Mar. Mar 5th, 2024

Agim Ademit i caktohet masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh

By Rtv Arbëria Mar 23, 2023

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj Agim Ademit, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i dyshuar për “Keqpërdorim të besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj Gjykate.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, nën dyshimin se ka keqpërdorur buxhetin e FFK-së. Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj A.A., në Gjykatën kompetente”, thuhet në njoftimin e Ulajt.

Në raportin 24 orësh të Policisë, të enjten, thuhet se Ademi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpëdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”, duke keqpërdorur buxhetin e FFK-së.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, të mërkurën njoftoi se Ademi është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas ndrmarrjes se veprimeve paraprake hetimore, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së. I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhu me këtë çështje penale”, thuhej në njoftim.

Kurse, një ditë më parë, Policia e Kosovës njoftoi se është intervistuar në stacion policor një zyrtar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ndërsa kreut të kësaj të fundit, Agim Ademi, i ishte lënë ftesë për t’u intervistuar të mërkurën (sot).

Kujtojmë se më 15 mars 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Agim Ademit dhe Muharrem Ramës, lidhur me akuzën për detyrim në bashkëkryerje.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *