Gjenerali Serb Dikovic: Ushtria serbe një ditë do të kthehet përsëri në Kosovë

Ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Ljubisa Dikovic në një intervistë për mediat serbe ka thënë se Serbia nuk ka humbur nga NATO dhe se ushtria serbe një ditë do të kthehet përsëri në Kosovë

E pas kësaj ka reaguar ish-ushtari i UÇK-së, profesori dhe analisti Blerim Latifi.

Ai përmes një postimi në facebook, thotë se, Dikoviç është përgjegjësi kryesor i shumë masakrave në Kosovë e në veçanti për masakrën e Rezallës.

Sipas Latifit, Dikovic është hero i gjallë në Serbi.

Postimi i plotë:

Ljubisa Dikovic, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, në një intervistë për Kurir’in, paska thënë se ushtria serbe një ditë do të kthehet përsëri në Kosovë.

Dikovic, njëri nga përgjegjësit kryesorë të shumë masakrave në Kosovë, në mesin e tyre edhe për Masakrën e Rezallës, nuk ndihet fare i penduar për luftën e tij të ndyrë në Kosovë. Përkundrazi, ndihet krenar dhe paralajmëron ripushtimin e Kosovës.

Ai, sot, në Serbi, e ka statusin e një heroi të gjallë. Dhe këtu duhet theksuar një gjë: derisa Serbia kriminelët e luftës së saj të ndyrë, i bën heronj, ne, heronjtë e luftës tonë i kriminalizojmë.

Dhe, derisa Serbia përgatitet për çastin kur rrethanat historike në të ardhmen do t’ia mundësojnë rikthimin ushtarak në Kosovë, ne merremi me gjëra të kota politike e religjioze, gjatë gjithë kohës.

Dikush njëherë ka thënë: shtetin mund ta fitosh në mënyra të ndryshme, por nëse nuk ke mendim shtetëror ke për ta humbur së shpejti!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Komente Së Fundi