Pre. Kor 19th, 2024

150 minatorët grevistë u dënuan nga menaxhmenti, Januzi: Po na shantazhojnë për të na frikësuar

By Rtv Arbëria Gus21,2023

Menaxhmenti i Trepçës ka marrë masa ndaj 151 minatorëve të cilët ditë më parë, kishin filluar grevën si pasojë e mos ekzekutimit të pagave.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të “Trepçës”, Enis Abdurrahmani, ka deklaruar se janë marrë masa ndaj 151 minatorëve që kanë sabotuar punën javë më parë, nëpërmjet sanksionimit të mëditjeve dhe shujtave ditore.

Ai ka thënë se nëse bojkoti i punës thellohet, sipas rregulloreve të brendshme të kësaj ndërmarrjeje, sanksionet ndaj minatorëve do të jenë me pagë deri në 40 për qind.

Por kjo është e papranueshme për minatorët e Trepçës, ndaj të cilëve u morën masa.

Kryetari i Sindikatës së Trepçës Ibrahim Januzi, ka thënë për “Indeksonline”, se ky vendim është i papranueshëm.

“Minatorët janë ndëshkuar me një meditje dhe janë paralajmëruar se për shkak të protestës së mbajtur për pagesen e muajit korrik, do të ndëshkohen dhe me meditje tjera. Për ne si sindikatë është vendim i papranueshëm. Arsyeja kryesore ka qenë paga, që është obligim i menaxhmentit, që në bazë të afateve kohore të përcaktuara me rregullore nga data 5 deri me datën 9 duhet të bëhet realizimi i pagës, e për të cilën është tejkaluar për shumë ditë. Gjë që ka ngjallur pakënaqësi tek minatorët, të cilët kanë kërkuar të drejten e tyre elementare, realizimin e pagës mujore”, thotë Jonuzi.

Januzi thotë se e gjithë kjo po bëhet me qëllim të shantazhimit dhe frikësimit të minatorëve. Ndërsa pohon se kjo që po ndodh me minatorët, është jodemokratike dhe autoritare.

“Në bazë të protestës dhe grevave që janë mbajtur nga minatorët, janë marrë masa ndëshkuese, të cilat janë të papranueshme. Kjo është jodemokratike dhe autoritare. Si vendim mendojmë që është autoritar dhe është vendim i gabuar. Po tentohet që t’i frikësojnë minatorët, që mos të kërkojnë të drejtat e tyre”, tha ai.

Januzi madje thotë se ky është një presion i vazhduar ndaj minatorëve, që të mos i kërkojnë të drejtat e tyre.

“Ky është presion i vazhduar. Është kërcënim dhe shantazh ndaj minatorëve. Qëllimi kryesor është që t’i frikësojnë minatorët që të mos kërkojnë të drejtat e tyre, e që është e drejtë elementare realizimi i pagës, për të cilin menaxhmenti e ka detyrë obligative që ta realizojë”, tha ai.

Januzi thotë se menaxhmenti duhet të reflektojë dhe se minatorët nuk duhen të ndëshkohen. Ndërsa pohon se lajmi për ndëshkim, ka qenë shumë dëshpërues për minatorët, të cilët janë irrituar me këtë vendim të menaxhmentit.

“Ne do t’i shterrim të gjitha mundësitë e komunikimit. Në të kundërten nëse nuk gjejmë gjuhë të përbashkët, do t’i shterrim dhe mundësitë ligjore që na takojnë dhe si sindikatë dhe si minatorë. Neve nuk na frikësojnë as kërcënimet as shtanazhet. Ne do të kërkojmë t’i realizojmë të drejtat tona me çdo kusht”, tha ai.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *