Sht. Tet 5th, 2024

NGJARJET E DITËS, E MËRKURË 02.12.2020

Qeveria pranon kushtet e PDK-së, siguron numrat për pako emergjente

Mungesa e shumicës së nevojshme në Kuvend, për të kaluar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, ka detyruar koalicionin qeverisës që të pranojnë kërkesat e PDK-së për të siguruar kalimin e pakos së shumëpritur emergjente për zbutjen e ndikimit ekonomik të pandemisë.
Të mërkurën, në Komisionin për Buxhet dhe Financa, deputetët e koalicionit qeverisës kanë përkrahur katër amendamentet e propozuara nga PDK-ja, për të siguruar votat e deputetëve të kësaj partie për të kaluar në lexim të dytë këtë projektligj.
Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, njëherësh anëtar i Komisionit për Buxhet, Bedri Hamza, ka thënë se duke e pasur për bazë situatën ekonomike dhe shëndetësore, nëse merren në konsideratë propozimet e tyre do ta mbështesin projektligjin.
Amendamenti i parë, sipas tij, është që mjetet e tërhequra nga Trusti për ata që kanë të kursyera deri në 9 mijë e 999 euro të kompensohen në formë të rimbursimit, duke filluar nga viti 2023.
Amendamenti i dytë është që lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore të regjistruara dhe aktive në Republikën e Kosovës, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo, lirohet nga TVSH-ja.
Amendamenti i tretë parasheh që të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilat kanë qenë aktive të regjistruara në regjistër të biznesit para datës 29 shkurt 2020, të mbështeten financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë eurosh.
Dhe amendamenti i katërt, të paguhen nga ana e buxhetit të Kosovës pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor dhe dhjetor 2020, të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19 janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj pas datës 29 shkurt 2020 e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj.
Deputetët e pushtetit i kanë përkrahur këto amendamente. Por deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila e ka lidhur me zgjedhjet në Podujevë.
“Kur Hamza e lexoi arsyetimin e rekomandimeve pikën e parë, prita të thotë rezultati i zgjedhjeve në Komunën e Podujevës, për arsye se nuk e ka asnjë arsyetim tjetër që 13 herë ta diskutojmë ne projektligjin për rimëkëmbje ekonomike e të mos jenë këto amendamente, të mos jenë komente, arsyetime qoftë të PDK-së apo edhe deputetëve të tjerë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ndryshimet e pozicioneve vijnë si rrjedhojë jo e dinamikës, por po ndodh për shkak të dinamikës politike.
“Interesi dhe nevojat, kërkesat e tyre po bëhen pjesë e pazarit politik. Duhet shqyrtuar me seriozitet secilin propozim, por dua ta theksoj se do të ishte e drejtë të thuhet se rezultati i zgjedhjeve në një komunë ka sjellë një ndryshim të pozicioneve të partive politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar ajo.
Ndërsa deputeti tjetër i LVV-së, Hekuran Murati, tha se këto katër amendamente sipas llogarive të tij janë 350 milionë euro shtesë, që do t’i shtohen projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, derisa këto amendamente i quajti më shumë dëshira sesa realitet.
Por, atij i është përgjigjur deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha se këto amendamente kanë obligime shtesë, por që jo aq sa thoshte Murati.
Deputetët e partive në pushtet i kanë përkrahur këto propozime.
Pas kësaj, PDK-ja në një konferencë për media ka bërë të ditur se ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për të premten për të kaluar këtë projektligj. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se edhe pse në opozitë, PDK-ja nga fillimi i pandemisë e ka ndjekur me shqetësim gjendjen dhe ka takuar në vazhdimësi Odat Ekonomike dhe qindra biznese e punëtorë të sektorit privat që kanë pritur se shteti do t’u gjendet pranë.
“Me muaj të tërë kemi kërkuar që partitë parlamentare të ulen e të plotësojnë ligjin për rimëkëmbje ekonomike, por në mungesë të vullnetit për bashkëpunim, qeveria e ka propozuar një ligj që në përmbajtje është i mangët dhe ka nevojë të plotësohet”, ka theksuar ai.
Projektligji për Rimëkëmbje ka pesë muaj që është miratuar në Qeveri, por që nuk ka arritur që të kalohet në Kuvend. Vetëm në lexim të parë, partive në pushtet u janë dashur shtatë tentime për ta kaluar.
Projektligji ka 13 nene, dhe është me kohëzgjatje deri në fund të vitit 2021. Pos pikës së shumëpërfolur për tërheqjen nga Trusti, projektligji parasheh ndryshime në TVSH-së e tatime në të ardhura për korporata.
Pika kryesore e këtij projektligji konsiderohet ndryshimi i Ligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, ku synohet krijimi i kompetencave për FKGK-në që të plasohen skema dhe produkte të reja në treg, të rritet përqindja e mbulesës deri në 80 për qind për garancitë kreditore (aktualisht mbulon deri 50 për qind), të lëshojë garanci kreditore për zhvillimin e biznesit për fermerët e regjistruar në mënyrë të rregullt në regjistrin e fermerëve që mirëmbahet nga ministria përgjegjëse për bujqësi dhe të pajisur me numër Identifikues të Fermës, edhe në rastet kur fermeri përkatës nuk ka të regjistruar shoqëri tregtare në ARBK, si dhe në rast nevoje, Qeveria e Kosovës autorizohet të mbulojë tarifat për shërbimet e FKGK-së ndaj institucioneve financiare.
Ndër çështjet më të përfolura ka qenë krijimi i mundësisë që qytetarët të tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale. Sipas Qeverisë, me këtë mekanizëm do të futeshin në treg rreth 200 milionë euro.
Ndryshime është paraparë të ketë edhe në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Projektligji parasheh reduktimin e normës së TVSH-së nga 18 për qind në tetë, për furnizimet e hoteleve, restoranteve, dhe shërbimeve të ushqimit, si dhe lirohen nga norma e TVSH-së transaksionet e sigurimit dhe risigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore, për kulturat bujqësore.
Po ashtu, me këtë projektligj kërkohet që mjetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit të mund të ridestinohen edhe për kategoritë e kërkuara ekonomike, përveç kategorisë së pagave dhe mëditjeve. Pra, do të hiqet kufizimi që mjetet e pranuara nga privatizimi të destinohen vetëm në projektet infrastrukturore.
Me ndryshimet në Ligjin për Tatim në të Ardhurat e Korporatave dhe në Ligjin për Administratën Tatimore synohet që të mundësohet shtyrja e afatit të pagesës së tatimeve të bizneseve deri në dy vjet, sipas kritereve që do të përcaktohen, si dhe lirimi i të gjitha bizneseve nga ngarkesa e interesit për mospagesë të tatimeve, me kusht që të paguhen deri në fund të këtij viti.
Amendamentet e PDK-së
• Mjetet e tërhequra nga Trusti për ata që kanë të kursyera deri në 9 mijë e 999 euro, të kompensohen në formë të rimbursimit, duke filluar nga viti 2023.
• Lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore të regjistruara dhe aktive në Republikën e Kosovës, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo, lirohet nga TVSH-ja.
• Të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilat kanë qenë aktive të regjistruara në regjistër të biznesit para datës 29 shkurt 2020, mbështeten financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë eurosh.
• Të paguhen nga ana e buxhetit të Kosovës pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor dhe dhjetor 2020, të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19 janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj pas datës 29 shkurt 2020 e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj.

Përurohet shtatorja e Rugovës në Istog, Haziri: Në Kosovë nuk ka zgjidhje as zgjedhje pa LDK-në

Në 76-vjetorin e lindjes, presidenti historik Ibrahim Rugova është rikthyer i bronztë në vendlindjen e tij në Istog.
Në ceremoninë e inaugurimit të kompleksit memorial “Dr. Ibrahim Rugova” u tha se do të vazhdohet të ruhet amaneti i tij për miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Hoti ka thënë se zbulimi i kësaj shtatoreje është shenjë kujdesi dhe nderimi i përhershëm i qytetarëve, por edhe institucioneve të Kosovës për prijësin dhe themeluesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton KOHA.
Ai tha se qyteti i Istogut do të ketë edhe një shenjë që nderon këtë qytet, por edhe mbarë Kosovën
“I kam thënë kryetarit Rugova që është e pamundur që të përfillen krejt kushtet që i ka vendosë Ministri i Shëndetësisë, sepse është një ngjarje vërtetë e madhe… Istogut sot po i kthehet simbolikisht në këtë shtatore djali i zgjedhur, të cilin ky qytet ia dha kombit shqiptar për ta shndërruar në prijës dhe në burrështetas të parë të Republikës të Kosovës”, ka thënë Hoti.
Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, tha se përurimi i shtatores së presidentit Rugova, por edhe i Kompleksit Memorial është ditë e rëndësishme për qytetarët e Istogut.
“Për mua është një ditë tepër e rëndësishme, për mu dhe për neve Istogas që kemi arrit ta bëjmë përurimin e shtatores së Presidentit Rugova por edhe të Kompleksit Memorial të hapësirave që janë te konveptume si hapësira muzerale, artistike, kulturore ne kuptimin e afirmimit të vlerave që i ka Istogu”, ka thënë Rugova.
Drejtuesit e LDK-së kanë bërë homazhe edhe tek varri i ish-presidentit, e nga aty nënkryetari i kësaj partie Lutfi Haziri tha se në Kosovë nuk ka as zgjidhje, por as zgjedhje pa LDK-në.
Haziri tha se gara në Komunën e Podujevës nuk duhet të shihet as si fitorja e dekadës, e as si humbja e dekadës.
Ai ka shtuar se humbja e bastionit në Podujevë ka nxjerrë mësim që të bëhen më të fortë, ani pse mohoi se partia po kalon në krizë.

14 të vdekur, 324 të shëruar dhe 555 raste me covid-19!

14 persona kanë vdekur nga Koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit.
Janë regjitstruar edhe 555 raste të reja, derisa 324 persona janë shëruar, përcjell Bota sot.
Njoftimi i IKSHPK-së:
1.340 TESTIME, 324 TË SHËRUAR DHE 555 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.340 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 555 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 14 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 3 raste (82, 75, 69 vjeç), Prishtinë 2 raste (77, 56 vjeç), Gjilan 2 raste (82, 63 vjeç), Prizren 1 rast (76 vjeç), Gjakovë 1 rast (65 vjeç), Kamenicë 1 rast (70 vjeç), Istog 1 rast (78 vjeç), Suharekë 1 rast (81 vjeç), Mitrovicë 1 rast (84 vjeç) dhe Viti 1 rast (78 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 40.672 raste nga 146.703 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.040 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 324 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 25.910 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.722. Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 327 raste, Lipjan 32 raste, Fushë-Kosovë 27 raste, Mitrovicë 23 raste, Obiliq 21 raste, Prizren 21 raste, Podujevë 20 raste, Vushtrri 15 raste, Drenas 14 raste, Malishevë 12 raste, Suharekë 12 raste, Gjilan 7 raste, Graçanicë 4 raste, Kaçanik 4 raste, Gjakovë 3 raste, Skenderaj 3 raste, Ferizaj 2 raste, Istog 2 raste, Rahovec 2 raste dhe me nga 1 rast Kamenicë, Klinë, Pejë dhe Shtime.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën!

Lajçak: Dialogu është në binarë, por nuk është autostradë e shpejtë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak thotë se ky proces është “në binarët e duhur, por nuk është një autostradë e shpejtë”.
“Është më shumë një rrugëtim i gjatë me kthesa”, tha Lajçak, në një ngjarje të organizuar nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, për të diskutuar për situatën në rajon, 25 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnjë e Hercegovinë.
Lajçak tha se është i gatshëm që ta lehtësojë këtë proces, drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
“Unë jam i angazhuar për të lehtësuar dialogun për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse, me të cilën njëherë e përgjithmonë, do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura mes palëve dhe të jetë edhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e BE-së”, tha ai.
Ai po ashtu tha se ishte detyrë e tij që ta zhbllokojë procesin e dialogut, ku prej fundit të vitit 2018 deri në korrik të këtij viti, bisedimet ishin ndalur për shkak të një takse të vendosur nga Kosova ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, që u pasua me masat e reciprocitetit.
I dërguari i BE-së falënderoi kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për lidershipin e treguar, teksa theksoi se në disa takime, palët janë pajtuar për disa tema, që sipas tij do të jenë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
I pyetur nga shefi i delegacionit të Parlamentit të Serbisë se a ka kuptim dialogu pasi Kosova nuk po i përmbush obligimet nga marrëveshjes e arritura më parë, përfshirë edhe atë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Lajçak tha se “nuk duhet pasur frikë se do të arrihen marrëveshjet që nuk do të zbatohen”.
“Jemi shumë të qartë se po negociojmë marrëveshjen e cila do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura mes palëve. Por, në të njëjtën kohë edhe ato që janë arritur si marrëveshje më parë e nuk janë zbatuar, ne duam të bëjmë të qartë se gjithçka për çka është arritur pajtim më parë duhet të zbatohen. Po e diskutojmë këtë, përfshirë edhe afatet kohore, edhe mekanizmat e zbatimit dhe monitorimit. Nuk ka arsye të frikësohemi se marrëveshjet që do të arrihen por nuk do të zbatohen”, u shpreh ai.
Në këtë debat të organizuar nga Komisioni për Politikë të Jashtme të PE-së, Komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi përsëriti qëndrimin e BE-së se bashkëpunimi rajonal është kyç për avancimin në rrugëtimin evropian dhe se në rastin e Serbisë dhe Kosovës kjo nënkupton angazhimin në dialog për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
Varhelyi tërhoqi vërejtjen se ekziston një dallim i madh social në mes të BE-së dhe vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Prandaj, ai tha se BE-ja ka nismën për investime në Ballkan.
Komisioneri Verhely po ashtu përsëriti qëndrimin e BE-së se bashkëpunimi rajonal është kyç për avancimin në rrugëtimin evropian dhe se në rastin e Serbisë dhe Kosovës kjo nënkupton angazhimin në dialog për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
Shumë folës në këtë debat, ku u përfshin edhe përfaqësuesit e parlamenteve nacionale të vendeve anëtare të bllokut dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, thanë se duhet të zvogëlohet ndikimi i Rusisë dhe Turqisë në këtë rajon. Sipas tyre, një gjë e tillë është e mundur vetëm përmes afrimit të këtyre shteteve me BE-në dhe avancimit në procesin integrues. Nisja e negociatave me Maqedoninë e veriut dhe Shqipërinë u përmend si test për kredibilitetin e BE-së në këtë drejtim./REL

Haradinaj-Stublla takohet me shefin e EULEX-it, flasin për vonesën e hapjes së urës mbi Ibër

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, është takuar sot me shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.
Në takimi është biseduar edhe për lëvizjen e lirë, ku shefja e diplomacisë së Kosovës ka vënë në pah vonesën e hapjes së urës mbi lumin Ibër, që është pjesë e konkluzioneve të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes.
Ajo po ashtu ka potencuar progresin e bërë nga institucionet e Kosovës në plotësimin e të gjitha kushteve për liberalizimin e vizave.
“Ministrja Haradinaj-Stublla u shpreh se EULEX mund të ketë rol të rëndësishëm në informimin e vazhdueshëm të Brukselit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për përparimin e Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit. Në këtë kuadër, ajo potencoi progresin e bërë nga institucionet e Kosovës në plotësimin e të gjitha kushteve për liberalizimin e vizave, që duhet të merret në konsideratë nga vendet e BE-së. Ministrja Haradinaj-Stublla dhe shefi i EULEX-it diskutuan edhe për lirinë e lëvizjes, ku shefja e diplomacisë kosovare vuri në pah vonesën e hapjes së urës mbi lumin Ibër, që është pjesë konkluzioneve të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes”, thuhet nga MPJ-ja.
Wigemark në anën tjetër ka thënë se Kosova, përkundër sfidave me të cilat është përballur, ka arritur ta ruajë stabilitetin në vend, duke shënuar progres në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, krahasuar edhe me vendet e rajonit.
Dje Haradinaj-Stublla kishte anuluar gjitha angazhimet dhe vizitat, duke thënë se është izoluar pasi ka qenë rast kontakti dhe se është testuar për koronavirus. Sot gjatë ditës ajo ka treguar se ka rezultuar negative.

Moti

Të enjten parashikohet mot pjeserisht me diell , temperaturat do të levizin nga 2 deri 7 gradë Celsius. Mot i vramet e mundesi per shi në Tiranë, me temperatura nga 10-17 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 40672. Të Shëruar: 25910. Të vdekur: 1040.

www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *