Mar. Tet 8th, 2024

Flet zv/ministri i Kosovës: Ligji i Kosovës i jep të drejtë komunës së Mitrovicës së Veriut të ndërtojë universitete

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është nën administrimin e komunës, prandaj leja dhe investimi bien në përgjegjësinë e saj.

Por, pjesëmarrjen e Petar Petkoviq, drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, i cili vuri gurthemelin e këtij universiteti dhe investimin e Serbisë, Pupovci po i quan përpjekje të Serbisë për të treguar ndikim në Kosovë.

“Performancë politike e Serbisë duke synuar të tregojë se nuk dëshiron të pajtohet me pavarësinë e Kosovës dhe dëshiron që të tregojë prezencën e saj në territorin e Republikës së Kosovës”.

“Ligjet e Kosovës, konkretisht Ligji për Arsimin në Komuna i jep të drejtë të plotë komunës së Mitrovicës së Veriut ta menaxhojë këtë universitet dhe të ndërtojë objekte. Kjo ka mundur të bëhet në mënyrë krejt të qetë pa pasë nevojë për performancë politike të kësaj kategorie. Ndërtimi i objekteve është kompetencë e qeverisjes lokale, pra janë ata që i lëshojnë lejet dhe i bëjnë investimet në këtë rast. Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është në administrimin e drejtpërdrejtë të komunës së Mitrovicës së Veriut”.

Por, a është universitet paralel?

“Në bazë të ligjeve të Kosovës ai universitet nuk është paralel, por se ata e quajnë Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë të Kosovës që e bën këtë universitet të papranueshëm për Qeverinë e Republikës së Kosovës, prandaj edhe legjitimiteti i tij nuk njihet”.

Për këtë çështje, Pupovci tha se vetë komuniteti serb po e humb mundësinë që të legjitimojë këtë universitet dhe që studentëve t’iu mundësohet që të regjistrohen edhe në universitete tjera ndërkombëtare, jashtë territorit të Serbisë, meqë aktualisht të rinjtë serbë kanë probleme të tilla.

Ndërsa, për njohjen e diplomave të këtij universiteti brenda Kosovës, Pupovci tha se kjo është e vendosur në vitin 2015 përmes një rregullore e cila shtetasve të Republikës së Kosovës që kanë mbaruar studimet në këtë universitet ua njeh diplomat për punësimin në sektorin publik.

“Qëllimi ka qenë që t’u mundësohet pjesëtarëve të komunitetit serb që të integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës. Por, ata duhet të kalojnë në një proces të verifikimit”.

Për të marrë masa represive ndaj këtij universiteti, Pupovci tha se nuk po e shohin të arsyeshme meqë aktualisht mes Kosovës dhe Serbisë po ndodhin bisedime për relaksim të raporteve dhe tha se Qeveria e Kosovës ka për qëllim që të vendosë komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët serbë të Kosovës.

“Kjo iu jep mundësi që të integrohen në shoqëri. Problemet duhet të zgjidhen me një dialog me serbët e Kosovës. Kushtet për dialog me ata do të krijohen shpejt”.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *