NGJARJET E DITËS , E HËNË 09.11.2020

Avokati David Hooper kundërshton sjelljen me pranga të Thaçit, gjykatësi thotë se s’ka trajtim të veçantë për të

Hooper ka thënë se është habitur kur e ka parë Thaçin të sillet në dhomën e gjykimit me pranga në duar.
Ai ka thënë se kjo është për të ardhur turp.
Hooper ka thënë “nuk jeni organ ndëshkimi, nuk besoj se jeni kështu, shpresoj të jetë kështu, e të mos uleni integritetin e personit deri në at pikë”.
Ndërkaq gjykatësi i procedurës paraprake ka thënë se nuk ka trajtim të posaçëm për Thaçin sa i përket prangave.
“Sa i takon prangave, nuk ka trajtim të posaçëm për klientin tuaj, është procedurë që aplikojmë për çdo person që vjen në sallën e gjyqit”, ka thënë ai.

Krasniqi thotë se që nga dita e arrestimit nga Specialja, u trajtua si kriminel

Ish-kryekuvendari Jakup Krasniqi ka thënë se që nga 4 nëntori kur edhe u arrestua, është trajtuar si kriminel nga Dhomat e Specializuara.
Ai tutje ka shtuar se krijimi i një tribunali etnik ndaj shqiptarëve ishte qëllim i Akademisë së Shkencave të Serbisë, duke shtuar se ajo u realizua.
“Unë mendoj që megjithëse akuza që ka të bëjë me mua, mendoj që ndoshta janë procedurat e dhomave të specializuara por këto procedura që janë ndjek nga mëngjesi i 4 nëntorit e deri sot, konsideroj që janë të papërshtatshme për mua, për faktin se unë ndjehem krejt i pafajshëm dhe asnjë arsye nuk ka pasur që të jem këtu.
“Ju e dini që për ish-Jugosllavinë ka qenë një tribunal dhe ka pasur të akuzuar nga Kosova, unë kam qenë dy herë dëshmitarë, e kam thënë krejt atë që kam pasur ta them, dhe po të kishte një dëshmi apo fakt unë jam i bindur se Tribunali i Hagës do të më dënonte, unë e shoh këtë si përpjekje të fundit. Në vitin 2006 Akademia e Shkencave të Serbisë e ka bërë këtë përpjekje, të ndërtojë një Tribunal për Kosovën dhe ia arriti qëllimit duke krijuar një tribunal etnik. Mua më dhemb shumë sepse është padrejtësi e madhe. Unë po i kuptoj ata njerëz që sillen kështu me mua sepse mendojnë që jam kriminel, unë jam intelektual por jam detyruar të luftojë kundër Serbisë”, ka thënë ai…

13 të vdekur dhe 637 raste të reja me COVID-19 sot në Kosovë

13 persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19 në Kosovë në 24 orët e fundit, ndërsa janë regjistruar edhe 637 raste të reja me koronavirus.
Numri total i të vdekurve si pasojë e COVID-19 ka arritur në 768, ndërsa I të infektuarve në 24.792.
Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 3 raste (81, 74 dhe 70 vjeç), Prizren 2 raste (71 dhe 65 vjeç), Fushë Kosovë 1 rast (54 vjeç), Gjakovë 1 rast (81 vjeç), Istog 1 rast (65 vjeç), Lipjan 1 rast (73 vjeç), Pejë 1 rast (46 vjeç), Prishtinë 1 rast (65 vjeç), Suharekë 1 rast (85 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (70 vjeç).
Në 24 orët e fundit janë shëruar edhe 104 pacientë, duke çuar shifrën totale të shëruarve në 16.226, ndërsa janë 7798 raste aktive.
Janë testuar 1712 mostra në 24 orët e fundit, siç ka njoftuar IKSHPK-ja, dhe sërish Prishtina po prin me raste të reja, 324. Në Gjilan janë regjistruar 66 raste, në Ferizaj 50, në Fushë Kosovë 43, në Mitrovicë 25, në Podujevë 22, në Vushtrri 20, në Lipjan 15, në Prizren 12, në Obiliq 8, në Kamenicë 6, në Pejë 6, në Suharekë 6, në Rahovec e Shtime nga pesë, në Viti 4, në Drenas, Gjakovë, Kaçanik, Malishevë nga tri, në Han të Elezit dy dhe nga një në Dragash, Junik, Klinë, Mamushë, Novobërdë e Skenderaj..

Masat që pritet të hyjnë në fuqi nga nesër

Ministria e Shëndetësisë do të ndërmarrë masa të reja kufizuese për qytetet varësisht numrit të rasteve pozitive që kanë. Qytetet ndahen në tri zona të rrezikshmërisë: zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë. Këto masa që do të jenë një javore, pritet të hyjnë në fuqi nga dita e martë e kësaj jave, shkruan Gazeta Express
Ministria e Shëndetësisë pritet që sot gjatë ditës të publikojë masat e reja anti-Covid të cilat do të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme.
Në bazë të rasteve të fundit, MSh do të publikojë edhe renditjen e komunave në secilën zonë të rrezikshmërisë së përhapjes së COVID-19.
Gazeta Express mëson se në komunat që renditen në zonën e gjelbër, me rrezik më të ulët të përhapjes së infeksionit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 19:00.
Transporti publik në këto komuna do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.
Taksitë do të lejohen të punojnë me 1 pasagjer prapa, ndërkaq lejohen tre pasagjerë nëse ata janë anëtarë të një familjeje.
Qendrat tregtare në këto komuna do të lejohen të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 7 të pasdites, ndërkaq edhe gastronomisë e hotelerisë i ndalohet puna pas orës 19:00, përveç shërbimit “merr me vete”.
Express mëson se masa restriktive do të ketë edhe për komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë.
Në këto komuna, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 06:00 deri në orën 18:00.
Transporti publik do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve, derisa taksitë do të lejohen të punojnë me një pasagjer prapa, përveç në rastet kur janë anëtarë të një familjeje, lejohet të jenë deri në pesë pasagjerë.
Qendrat tregtare në komunat që bëjnë pjesë në zonën e gjelbër do të lejohen të punojnë nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 6 të mbrëmjes, derisa edhe hotelerisë e gastronomisë i ndalohet veprimtaria pas orës 18:00.
Komunat që janë në zonën e kuqe, në atë të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së koronavirusit do të kenë masa më të rrepta.
Në ato komuna do të ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve përveç personelit shëndetësor, personelit të sigurisë, drejtësisë dhe studentëve.
Hyrja do të ju lejohet edhe qytetarëve që kanë nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale të ushqimit dhe barnave për njerëz dhe kafshë.
Po ashtu, do të lejohet hyrja e operatorëve ekonomikë dhe transportit të lirë të mallrave apo shërbimeve që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit.
Kompanitë ndërtimore dhe operatorët që kryejnë punë publike do të lejohen po ashtu.
Gastronomisë do t’i ndalohet puna, përveç shërbimit “merr me vete”, “porosi me dërgesë” dhe “shërbimit për mysafirët e hotelit”.
Edhe qendrave tregtare do të ju ndalohet veprimtaria.
Institucionet publike dhe private do të punojnë vetëm me stafin esencial.
Taksitë do të lejohen të punojnë vetëm me një pasagjer, ndërkaq nëse janë anëtarë të familjes do të lejohen tre pasagjerë.
Në qytetet që janë në zonën e lartë të rrezikshmërisë së përhapjes së koronavirusit do të ndalohen aktivitetet kulturore.
Po ashtu, do të ndalohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, përveç garave të ligës kombëtare dhe ndeshjeve për kualifikime ndërkombëtare.
Puna do të ju ndalohet edhe fitneseve e pishinave të mbyllura.
Komunat në zonën e kuqe deri para dy ditësh kanë qenë: Prishtina, Fushë Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Podujeva dhe Shtimja. Në zonën e gjelbër kanë qenë: Prizreni, Dragashi, Klina, Istogu, Malisheva etj. Në zonën e verdhë kanë qenë: Ferizaj, Kamenica, Skenderaj, Vushtrria, Mitrovica, Drenasi, Mitrovica e Veriut, etj. Këto të dhëna kanë ndryshuar dhe do të përditësohen pas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 637 raste të reja me koronavirus.
13 persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit, ndërkaq janë shëruar 104 të tjerë.
Numri i rasteve aktive me koronavirus në Kosovë është 7 mijë e 798

Mustafa: Nëse nuk ka marrëveshje për presidentin, zgjidhje janë zgjedhjet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nuk e ka mohuar përkrahjen e një kandidati të Partisë Demokratike të Kosovës për president të vendit, por tha se ende nuk e kanë biseduar një gjë të tillë me drejtues të kësaj partie. E në rast se nuk ka një marrëveshje politike për presidentin, Mustafa tha se zgjidhje janë zgjedhjet.
Kreu i LDK-së pas takimit me shefin e grupit parlamentar të partisë në Kuvend, para gazetarëve tha se ajo që ka dalë në media se presidenti i takon PDK-së, nuk e ka thënë këtë në mënyrë eksplicite, por ka folur vetëm për parime dhe numrin deputetëve në Kuvend..

MOTI

Të marten parashikohet mot me diell . Temperaturat do të levizin nga 0 deri 12 gradë Celsius. Mot i ngjashem në Tiranë, me temperatura nga 8-23 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:

Total raste: 24792.Të Shëruar: 16226. Të vdekur:768
www.rtvarberia.com
Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *