LAJMET DITORE, E MËRKURË, 04.11.2020

Arrestohet Jakup Krasniqi

Avokati i Jakup Krasniqit, Valon Hasani, ka thënë se Jakup Krasniqi është arrestuar sot dhe është dërguar në Hagë.
Ai ka thënë se urdhërarresti është dorëzuar sot.
“Sot prokuroria ka pasur aksion dhe në bazë të urdhrit është arrestohet Krasniqi. Ai është nisur në Hagë dhe shumë shpejtë do të dalë para gjykatës. Tani sapo përfundoi bastisja, dyshohet për vepra të cilat nuk janë të specifikuara por janë në kuadër të veprave që bien nën juridiksionin e Speciales”, ka thënë ai..

Nëntë të vdekur dhe 546 raste me COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë

Nëntë të vdekur dhe 546 raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar sot në Kosovë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.626 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Numri total i rasteve pozitive është 21.545 raste nga 100.395 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 714 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 107 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.829 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.002.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 286 raste, komuna Gjakovë 37 raste, komuna Fushë Kosovë 31 raste, komuna Prizren 28 raste, komuna Ferizaj 27 raste, komuna Gjilan 17 raste, komuna Lipjan 15 raste, komuna Obiliq 12 raste, komuna Rahovec 12 raste, komuna Vushtrri 12 raste, komuna Pejë 11 raste, komuna Deçan 10 raste, komuna Drenas 9 raste, komuna Malishevë 8 raste, komuna Suharekë 6 raste, komuna Mitrovicë 4 raste, komuna Shtime 4 raste, komuna Istog 3 raste, komuna Klinë 3 raste, komuna Podujevë 3 raste, komuna Skenderaj 3 raste, komuna Kaçanik 2 raste dhe me nga një rast komunat Dragash, Kamenicë dhe Kllokot..

Trumpi e quan “të çuditshme” përmbysjen që ia bëri Bideni

Rezultati në zgjedhjet presidenciale në SHBA po vazhdon të jetë ngushtë në shtetet kyçe.
Në Michigan, që i ka 16 vota elektorale, kur janë numëruar 86 për qind të votave, Donald Trump, po kryeson me afro 27 mijë vota ndaj Joe Bidenit. Kishte epërsi në gati 200 mijë vota, por pas numërimit të një pjese të votave me postë, është zvogëluar disavantazhi.
Në Wisconsin, që i jep dhjetë votra elektorale, pas numërimit të 97 për qind të votave, po kryeson Joe Biden me 21 mijë vota, 49.5 për qind karshi 48.8 për qind sa i ka Trump. Trumpi ishte në avantazh fillimisht.
Në Karolinë Veriore, ku janë 15 vota elektorale, Trumpi po kryeson me afro 77 mijë vota epërsi ndaj Bidenit kur janë numëruar 95 për qind të votave. Në Pennsylvania, ku janë 20 vota elektorale, pas 75 për qind të votave të numëruara, po kryeson Trumpi me mbi 600 mijë vota.
Në Nevada pas 86 për qind të votave të numëruara, Biden po kryeson me një avantazh prej 8 mijë votave. Në Arizona fitorja e Bidenit po shihet si e sigurt, siç po shihet e Trumpit në Alaska. Arizona jep 11 vota elektorale, e Alaska tri. Në Georgia, ku janë 16 vota elektorale, Trumpi po kryeson me një avantazh prej afro 96 mijë votave..

Gjykata e Hagës kthen dosjen ndaj Hashim Thaçit, kërkon prova shtesë…

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kthyer për plotësimin e dosjes dhe prova shtesë, “hetimin” ndaj Hashim Thaçit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kreu i PDK-së Kadri Veseli dhe nëntë ish-ushtarë të UÇK-së janë zyrtarisht të akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime lufte.
Mësohet se akuza është zyrtarizuar më 24 prill 2020.
Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Presidenti Hashim Thaçi, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura gjatë kohës së Luftës së Kosovës.
Edhe sot ka vijuar një operacion tjetër nga EULEX në shtëpinë e Jakup Krasniqit ndërsa raportohet se operacione të tjera janë duke u kryer prej të cilave do të ketë edhe arrestime/Standard.

Sindikata e Telekomit paralajmëron protestë të premten

Sindikata e punëtorëve të Telekomit ka njoftuar se nga dita e premte, 6 nëntori, do të mbajnë protestë një orëshe para objekteve kryesore të Telekomit në të gjitha qendrat e Kosovës.
Përmes një njoftimi në Facebook, është bërë e ditur se nëse kërkesat nuk merren parasysh, më datën 29 nëntor protestat dhe grevat do të shkojnë sipas paralajmërimeve.
Siç thotë Sindikata, javët e fundit ka qenë të rënda për Telekomin e Kosovës dhe për ata si punonjës.
“Fillimisht, janë bllokuar xhirollogaritë dhe me dt:29.10.2020 janë tërhequr të gjitha mjetet financiare nga ish kompania Dardafon dhe zhvatësi, oligarku 10 vjetar Blerim Devolli dhe përmbaruesi Ilir Mullhaxha. FSP-PTK edhe pse është ne kontakt te vazhdueshëm me institucionet shtetërore ku kemi bërë përpjekje për gjetjen e një zgjidhje te shpejt përmes dialogut social me të gjitha palët e përfshira, mirëpo deri me tani kemi hapa konkret nga qeveria e Republike se Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit”, thuhet në njoftim..

Nesër një pjesë e lagjes “Kalabria” mbetet pa ujë shkaku i punimeve

KRU Prishtina ka njoftuar se nesër nga ora 10:00 deri në orën 16:00, banorët e zonës perëndimore të lagjes “Kalabria” do të mbesin pa furnizim me ujë të pishëm, shkaku i punimeve.
“KRU ” Prishtina” është duke implementuar projektin “ IZOLIMI I ZONAVE TË MATURA TË UJIT ” me ç’rast, në kuadër të këtij projekti do të ndërtohet puseta e ujëmatësit zonal për zonën e lagjes “ Kalabria” në Prishtinë. Andaj , njoftojmë konsumatorët e zonës perëndimore të lagjes “ Kalabria” , konkretisht dy anët e rrugës “ Hazir Shala ” se gjatë ditës së nesërme, 5 nëntor 2020, e enjte, duke filluar nga ora 10:00 – 16:00 do të mbesin pa furnizim me ujë të pijshëm”, thuhet në njoftimin e KRU Prishtinës.

MOTI

Të enjten parashikohet mot pjeserisht me diell dhe mundesi per te reshura te shiut. Temperaturat do të levizin nga 8 deri 15 gradë Celsius. Mot pjeserisht me diell në Tiranë, me temperatura nga 12-25 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 21545.Të Shëruar: 15829. Të vdekur: 714
www.rtvarberia.com

Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Komente Së Fundi