Enj. Pri 25th, 2024

NGJARJET E DITES , E HENE 08.02.2021

By Rtv Arbëria Shk 8, 2021

Kurti dhe Osmani nisin ecjen edhe në Viti

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti i shoqëruar nga numri dy në listën e partisë së tij, Vjosa Osmani dhe shumë mbështetës të Vetëvendosjes, tashmë ka nisur ecjen e tij nëpër sheshin “Njazi Azemi” në Viti.
Në këtë tubim të shumë janë edhe flamujt kombëtar. Në shesh janë një numër shumë i madh i simpatizantëve të LVV-së.
Ndërkohë, ata gjatë ditën kanë qenë edhe në Kamenicë. Vjosa Osmani ka shkruar në Facebook se Kamenica e gatshme për ndryshim.
“U zotuam se me një shumicë parlamentare që do ta marrë besimin më 14 shkurt do ta bëjmë të mundshme një perspektivë, në të cilën shteti është përveç se garantues edhe lehtësues i jetës së qytetarëve”, ka shkruar ajo.

Daut Haradinaj takon përfaqësuesit e Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, kërkon nga Banka Qendrore t’i dalë në ndihmë gastronomisë

Ish-Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, njëherësh edhe kandidat për deputet, Daut Haradinaj së bashku me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Tahiri, kanë pasur takim me përfaqësues të Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës.
“Së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Tahiri takuam Odën e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, ku biseduam për hallet e gastronomeve gjatë kësaj periudhe. E dimë se janë kohëra tepër të vështira për ta dhe ne edhe njëherë i siguruam për përkrahjen tonë të parezervë!”, ka shkruar Haradinaj përmes një statusi në Facebook tha se synojnë që Banka Qendrore të japë mundësinë e kredimarrjes për bizneset e gastronomisë.
“Qeveria ta rikthejë taksën në 8%, të zgjatet orari i punës për të paktën edhe 2 orë dhe të lejohet hapja e ahengjeve, me respektim të masave anti-covid”, shkroi Haradinaj.
Postimi i plotë:
Së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Tahiri takuam Odën e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, ku biseduam për hallet e gastronomeve gjatë kësaj periudhe. E dimë se janë kohëra tepër të vështira për ta dhe ne edhe njëherë i siguruam për përkrahjen tonë të parezervë!
Ndër të tjerash, në synojmë që Banka Qendrore të japë mundësinë e kredimarrjes për bizneset e gastronomisë, Qeveria ta rikthejë taksën në 8%, të zgjatet orari i punës për të paktën edhe 2 orë dhe të lejohet hapja e ahengjeve, me respektim të masave anti-covid.
Në të njëjtën kohë u dakorduam që Parlamenti i ardhshëm të vendosë për amnisti ndaj të gjithë atyre që u gjobitën në 12 muajt e fundit. Të gjitha këto kërkesa e kanë mbështetjen tonë të plotë!

3 të vdekur nga Covid, 290 raste të reja dhe 189 të shëruar

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:

189 TË SHËRUAR DHE 290 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.388 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 290 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 3 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 1 rast (53 vjeç), Klinë 1 rast (80 vjeç) dhe Rahovec 1 rast (73 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 62.548 raste nga 252.163 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.526 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 189 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 54.231 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.791.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 120 raste, Prizren 25 raste, Gjakovë 19 raste, Pejë 19 raste, Podujevë 18 raste, Lipjan 16 raste, Fushë-Kosovë 9 raste, Ferizaj 8 raste, Obiliq 8 raste, Rahovec 8 raste, Vushtrri 7 raste, Gjilan 6 raste, Mitrovicë 6 raste, Suharekë 4 raste, Kamenicë 3 raste, Deçan 2 raste, Dragash 2 raste, Istog 2 raste, Klinë 2 raste, Shtime 2 raste, Viti 2 raste dhe me nga një rast komunat Kaçanik dhe Skenderaj.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!!

Shkeljet gjatë fushatës zgjedhore, PZAP shqipton gjoba për LDK-në, PDK-në dhe AAK-në

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka shqyrtuar 9 ankesa të paraqitura në këtë institucion që kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore.
Nga këto ankesa 8 kanë pasur të bëjnë me fushatën zgjedhore kurse një ka qenë për mos emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit.
“Prej 8 ankesave të vendosura, PZAP- i ka Pranuar të bazuara 6 ankesa ndërsa 2 ankesa i ka refuzuar të pabazuara: AAK-së i janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 10,700.00 euro, LDK-së i janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 4,000.00 euro, dhe PDK-së i janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 2,000.00 euro. Gjithsejte janë shqiptuar gjoba në shumë prej 16,7000.00 euro”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.
Natyra e ankesave kryesisht është për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike: Përdorimi i aseteve dhe objekteve publike gjate fushatës zgjedhore, vendosja e billbordeve ne hapësirat e subjekteve tjera politike, përdorimi i personave të mitur gjatë fushatës dhe vendosja e posterave në rrugë publike..

Deri më tani 3 mijë zarfe kanë arritur nga diaspora

Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj, gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së ka bërë të ditur se të shtunën ka arritur kontigjenti i parë me vota nga diaspora.
Ai ka thënë se kanë arritur 3 000 mijë zarfa nga posta e shpejtë.
“Kemi zhvilluar komunikimin me ta për votat me postë, po ashtu edhe përmes postave të shpejta dhe të njëjtën do ta përdorim. Të shtunën i kemi marr diku rreth 3 000 zarfe nga posta e shpejtë dhe ky është kontigjenti i parë. Jemi në fazën e furnizimit dhe shërbimeve për t’i kryer këto aktivitete, jemi në fazën e trajnimit të këshillave të vend votimeve. Janë bërë të gjitha përgatitjet dhe janë shpërndarë kabinat e votimit, dhe sipas informacioneve pritet që fletëvotimet të arrijnë të premten në Kosovë shtypja e fletëvotimeve dhe nuk kemi pasur mundësi të shkojmë t’i shohim nga afër për shkak të pandemisë”, tha Ahmetaj,.

Të enjten mbahet seanca e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Më 11 shkurt (e enjte) do mbahet konferenca e tretë në lidhje mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Nga njoftimi i publikuar nga Gjykata Speciale- Dhomat e Specializuara, bëhet e ditur se seanca do fillojë nga ora 11:00, thuhet në njoftim, transmeton Indeksonline.
Ecuria e çështjes gjyqësore parashihet me rregullën 96 të Rregullores së procedurës dhe provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK).
Pika “(1) Gjykatësi i procedurës paraprake mbledh një konferencë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore sa më shpejt që të jetë e mundur pas paraqitjes së parë të të akuzuarit dhe më pas nëse del e nevojshme për: (a) organizimin e shkëmbimeve midis palëve dhe, kur është e zbatueshme, të mbrojtësit të viktimave për të mundësuar përgatitje të shpejtë për gjykimin; (b) ndërmarrjen e hapave që mundësojnë çdo përgatitje të nevojshme prej palëve në mënyrë të zellshme dhe në kohë; dhe (c) rishikimin e ecurisë së çështje gjyqësores dhe që palëve, e kur është e zbatueshme mbrojtësit të viktimave, t’u jepet mundësia e ngritjes së problemeve në lidhje me çështjen gjyqësore”, thuhet në pikën e parë të rregullës së sipërpërmendur.
Pika “(2) Me pëlqimin me shkrim të të akuzuarit që jepet pas këshillimit me mbrojtësin e vet të specializuar, konferenca për ecurinë e çështjes gjyqësore në bazë të kësaj rregulle mund të mbahet: (a) në praninë e të akuzuarit dhe me pjesëmarrjen e mbrojtësit të specializuar nëpërmjet videokonferencës; (b) në praninë e mbrojtësit të specializuar dhe me pjesëmarrjen e të akuzuarit nëpërmjet videokonferencës; dhe (c) në mungesë të të akuzuarit me praninë e mbrojtësit të specializuar, ose pjesëmarrjes së mbrojtësit të specializuar nëpërmjet videokonferencës”, thuhet në pikën e dytë të Rregullores së procedurës dhe provave të DHSK-së.

Donald Tusk: Avdullah Hoti, kandidati më i mirë për kryeministër të Kosovës

Presidenti i Partive Popullore Evropiane (EPP), Donald Tusk, i ka dhënë mbështetje të fuqishme për zgjedhjet e 14 shkurtit, kandidatit të LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti.
“LDK ka eksperiencën e duhur për t’u përballur me sfidat e Kosovës. Për këtë arsye ne i japim mbështetje të plotë kryeministrit Avdullah Hoti, dhe ekipit të tij në LDK në zgjedhjet e 14 shkurtit. I besoj eksperiencës së kryeministrit, posaçërisht në ndërmarrjen e reformave ekonomike, ai po ashtu e din më së miri si të avancojë me shumë Kosovën drejt rrugës evropiane, pa retorikë popullsitë. Jam i sigurt se LDK do të bëjë me të mirën për ta drejtuar vendin në menaxhimin e pandemisë dhe krizës shëndetësore dhe do të bëjmë më të mirën për të përmirësuar ekonominë e goditur nga pandemia. Kur e shoh listën garuese të LDK-së me kaq eksperiencë, nuk kam pikë dyshimi se ju do t’ia dilni, fillimisht duke i fituar zgjedhjet të cilat duhet të jenë fer dhe të lira”, ka thënë Tusk në një adresim për qytetarët e Kosovës.
Sipas tij, kandidatura e Avdullah Hoti, për kryeministër është më e mira për Kosovën.
“Në këto kohë të turbullta, vetëm një ekip i tillë me eksperiencë do të ketë sukses për ta zhvilluar Kosovën, duke i ofruar asaj zhvillim e prosperitet, duke siguruar drejtësi të pavarur, media të lira dhe luftë kundër korrupsionit, duke forcuar sundimin e rendit dhe ligjit, ndarjen e pushteteve dhe qeverisjen në mënyrë transparente. Ju bëjë thirrje që të jeni të bashkuar dhe të fortë, rreth kandidaturës së Avdullah Hoti, e cila është më e mirë për Kosovën. Duhet t’i ofroni atij dhe ekipit të tij një mandat të qartë të dielën e 14 shkurtit”, tha presidenti i Partive Popullore Evropiane (EPP), ku LDK është anëtare.
Tusk e ka përmbyllur mesazhin e tij duke kujtuar vizionin e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, për Kosovën.
“ Me lejoni ta mbylli duke iu referuar vizionit të Rugovës, që ishte avokat i madh për qëllimin e tij, për një Kosovë demokratike, me shoqëri politike tolerante, dhe me ekonomi të zhvilluar, të integruar në Bashkimin Evropian. Avdullah Hoti e ka dëshmuar se vepron në këtë frymë. Ai ka dëshmuar se mund të hap dyert për një të ardhme të suksesshme për Kosovën. Ne do të vazhdojmë të jemi partner i tij dhe LDK mund të llogaris në mbështetjen time dhe të familjes politike të Partive Popullore Evropiane, Shteti, shtet”, ka thënë Tusk ne mesazhin e tij.

Moti
Të marten parashikohet mot i vranet, me te reshura te shiut temperaturat do të lëvizin nga 7 deri në 11 gradë celcius. Mot me me shi edhe në Tiranë,me temperatura nga 10 deri në 15 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 62548 , Të shëruar:54231 ,të vdekur:1526
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *