Kurti në Tokio: Kosova, vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor

Në ditën e dytë të qëndrimit në Japoni, kryeministri Albin Kurti mbajti një konferencë për media në Klubin e Korrespondentëve të Huaj të Japonisë.

Ai me këtë rast prezantoi sukseset dhe arritjet e Qeverisë, duke thënë se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, teksa listoi përmirësimet e Kosovës në raportet ndërkombëtare si ai i Transparency International, Reporters without Borders dhe World Justice Project.

Kurti tha se progresi demokratik dhe sundimi i ligjit gjatë vitit që po lëmë pas janë shoqëruar edhe me zhvillim ekonomik.

“Vitin e kaluar, Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 10.7%, kurse këtë vit për herë të parë eksportet pritet të tejkalojnë shifrën prej 1 miliard euro”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për angazhimin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Me pjesëmarrjen në Defender Europe 2021 përkrah 26 vendeve tjera dhe me vendosjen e menjëhershme të sanksioneve ndaj Rusisë në njërën anë, dhe akomodimin e mbi 1800 refugjatëve afganë dhe 9 gazetarëve nga Ukraina në anën tjetër, Kosova ka dëshmuar se është partner i sigurt dhe aleat besnik në arenën ndërkombëtare, tha kryeministri Kurti.

Duke veçuar lidhjet e ngushta dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, dhe rrezikun që ato paraqesin për rajonin, kryeministri Kurti tha se Kosova dhe Japonia kanë një lidhje të veçantë si dy shtete që janë të përkushtuara për qeveri demokratike, por të cilat po ashtu përballen me regjime autokratike në rajonet përkatëse.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Komente Së Fundi