetësues për institucionin e Avokatit të Popullit.

Naim Qelaj thotë se si pasojë e mosimplementimit të ligjit kanë ndodhur vrasjet e grave.

Qelaj: Rastet e vrasjes së grave do të mund të parandaloheshin me hallkat elektronike

“Për ne padyshim edhe kjo është shumë shqetësim për arsye se rastet e mëvonshme që kanë ndodhur të vrasjes së grave si pasojë e dhunës në familje ndoshta do të mund të parandalohen sikur ky ligj të kishte qenë i zbatueshëm. Po e përmendi rastin e vrasjes në QKUK për të cilën ne do të dalim me një raport përfundimtar dhe na rezulton që ndaj të dyshuari, palës përgjegjëse, i cili është edhe i vetëvrarë në këtë rast ka qenë i lëshuar urdhri mbrojtës, por që policia në pamundësi të vendosjes së pajisjeve e ka pasur të pamundur t’i përcjell lëvizjet e tij dhe si rezultat ka ardhur deri tek pasoja e humbjes së jetës së gruas dhe fëmijës të pa lindur”, thotë ai.

Adelina Berisha nga Rrjeti të Grupit të Grave të Kosovës thotë, gjithashtu, se një ligj i tillë do të rriste sigurinë dhe do të ndikonte të mos përsëriten rastet e dhunës.

Berisha: Me hallkat elektronike do të rritej siguria dhe do të ndikonte të mos përsëriten rastet e dhunës

“Mendoj se kjo [hallkat elektronike] do ta rriste sigurinë dhe do të ndikonte që të mos ripërsëritën rastet e dhunës… Kemi pasur raste ku pikërisht për shkak se nuk ka pasur monitorim të duhur të ushtruesve të dhunës rastet janë përsëritur apo edhe kanë përfunduar me fatalitet. Në kontekstin e Kosovës e dimë që është pak problematike monitorimi, sepse ne kemi pasur raste kur viktimat nuk kanë ku të shkojnë dhe jetojnë në të njëjtën shtëpi ushtruesin e dhunës edhe pse janë me urdhër mbrojtje”, thotë Berisha.

Lidhur ne këtë temë, KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Brendshme por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Ligji për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, është në fuqi nga 1 korriku i vitit 2015.

Sipas këtij ligji, mbikëqyrja elektronike bëhet me vendim të gjykatës dhe realizohet përmes vendosjes së një pajisjeje të posaçme në trupin e personit.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *