Enj. Pri 25th, 2024

NGJARJE DITE, E PREMTE, 19.03.2021

By Rtv Arbëria Mar 19, 2021

MASHT-i refuzon kërkesën e SBASHK-ut, mësimi vazhdon të hënën

Gjatë ditës së sotme kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti së bashku me ministrin në detyrë të shëndetësisë, Armend Zemajn, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani, ministrin në detyrë të arsimit, Ramë Likaj e zëvendësministrin e arsimit në detyrë, Xhavit Rexhajn, janë takuar me përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe Këshillin e Prindërve.
Në këtë takim është propozuar që të ketë një javë pushim për të gjithë procesin mësimor, shkruan Indeksonline.
E ky pushim është propozuar nga data 22 mars deri më 26 mars.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jashari, në një deklaratë për Indeksonline ka thënë se takimi me palët e lartcekura ishte takim konsultativ.
“Takimi ishte konsultativ, kryeministri dëshironte të dijë vlerësimin e të gjitha palëve. Nuk ishte një takim që do të sjell ndonjë vendim të prerë por do të ketë takim me Komiteti Anti Covid -19, e nga ky takim ne e presim vendimin përfundimtar që jemi marr vesh të jetë obligativ për të gjithë”, ka thënë Jashari.
Ndërkaq kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh.
Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë se mësimi do të vazhdojë normal të hënën pasi që nuk është marrë ndonjë vendim për pushim njëjavor siç propozoi Ministria e Arsimit ditë më parë.
“Kemi dalë me një propozim që nxënësit të shkojnë në pushim njëjavor. Dhe në fund të javës të vendoset për situatën epidemiologjike por do të shohim se për çfarë modalitete do të vazhdojmë. Konsiderojmë se masa të tilla duhet të merren si pjesë e një pako për uljen e rasteve. Ne në arsim kemi dal me propozim 1+1. Dhe që të ruajmë resurset që të mos vije situata që të mos kemi mësimdhënës”, ka thënë Rexhaj në këtë mbledhje.
Jashari ka thënë se SBAShK’u është zotuar se çfarë do që të ndodhë në vendimin e tyre do të pajtohen e më këtë ai ka dëshiruar që të ulet numri i rasteve me Covid-19.
“Çfarë do që të ndodhë ne vendimin e tyre do të pajtohemi e më këtë dëshirojë që të ulet numri i rasteve me Covid-19. Por me keqardhje të them se mësimi online nuk i jep rezultatet që i jep mësimi brenda institucioneve arsimore, pra ka rëndësi të jetë shëndeti primar për nxënësit dhe personelin arsimorë”, ka thënë Jashari.
I pyetur se a pritet të ndodhë ndonjë grevë nga SBAShK’u, Jashari ka thënë se cilin do vendim që e sjellin ekspertët e shëndetësisë ata e dinë më mirë gjendjen

Sinjali pozitiv i Lumirit për Vjosën presidente

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur pas takimit me liderin e LVV-së, Albin Kurti dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmani.
Ai u shprehë se takimet me LVV-në tashmë kanë përfunduar dhe LDK do të jetë në opozitë, ndërsa paralajmëroj se javën tjetër do të takohen përsëri me pretedenten për presidente, Vjosa Osmani për ta parë pozicionin e saj karshi LDK-së, LVV-së dhe partive opozitare, transmeton Indeksonline.
“Përfunduam takimin me kryetarin e LVV-së ,z.Kurti, me të cilin e diskutua me sekuencës së formimit të institucioneve. LVV është në pozitë ne jemi në opozitë, sepse kështu kanë vendosur qytetarët.”
“Ne do të jemi opozitë aktive dhe do të jemi një alternativë e re në skenën politike të ardhshme. Këtu përfundojmë takimin me LVV. Jemi dakorduar që pas formimit të institucioneve të takohemi me pretenden për presidente dhe të kuptojmë më qartë pozicionin e saj karshi LDK, karshi LVV, karshi partive opozitare. Presim që javën e ardhshme të bisedojmë dhe të presim ftesën për takim me pretendeten për presidentin. Takimi do të mbahet gjatë javës së ardhshme. Ne do të vazhdojmë si opozitë dhe këtu mbaron relacioni me LVV-në”, u shprehë ai.

Zyrtari gjerman: BE-ja t’ia tregojë vendin Vuçiqit

Kryetari i Rinisë Paneuropiane në landin e Bavarisë dhe nënkryetar federal i Rinisë Paneuropiane në Gjermani, Christian Hoferer, kritikoi ashpër publikimin më të fundit të Presidentit Serb Aleksandar Vuçiq në Instagram, ku harta e Kosovës shihet e mbuluar me flamurin e Serbisë.
“Veprime të tilla janë jo vetëm kundërproduktive për dialogun Kosovë-Serbi, por ato rrezikojnë gjithashtu stabilitetin e Evropës Juglindore në tërësi”, thuhet në një reagim të zotit Hofere.
Publikimi i Vuçiç në mediat sociale dëshmon për dëshirën e tij të qartë për të provokuar në vazhdimsi. Kjo sjellje e tij, gjithashtu shtron pyetjen nëse Qeveria e Serbisë vërtetë është e interesuar për një dialog serioz dhe të sinqertë?!”, thuhet tutje në reagim.
“Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është i paprekshëm. Kjo vlen si për shkëmbimin e territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ishte temë e diskutuar në të kaluarën, ashtu edhe për sa i përket shtetësisë së Kosovës në tërësi”, thekson Hoferer.
“Partnerët ndërkombëtarë – para se gjithash Bashkimi Evropian – janë të thirrur t’ia tregojnë vendin Vuçiqit”. Hoferer ia kujton presidenti të Serbisë, Aleksander Vuçiq se “nga viti 1998 deri në 2000 ai ishte Ministër i Propagandës në regjimin e Sllobodan Millosheviqit.
“Vuçiq është njër prej atyre që mban përgjegjësi thelbësore për krime lufte të kryera nga usthria dhe policia serbe ndaj popullatës së pafajshme civile shqiptare të Kosovës”, theksohet në fund të reagimit të Kryetarit të Rinisë Paneuropiane në landin e Bavarisë dhe nënkryetar federal i Rinisë Paneuropiane në Gjermani, Christian Hoferer.

8 të vdekur vdekur nga Covid, 828 raste të reja dhe 744 të shëruar
Njoftimi plotë nga IKSHPK!
744 TË SHËRUAR DHE 828 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 5.102 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 828 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 2 raste (64, 77 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (77 vjeç), Gjakovë 1 rast (64 vjeç), Obiliq 1 rast (84 vjeç), Rahovec 1 rast (72 vjeç), Shtime 1 rast (68 vjeç), Viti 1 rast (69 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 80.621 raste nga 375.967 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.744 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 744 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 67.065 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.812.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 361 raste, Vushtrri 65 raste, Mitrovicë 59 raste, Podujevë 41 raste, Pejë 37 raste, Gjilan 34 raste, Gjakovë 29 raste, Lipjan 29 raste, Ferizaj 27 raste, Obiliq 15 raste, Prizren 15 raste, Fushë-Kosovë 12 raste, Kamenicë 12 raste, Shtime 11 raste, Klinë 10 raste, Suharekë 10 raste, Drenas 9 raste, Deçan 8 raste, Malishevë 8 raste, Skenderaj 7 raste, Viti 7 raste, Kaçanik 6 raste, Rahovec 6 raste, Dragash 3 raste, Istog 3 raste, Novobërdë 3 raste dhe Hani i Elezit 1 rast.
Të nderuar qytetarë!
Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 828 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Vetëm në Prishtinë janë raportuar 361 raste pozitive. Shprehim ngushëllime familjarëve për 8 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.
Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.
Andaj rekomandojmë edhe një herë:
1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;
4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprenë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.
IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.
Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.
Qytetarë të nderuar,
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbani në mend:
FYTYRA E MBULUAR ME MASKË!
DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!!

Hoti i reagon Vuçiqit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti i ka reaguar presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, pasi ky i fundit bëri skandal me hartën e Kosovës.
Hoti këtë veprim të Vuçiqit e quan vazhdimësi të qasjes destruktive nga ana e Serbisë.
Ai ka thënë se pavarësisht provokimeve, Kosova vazhdon rrugën drejtë NATO-së.
Postimi i plotë:
Deklarata e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tregon qasjen destruktive që ka pasur në vazhdimësi fqinji ynë verior në raport me Republikën e Kosovës, përkundër zotimeve të shumta që Serbia i ka bërë, nën garancat e faktorit ndërkombëtar, për paqen, stabiliteti dhe prosperitetin e rajonit.
Megjithë provokimet që vijnë nga fqinji ynë verior, Republika e Kosovës, përmes angazhimit dhe vendosmërisë, sigurt po vazhdon rrugëtimin drejt anëtarësimit sa më të shpejtë në NATO, Bashkimin Evropian dhe në të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare.

Nisin hetimet disiplinore ndaj prokurorit Agron Uka, që rikualifikoi vrasjen e Agonis Tetajt

Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Arben Kadriu ka ushtruar në Këshillin Prokurorial të Kosovës kërkesën për inicimin e procedurës disiplinore ndaj prokurorit Agron Uka, i cili ishte duke e ndjekur penalisht rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, shkruan Gazeta Express.
Kërkesa për inicimin e procedurës disiplinore erdhi pas dyshimeve për mos trajtim të duhur të rastit të vrasjes së Agonis Tetaj nga ana e prokurorit Agron Uka, i cili edhe u largua nga ky rast me vendim të kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi. Kjo pasi ai e rikualifikoi këtë rast nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje nga pakujdesia”

Greva e transportit rrugor/ Policia në Prishtinë nuk po i lejon taksitë ilegale të punojnë, qytetarët mbesin në rrugë

Sot është dita e tretë e grevës së Transportit Rrugor urban dhe atij ndërurban.
Si pasojë e kësaj, qytetarët po detyrohen t’i përdorin taksitë ilegale për të qarkulluar, transmeton Indeksonline.
Por, Policia në Prishtinë nuk po i lejon taksitë ilegale në linjën për Podujevë të punojnë. Për shkak të kësaj, qytetarët po e kanë të vështirë të qarkullojnë.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë se në protestën e sotme ishin rreth 250 autobusë ku operatorët ekonomikë shprehën pakënaqësi, duke lëvizur nëpër kryeqytet.
Ai ka thënë se deri në plotësimin e kërkesave, greva do të vazhdojë.
Kështu, ende nuk dihet se kur do të kenë mundësi qytetarët e Kosovës të udhëtojnë me autobusëtë çasshëm

Moti
Gjatë dites se shtune parashikohet mot i vranet dhe me shi e gjate nates te reshura te te bores , temperaturat do të lëvizin nga 0 deri në 6 gradë celcius .Ndersa Ne Tirane mot i vranet dhe me shi, temperaturat do te levizin nga 8 deri në 15 gradë celcius .

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 80621 , Të shëruar: 67065 ,të vdekur: 1744
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *