Hën. Mar 4th, 2024

NGJARJET E DITES, E ENJTE 19.11.2020

By Rtv Arbëria Nën 20, 2020

Specialja: Korruptimi i dëshmitarëve, trysnia e zbulimi i hetimeve çuan në paraburgim ish-eprorët e UÇK-së

Në 22 faqe është përmbledhur argumentimi i Zyrës së Prokurorisë së Specializuar se përse katër ish-eprorët e UÇK-së duhet të mbahen në paraburgim. Ish-presidenti Hashim Thaçi është përmendur më së shumti nga ta për dyshimet se nëpërmjet personave të tij të afërt, Abelard Tahiri e Driton Lajçi, ka kryer pagesa të korruptuara për dëshmitarët potencialë të Speciales, për ndikim në dëshmitarë, si dhe ofrim të benefiteve dhe dhënie të udhëzimeve para intervistimit. Veseli së bashku më Thaçin, sipas ZPS-së, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, kanë marrë informata për hetimet që po kryheshin nga Specialja. Ndërkohë, Jakup Krasniqit i janë përmendur qëndrimet publike në rrjetet sociale e Rexhep Selimit ndikimi që, sipas Speciales, ai kishte në hetimet e Policisë së Kosovës
Ndikim të drejtpërdrejtë, sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dyshohet se ka ushtruar ish-presidenti Hashim Thaçi në hetimet e këtij institucioni.
Ministria e Drejtësisë, në kohën e deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, ish-bashkëpunëtor i Thaçit, nëpërmjet divizionit për mbrojtje ligjore për të akuzuarit e Gjykatës Speciale, që deri para një muaji është drejtuar nga Driton Lajçi, sipas Speciales, ka keqpërdorur buxhetin për të ndikuar në hetime.
“Më rishtazi, zyrtarët e Qeverisë, besnikë të Thaçit dhe Veselit, janë vënë në krye të një procesi të pagesave të korruptuara të Qeverisë për dëshmitarët potencialë të Dhomave të Specializuara. Ministri (i atëhershëm) i Drejtësisë, Abelard Tahiri, e caktoi Driton Lajçin në krye të Divizionit për Koordinimin e Procesit të Mbrojtjes Ligjore dhe Përkrahjes Financiare për të Akuzuarit Potencialë në Gjykimet para Dhomave të Specializuara ( Divizioni) brenda Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në dokument.
Më pas sqarohet afërsia e Tahirit me Thaçin.
“Abelard Tahiri ka punuar ngushtë me Thaçin në role të shumta [E redaktuar]. [E redaktuar]. Pak para se të bëhej kryesues i Divizionit, Lajçi kishte punuar si këshilltar i Veselit dhe e ka njohur Thaçin për mbi 25 vjet, pasi kishte qenë anëtar i këshillit formues të PDK-së së Thaçit më 1999”, thuhet aty.
Këto pagesa, sipas arsyetimit të Zyrës së Prokurorisë Speciale, kryesisht nuk kishin të bënin me pagesa sipas ligjit.
“Nën Lajçin, Divizioni kishte procesuar kërkesat për pagesa të pretenduara “shpenzimeve ligjore dhe të udhëtimit” për të dyshimtit që paraqiteshin para Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndonëse Dhoma e Specializuar tashmë ua mbulon të intervistuarve shpenzimet e tilla”, vazhdon dokumenti.
Këto pagesa, sipas kërkesës së ZPS-së, janë paguar pa kritere.
“Është e qartë se paratë e paguara nga Divizioni nuk jepen mbi bazën e kritereve konsistente dhe kanë pak lidhje me shpenzimet e njëmendta. Për shembull [E REDAKTUAR] pranoi [E REDAKTUAR] në lidhje me intervistën njëditëshe në Hagë. [E REDAKTUAR]. Nuk ka prova që [E REDAKTUAR] kishte aplikuar formalisht në Divizion për mbështetje financiare, para se ta pranonte një pagesë të tillë, përderisa aplikacionet e të tjerëve – disa të intervistuar nga ZPS-ja për disa ditë – ende nuk janë miratuar, edhe pas disa muajsh”, thuhet në dokument.
Ish-kryekuvendari Kadri Veseli përmendet për ndërhyrje më pak se Thaçi. Megjithatë, në 22 faqe argumentim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për arrestimin e katërshes së ish-eprorëve të UÇK-së, dy ish-krerët e PDK-së thuhet se e kanë shfrytëzuar Driton Lajçin për të marrë informata së çfarë po ndodhte në Gjykatën Speciale.
“Thaçi dhe Veseli janë mbështetur te besnikët si Lajçi për të raportuar rreth detajeve të hetimeve të ZPS-së”, pretendon ky institucion.
Dokumenti thekson se ka dëshmi se Thaçi iu hakmor një avokati, klienti i të cilit nuk ishte mbrojtur në heshtje, por kishte pranuar të deklarohej në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“Për më tepër pasi [E REDAKTUAR] zgjodhi t’u përgjigjej pyetjeve të ZPS-së, në vend të mbrojtjes në heshtje, ka dëshmi që Thaçi u mundua të sigurohej se avokati që e përfaqësoi [E REDAKTUAR] nuk do t’u caktohej të intervistuarve të tjerë.”, argumentohet nga ZPS-ja.
KOHA të enjten ka tentuar të flasë më Lajçin e Tahirin, por ata nuk kanë dashur të deklarohen rreth pohimeve të ZPS-së.
Thaçi përmendet si person që u ka ofruar benefite personave që ishin ftuar të intervistoheshin nga Gjykata Speciale.
“Pak më pas, [E REDAKTUAR] u takua me [E REDAKTUAR] dhe i ofroi benefite të ndryshme, [E REDAKTUAR]. [E REDAKTUAR] e bëri të qartë se kjo ofertë bëhej në emër të presidentit [Thaçi]”, është një tjetër pretendim i këtij institucioni.
Në një rast tjetër, një tjetër personi që do të intervistohej nga ZPS-ja, Thaçi sipas këtij dokumenti i kishte përcjellë porosi për t’u dakorduar për atë çfarë do të fliste ai gjatë intervistimit.
“Hashim Thaçi nuk do të kufizohet në përdorimin e Divizionit për t’u siguruar që bashkanëtarët e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale do të mbesin në anën e tij përballë hetuesve të ZPS-së. Ai e rregulloi që [E REDAKTUAR] dhe [E REDAKTUAR] ta kontaktojnë [E REDAKTUAR] në prag të intervistimit të tij nga ZPS-ja t’ia përcjellë “se Thaçi dëshironte ta kontaktonte [E REDAKTUAR] apo t’i jepte disa udhëzime”, thuhet aty.
Ish-eprorët e UÇK-së, Sulejman Selimi e Rrustem Mustafa, po ashtu konsiderohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar si pjesë e asaj që ky institucion e quan “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
Angazhimin e tyre në institucionet publike, pak ditë pasi ishin ftuar për intervistim në Gjykatën Speciale, kjo prokurori e ka numëruar si arsye pse Thaçi dhe të tjerët duhet të qëndrojnë në paraburgim. Edhe kjo i atribuohet Thaçit.
“Përpjekjet për ndikimin e dëshmitarëve potencialë, përfshirë anëtarët e emëruar të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, kanë përfshirë edhe angazhimin e tyre në pozita në qeveri. Sylejman Selimi doli nga burgu më 25 janar të vitit 2019 dhe atij iu dërgua menjëherë ftesa e Dhomave të Specializuara, më 29 janar. Brenda 72 orësh pasi iu dërgua ftesa, ai u angazhua “këshilltar” i Qeverisë”, thuhet në këtë dokument publik.
Aty janë përmendur edhe pagesat për Selimin e Mustafën.
“Pas një reagimi publik, SELIMI u lirua nga përgjegjësitë e tij, pak pas intervistimit të tij nga Specialja, në shkurt të 2019-s, por jo para se t’i merrte 15.000 euro si pagë, ani që nuk kishte bërë gati asgjë. Në të njëjtën periudhë kohore, anëtari i emëruar i ndërmarrjes së përbashkët kriminale, Rrustem Mustafa u intervistua nga ZPS-ja, në janar të vitit 2019. Më 14 shkurt, Thaçi e angazhoi si këshilltar me pagë prej 18.000 eurosh në vit – asnjëra prej së cilës shumë nuk u zbulua në publik deri në zbardhjen e saj përmes një raporti të Agjencisë së Kosovës Kundërkorrupsionit”, ka thënë Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Shumë më pak përmendën të akuzuarit e tjerë.
Jakup Krasniqi përmendet për një status publik në Facebook kundër Gjykatës Speciale.
Ndërsa argumentimi për Rexhep Selimin se pse ai duhet të qëndrojë në paraburgim, lidhet me ndikimin që, sipas ZPS-së, kishte ai në Policinë e Kosovës.
“Për më tepër, individët që punuan për Rexhep Selimin implikohen në një tentim [E REDAKTUAR] për vrasje [E REDAKTUAR]. Brenda një ore pas tentim-vrasjes, Selimi tentoi ta thërrasë njërin prej të dyshimtëve dhe Selimi më pas e kontaktoi një polic në Kosovë, duke ia kërkuar ta rimarrë [E REDAKTUAR] që dyshohet të jetë përdorë në tentim-vrasje”, thuhet aty për Selimin.
Citojnë edhe një hetues policor kundër Selimit.
“ Një hetues [E REDAKTUAR] theksoi se “është shqetësim i madh që Rexhep Selimi mund ta thërrasë një polic të Shërbimit Policor të Kosovës në çdo kohë dhe t’i kërkojë ta shfrytëzojë pozitën e tij për sigurimin e provave, që mbase janë përdorur në vepra penale”, është argumentuar aty.
ZPS-ja ka marrë shembull edhe proceset e mëhershme gjyqësore të krimeve të luftës, në të cilat, sipas tyre, janë vrarë, dëshmitarë.
Është përmendur edhe gjuha kërcënuese ndaj Shkelzen Gashit, ish-këshilltar i Albin Kurtit pas deklaratave të tij për krimet e pretenduara të kryera nga njerëz të UÇK-së.
Mbrojtja e katër të akuzuarve, ndonëse të kontaktuar nga KOHA, nuk janë përgjigjur në lidhje me këto pretendime.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë. Ata akuzohen për kryerjen e disa veprave penale që lidhen me krime lufte.

Haliti: PDK duhet të hyjë në Qeveri, Presidenti të jetë propozim i yni

Nënkryetar i PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se kjo parti duhet të hyjë në qeverinë aktuale dhe se nuk ka kushte që tash të mbahen zgjedhjet.
“Unë mendoj që PDK-ja duhet të jetë e gatshme të hyjë në qeveri. Por edhe LDK-ja duhet të jetë e gatshme ta pranojë PDK-në”, ka thënë Haliti.
Sipas tij, nëse arrihet marrëveshja ndërmjet këtyre dy partive, atëherë mandati duhet të shkojë deri në fund.
“Dhe nëse arrihet kjo marrëveshje, atëherë nuk është problem se kush bëhet ministër”.
Ai tha se beson që pozita e presidentit duhet t’i takojë PDK-së.
“Po besoj që presidenti do të duhej të ishte propozim i PDK-së dhe atëherë duhet të diskutohet me të tjerët, edhe me VV-në, pse jo”, ka thënë ai në televizionin publik.

807 persona me infektuar me Covid 19, 677 te sheruar e 14 raste të vdekjes!

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.816 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 807 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 14 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 3 raste (87, 78, 56 vjeç), Fushë-Kosovë 2 raste (69, 51 vjeç), Prishtinë 2 raste (77, 73 vjeç), Gjilan 1 rast (77 vjeç), Kamenicë 1 rast (87 vjeç), Mitrovicë 1 rast (73 vjeç), Podujevë 1 rast (85 vjeç), Rahovec 1 rast (70 vjeç), Shtime 1 rast (61 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (71 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 32.022 raste nga 125.792 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 874 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 677 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 19.024 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.124.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 349 raste, Podujevë 56 raste, Ferizaj 55 raste, Prizren 53 raste, Fushë-Kosovë 44 raste, Gjakovë 40 raste, Gjilan 29 raste, Lipjan 28 raste, Mitrovicë 18 raste, Obiliq 18 raste, Pejë 14 raste, Shtime 12 raste, Kamenicë 11 raste, Suharekë 10 raste, Viti 10 raste, Vushtrri 10 raste, Kaçanik 8 raste, Malishevë 8 raste, Drenas 7 raste, Deçan 5 raste, Rahovec 5 raste, Skenderaj 5 raste, Dragash 2 raste, Graçanicë 2 raste, Istog 2 raste, Klinë 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Kllokot, Novobërdë, Shtërpcë dhe Zubin-Potok.

Ministrja Hardinaj-Stublla bën kërkesë zyrtare për ta vizituar lokacionet e varrezave masive në Serbi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka bërë kërkesë zyrtare për të realizuar të shtunën, me 21 nëntor, një vizitë në vendet e varrezave masive ku ditëve të fundit u gjetën trupat e shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, e që së shpejti pritet të nisë procesi i zhvarrosjes së tyre.
Ajo ka shprehur vendosmërinë e saj për të qenë afër familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre në mënyrën më ç’njerëzore nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, duke lartësuar sakrificën dhe dhimbjen e tyre duke kërkuar përgjegjësinë dhe drejtësinë, 21 vjet pas!
Shefja e diplomacisë kosovare pret që ta realizojë këtë vizitë dhe përmes saj ta sheh nga afër procesin e gërmimeve dhe ta sensibilizojë ndërkombëtarisht të vërtetën kriminale për fshehjen e qëllimshme që është bërë dhe po bëhet nga Serbia të varrezave masive të shqiptarëve nëpër Serbi.

Shpend Ahmeti: Nesër vendoset për dhënien apo jo të 50 eurove për të prekurit me Covid

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka folur në lidhje me idenë për ndarjen e 50 eurove për pacientët e prekur me Covid-19 në komunën që ai udhëheq.
Ai ka thënë se terapia që duhet të përdor një pacientë i prekur nga ky virus, shkon nga 50 deri në 400 euro, e që kjo sipas Ahmetit për një pensioner do të ishte bankrotim.
Andaj ai ka thënë se shpreson që të votohet kjo, duke treguar tutje se dëshira e tyre do të ishte që të bëhet ndarje buxhetore në vlerë 250 euro por se kjo është mundësia aktuale që ka komuna.
Nga 50 deri në 400 euro për gjepin e një pensioneri do të ishte bankrotuese

Policia i gjen prishtinasit në veturë armë me 6 fishekë e një brisk

Sot në ora 15:30 në rrugën “Lekë Dukagjini”, në Dardani, Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti Stacionit policor Jugu, ka ndaluar një veturë e në të cilin një personi i janë gjetur siç mëson IndeksOnline një armë e llojit “Zoraki” me gjashtë fishekë e një brisk.
Tutje i njëjtë gjatë arrestimit ka kanosur zyrtarin policor.
Ndërsa ndaj të njëjtit është hapur rasti me dy vepra penale “Mbajtja e paautorizuar e armes” dhe “Kanosje ndaj personit zyrtar”.
I dyshuari është liruar me vendimi të prokurorit kujdestar. Ndërsa rasti mbetet nen hetime.

MOTI
Mot i ndryshueshëm në Kosovë në pesë ditët e ardhshme
Në Kosovë në pesë ditët e ardhshme do të mbajë mot i ndryshueshëm, ndërsa në mëngjes dhe gjatë natës pritet të ketë mjegull.
Të merkuren pritet të ketë mot me diell dhe pak vranësira, ndërsa nga e marta do të ketë kushte tjera atmosferike, vranësira të dendura të përcjella me reshje shiu, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Temperaturat minimale pritet të sillen nga 0 deri në minus 1 gradë Celsius. Reshjet e shiut në viset e larta malore mund të shoqëroren edhe me fjolla të borës.
Temperaturat maksimale pritet të sillen nga 5 deri 14 gradë Celsius.
Të premten parashikohet mot pjeserisht me diell, temperaturat do të levizin nga -1 deri 8 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 8-21 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 32022. Të Shëruar: 19024. Të vdekur:874
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *