Mar. Shk 27th, 2024

NGJARJET E DITËS, E HËNË, 24.05.2021

By Rtv Arbëria Maj 24, 2021

Nesër takimi mes Kurtit dhe Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj do të takohen nesër.
Kështu ka konfirmuar për Indeksonline zëdhënësi i AAK-së, Lulzim Blakaj.
Ai u shpreh se takimi mes tyre do të mbahet nesër në ora 12:00.
Përveç Haradinajt, Kurti u ka dërguar ftesë edhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut dhe kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhajt.
Takimi do të jetë në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti ka deklaruar vazhdimisht se për çështjet me interes nacional do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim të mirëfilltë me partitë dhe liderët opozitarë..

Kosova përkrahet nga Kroacia me 10 mijë vaksina kundër Covid-19

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm Naim Bardiqi, kanë takuar sot Ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq.
Në takim, Ministri Vita ka njoftuar Ambasadoren Barishiq me ecurinë e vaksinimit të grupeve prioritare sipas Planit shtetëror të Vaksinimit, mënyrën se si institucionet e Kosovës po ballafaqohen me pandeminë Covid-19 dhe sfidat në sistemin shëndetësor gjatë kësaj kohe.
Gjatë këtij takimi, është nënshkruar marrëveshja për 10 mijë doza të Vaksinës kundër Covid-19, në përkrahje të Republikës së Kosovës.
Në këtë drejtim, Ministri Vitia i ka shprehur mirënjohen në emër të Qeverisë së Kosovës për bashkëpunimin e qëndrueshëm dhe mbështetjen konkrete në përballjen me Covid-19.
Ambasadorja Barishiq theksoi rëndësinë e zbatimit të masave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik.

Hamza: PDK ka deponuar iniciativën për ndryshimin e Ligjit për TVSH për t’i ndihmuar bizneset dhe qytetarët e Kosovës

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka njoftuar që PDK ka deponuar një iniciativë ligjore lidhur me Ligjin për TVSH, qëllimi i së cilës është përkrahja dhe reformimi i sektorit privat.
Hamza ka theksuar se një prej çështjeve më të rëndësishme që do t’i trajtojë ky ligj është kalimi i pagesës së TVSH-së në brendi, jo në kufi, gjë që do të ndikojë në uljen e kostos për bizneset.
“Është një reformë e madhe, e cila duhet të ndodhë dhe është dashur të ndodhë më herët, por për shkak të mungesës së stabilitetit politik është shtyrë. Gjithashtu, ka edhe lehtësi të tjera siç është rasti i mospagesës së TVSH-së për lëndën e parë të prodhuar brenda Kosovës. Sepse është absurditet nëse lënda e parë që prodhohet dhe importohet jashtë Kosovës të lirohet prej pagesës së TVSH-së, ndërsa për produktet të cilat prodhohen në Kosovë, për lëndë të parë të bëhet pagesa e TVSH-së. Kjo i krijon biznesit likuiditet dhe e kursen nga kredia dhe interesat e ndryshme që biznesi ka qenë i shtyrë deri më sot t’i marrë për ta paguar TVSH-në.”, ka thënë ai.
Hamza ka njoftuar se me këtë projektligj të gjithë qytetarëve të Kosovës do t’iu zgjerohet lista me gjëra ushqimore për përdorim të përditshëm, sepse do të paguajnë TVSH me normën 8 për qind për gjërat e përditshme ushqimore.
“Shërbimi i bluarjes së drithërave është vendosur të tatohet me normë të sheshtë prej 8 për qind. Do të lirohen nga TVSH librat, librat shkollorë dhe publikimet serike. Furnizimi i shërbimeve të transportit publik të udhëtarëve dhe bagazhit të tyre, me çmime të rregulluara nga autoriteti kompetent shtetëror” është bartur te norma e reduktuar ne mënyrë qe të kenë të drejtë të zbritjes së TVSH-së.”, ka thënë ai.
Sipas Hamzës, me këtë projektligj shuma e kreditimit e cila mund të kërkohet të rimbursohet është ndryshuar nga tre mijë euro në një mijë euro në mënyrë që bizneset e vogla të cilat janë në kreditim të kenë mundësi të rimbursohen.
“Me këtë projektligj është paraparë që transporti ndërkombëtar i pasagjerëve dhe transporti i mallrave të tyre shoqëruese, të lirohet nga TVSH në mënyrë që të harmonizohet me direktivat e BE-së si dhe shumë ndryshime procedurale për ta liruar biznesin nga baza administrative dhe burokracia. Unë shpresoj që edhe deputetët e partive tjera politike do ta përkrahin këtë projektligj dhe gjithashtu jemi të hapur për gjithçka që e përmirëson përmbajtjen e tij. Presim edhe bashkëpunim me qeverinë. Paraprakisht, ne e kemi konsultuar këtë projektligj edhe me asociacionet e bizneseve dhe bizneset dhe është prej reformave që duhet të ndodhë gjithsesi”, ka përfunduar Hamza.

Të mërkurën diskutohet për masat e reja kundër Covid-19

Të mërkurën ministri Shëndetësisë Arben Vitia do të mbajë një takim virtual me kryetarët e komunave.
Media ka mësuar nga burime të saja se në takim do të diskutohet për situatën me pandeminë e COVID-19 e po ashtu edhe për masat e reja kundër COVID-19.
Gjatë takimit do të flitet edhe për vaksinimin e qytetarëve.
Nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit, kanë bërë të ditur sot se gjatë ditës së mërkurë do të diskutohet edhe për mbajtjen e dasmave.
Kujtojmë që gastronomët tashmë një kohë po kërkojnë që të largohet ora policore.

1 i vdekur, 93 të shëruar dhe 14 raste me Covid-19

Njoftimi i Plotë nga IKSHPK

93 TË SHËRUAR DHE 14 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 1.904 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 14 raste pozitive.
Brenda 24 orëve është raportuar 1 rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rasti i vdekjes është nga komuna: Rahovec 1 rast (71 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 107.258 raste nga 593.728 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.240 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 93 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 101.467 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.551.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 4 raste, Ferizaj 2 raste, Mitrovicë 2 raste dhe me nga një rast komunat Deçan, Fushë-Kosovë, Gjakovë, Gjilan, Kaçanik dhe Vushtrri.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën! Respektoni distancën!

Hamiti i LDK-së e kujton Ibrahim Rugovën: Ati Themeltar i shtetit të Kosovës

Ish-këshilltari i ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe anëtari i Kryesisë së LDK’së, Muhamet Hamiti ka përkujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova duke vizituar ‘Shtëpinë e Pavarësisë’.
Ai ka thënë se ky vend i ngjall kujtime të së kaluarës ku ka punuar me ish-presidentin Rugova të cilin e quan ‘Ati Themeltar i shtetit të Kosovës’.
“Shënohet sot Dita e Presidentit të Kosovës, në nderim të ditës kur para 29 vjetësh, më 24 maj 1992, u organizuan zgjedhjet e para presidenciale e parlamentare në Republikën e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh atëherë kryetar i Republikës së Kosovës me votë plebishitare nga populli.”, tha Hamiti.
Ky është postimi i tij i plotë:
NË SHTËPINË E PAVARËSISË SOT
Në Shtëpinë e Pavarësisë në Prishtinë sot, bashkë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, dhe kolegë nga Kryesia e LDK-së.
U ktheva sot në Shtëpinë e Pavarësisë, në selinë e Republikës së Kosovës gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, aty ku kam punuar bashkë me Atin Themeltar të shtetit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën.
M’u kthyen kujtimet për punën misionare që është bërë në atë dekadë të luftës për liri, pavarësi e demokraci të Kosovës. Kujtime e mall për njerëzit e mrekullueshëm, shumë prej të cilëve janë në amshim.
Shënohet sot Dita e Presidentit të Kosovës, në nderim të ditës kur para 29 vjetësh, më 24 maj 1992, u organizuan zgjedhjet e para presidenciale e parlamentare në Republikën e Kosovës.
Ibrahim Rugova u zgjodh atëherë kryetar i Republikës së Kosovës me votë plebishitare nga populli.

Kryeministri Kurti priti në takim përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim e Dialog, Besnik Bislimi, ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Ilir Kapiti, priti në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, z.Ragmi Mustafa me bashkëpunëtorë.
Në takim u bisedua për situatën aktuale në Luginën e Preshevës, në veçanti çështjen e pasivizimit të adresave të banorëve shqiptarë të komunave me shumicë shqiptare, që posaçërisht është intensifikuar në Medvegjë.
Kryeministri Kurti tha që është duke e përcjellë me vëmendje situatën me pasivizimin e adresave të shqiptarëve. Ai tha se përderisa në të kaluarën Serbia tentonte të shpopullojë komunat me shumicë shqiptare me dhunë e tanke, tash po e bën në mënyrë administrative. Kjo fushatë kundër banorëve shqiptarë të Luginës së Preshevës është e papranueshme dhe duhet të ndërpritet sa më parë, tha kryeministri Kurti.
Z. Ragmi Mustafa e falënderoi Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për pritjen në takim e në veçanti për fondet e ndara nga Qeveria Kurti 1, gjatë krizës së pandemisë. Ai paraqiti projekte të ndryshme që komunat me shumicë shqiptare synojnë t’i realizojnë. Kryeministri Kurti dhe z. Mustafa u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Parashikimi i motit:

Gjatë ditës së martë parashikohet mot pjesërisht me diell, me mundesi per te reshura dhe bubullima, temperaturat do të lëvizin nga 12 deri në 29 gradë celcius, Mot me diell në Tiranë me temperatura nga 20 deri në 35 gradë celcius.

Covid-19 në Kosovë:
Total Raste: 107.258 , Të Sheruar: 101.467 , Të vdekur: 2.240 ,Raste aktive:3.551

www.rtvarberia.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *