Sht. Pri 20th, 2024

NGJARJET E DITËS, E MËRKURË, 13.01.2021

By Rtv Arbëria Jan 13, 2021

Osmani kundërshton deklaratat e Lajçakut për njohjen e Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi të mërkurën ndaj pretendimeve nga përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili ka thënë se nëse Serbia e ndryshon pozicionin karshi Kosovës, atëherë njëjtë do të mund të vepronin edhe pesë vendet evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Sipas Osmanit është për të ardhur keq nëse politika e jashtme e këtyre vendeve i nënshtrohet asaj të Serbisë dhe Rusisë.
“Përveç që është për keqardhje, është edhe e rrezikshme për gjithë Bashkimin Evropian që pesë shtetet anëtare të tij të përcaktojnë rregullat dhe qasjet e tyre duke u bazuar në dëshirat dhe kërkesat e Serbisë”, ka thënë Osmani duke bërë thirrje që këto shtetet të njohin realitetin, duke respektuar edhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ta njohin Kosovën, e jo të presin që këtë ta bëjë së pari Serbia.
Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka përfunduar të mërkurën vizitën e saj në Bruksel, ku është takuar dhe zyrtarë të lartë të BE-së dhe me kryetarët e dy dhomave të Parlamentit të Belgjikës. Osmani mbrëmë ka pasur takim me të dërguarin e posaçëm të BE-së Mirosllav Lajçak e më herët edhe me kryetarin e Parlamentit Evropian David Sasolli, si dhe Komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Verhelyi.
Të martën, më 12 janar, Lajçak theksoi në një diskutim përmes videos me ambasadoren gjermane në Uashington, Emily Haber, se pozicioni i këtyre pesë vendeve mund të ndryshojë nëse arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.
“Gjithçka që është e pranueshme për Serbinë do të jetë e pranueshme për vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën”, nënvizoi Lajçak, duke iu referuar kontakteve që ka me këto vende, por gjithashtu duke iu referuar vendit të tij, Sllovakisë, e cila gjithashtu nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë.
“Si ish- ministër i Jashtëm i Sllovakisë, kur me pyesnin se kur do ta njohë vendi im Kosovën, unë ju deklaroja: Më jepni një lajm të mirë, në mënyrë që të shkojë në parlament t’ju them ka ardhur koha të konsiderojmë pozicionin tonë. Pra, qartazi lajmi i mirë është marrëveshja me Serbinë”, ka thënë Lajçak.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, u.d presidentit, Vjosa Osmani ka thënë se në takim, Lajçaku ka insistuar që Kosova mund të vazhdojë dialogun vetëm pasi të ketë një qeveri legjitime, e cila do të dalë nga zgjedhjet që do të zhvillohen me 14 shkurt.
Lajçak: Vazhdimi i dialogut pas zgjedhjeve në Kosovë
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Ai u ndërpre për 20 muaj, nga fundi i vitit 2018 për shkak të taksës 100 për qind që Kosova vendosi ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje- Hercegovinës, nga qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Ramush Haradinaj. Më pas, qeveria e ardhshme e Albin Kurtit e hoqi tarifën, por e vendosi masat e reciprocitetit. Serbia kundërshtonte të ulej në tryezë të bisedimeve, derisa Kosova kishte në fuqi masa të tilla.
Më ardhjen ne pushtet, qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti shfuqizoi reciprocitetin, duke mundësuar rifillimin e dialogut në korrik të 2020-ës.
Ka disa muaj që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk kanë zhvilluar raunde të reja të bisedimeve. Nga BE-ja është thënë se takimet në nivel politik nuk po mbahen për shkak të pandemisë së koronavirusit.
BE-ja ka thënë se ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.(REL)

Hoti: Kundërshtarët e LDK-së në këto zgjedhje janë kundërshtarë të shtetit të Kosovës

Fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë shumë e ashpër pasi kundërshtarët politik të LDK-së nuk janë vetëm rival politik, por janë kundërshtar të shtetit të Kosovës dhe të çdo gjëje që është arritur tash e 20 vite në Kosovë, paralajmëroi të mërkurën kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, gjatë një takimi me strukturat e kësaj partie në qytetin e Mitrovicës.
“ Kemi me u përballë më një fushatë të vështirë. Kundërshtarin që e kemi në këto zgjedhje nuk është vetëm rival politik por është kundërshtuar i shtetit të Kosovë. Ata janë kundërshtar të çdo vlere që e kemi kriju deri sot. Gara do të jetë e vështirë. Unë jam i vendosur që bashkë me të gjithë personat që do të jenë në listë për deputetë, që garën ta bëjmë fuqishëm dhe do të luajmë rëndë siç thuhet, jo me veprime tjera përveç duke qenë të prerë dhe të drejtpërdrejtë se kush janë këta njerëz dhe kush jemi ne”, tha Hoti.
Ai potencoi faktin se në Kosovë tash e disa vite po bëhet propagandë e egër ndaj LDK-së dhe ndaj të arriturave që janë shënuar në Kosovë që nga përfundimi i luftës.
“Në Kosovë është bërë fushatë disavjeçare e shpërlarjes së trurit, duke ndërtu kauza të rrejshme, duke ndërtua teori konspirative me thika e me harta e me gjëra të pavërteta, duke tentu që veç me grumbullu frustrim të qytetarëve dhe njerëzve me qëllim që të shkatërrohet çdo gjë që është ndërtu në këtë shoqëri, prandaj do të organizohemi mirë që ta bëjmë një garë siç i ka hije LDK-së, një garë frontale politike, të drejtpërdrejtë, me gjuhë të prerë dhe të ashpër nganjëherë sepse ndryshe nuk bën”, theksoi kandidati i LDK-së për kryeministër.
Ai foli edhe për kulturën politike të LDK-së, e cila sipas Hotit është keqpërdorur nga disa njerëz të partisë.
“Duke qenë strikt në respektimin e kulturës së LDK-së kemi kriju njerëz që nuk meritojnë farë vëmendje publike e as prezencë në jetën shoqërore e institucionale të vendit. Kemi ardhë deri në situatën që debatet nëpër televizione nuk mund ti përcjellës kur je bashkë me familje. Fatkeqësisht ata njerëz tentojnë të marrin përgjegjësi shtetërore e institucionale. Është obligim i ynë i të gjithëve në shtetin e Kosovës, që të parandalojmë rrëshqitjen e shtetit të Kosovës në drejtim të gabuar, pasi për këta 7 muaj mezi kemi arritur që ta kthejmë Kosovën në kursin e duhur perëndimor dhe të parandalojmë rrëshqitjen drejt lindjes”, tha Hoti.
Për këto arsye, Hoti, kërkoi mobilizimin më të madh të elektoratit të LDK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit. Më herët gjatë ditës kandidati i LDK-së për kryeministër takoi edhe strukturat partiake në Skenderaj. .

Një i vdekur, 526 të shëruar dhe 299 raste të reja me Covid19

Gjatë 24orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.825 mostra të marra nga SHSKUK-ja dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 299 raste pozitive.
Brenda 24-orëve është raportuar 1 rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitivë. Rasti i vdekjes është nga Komuna e Prishtinës 82 vjeç.
Numri total i rasteve pozitive është 54.560 raste nga 201.918 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.388 raste të vdekjes.
Gjatë 24-orëve të fundit, janë shëruar 526 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri sot është gjithsej 47.605 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.567.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 94 raste, Podujevë 29 raste, Gjilan 21 raste, Vushtrri 21 raste, Lipjan 14 raste, Ferizaj 13 raste, Mitrovicë 13 raste, Fushë-Kosovë 12 raste, Suharekë 9 raste, Viti 9 raste, Deçan 7 raste, Obiliq 7 raste, Pejë 6 raste, Prizren 6 raste, Malishevë 5 raste, Rahovec 5 raste, Gjakovë 4 raste, Kaçanik 4 raste, Shtime 4 raste, Skenderaj 4 raste, Kamenicë 3 raste, Klinë 3 raste, Drenas 2 raste, Istog 2 raste dhe me nga një rast komunat Dragash dhe Novobërdë.
Mbulojeni gojën dhe hundën me maskë!
Mbajeni higjienën!
Respektojeni distancën!!!

Pse PDK zgjodhi slloganin “Rimëkëmbje”

Nëpëmjet një konference shtypi që kandidati për kryeminisër nga PDK-ja, Enver Hoxhaj e mbajti, u pa në foltore derisa ai po fliste, se slogani i PDK-së është “Rimëkëmbje”.
Edhe nëpërmjet faqes së tij në Facebook, në ballinën e faqes Hoxhaj ka shpërndarë sloganin “Rimëkëmbje, ku ka shkruar se Kosova, si kurrë më parë, ka nevojë për rimëkëmbje.
Hoxhaj ka bërë të ditur se PDK-ja është themeli i shtetndërtimit dhe rimëkëmbjes së Republikës së Kosovës.
Me një status në Facebook, Hoxhaj ka thënë se Kosova, si kurrë më parë, ka nevojë për rimëkëmbje.
Lexojeni të plotë statusin e Enver Hoxhajt:
RIMËKËMBJE!
Kosova, si kurrë më parë, ka nevojë për rimëkëmbje. Ne do ta rimëkëmbim ekonominë, shëndetësinë, rendin dhe ligjin, politikën e jashtme, arsimin dhe marrëdhëniet me miqtë, që u rrënuan nga 6 tetori 2019!
UÇK-ja ishte themeli i rimëkëmbjes sonë kombëtare. PDK-ja është themeli i shtetndërtimit dhe rimëkëmbjes së Republikës së Kosovës.
Bashkë do ta rimëkmëbim Kosovën. #PDK #Rimëkëmbje.

Armend Muja: Albini Kurti do të jetë kryeministri më i votuar

Aderimi më i fundit në Lëvizjen Vetëvendosje, Armend Muja, po shprehet optimist se Albin Kurti, në zgjedhjet e 14 shkurtit, do të dalë kryeministri më i votuar.
Muja ka thënë se me Kurtin njihen moti, megjithatë nga dje do të bashkëpunojnë më thellë si aktivistë e kolegë në Vetëvendosje.
”Me Albinin njihemi qëmoti, por nga dje, do të jemi edhe aktivistë e kolegë në VETËVENDOSJE! Kosova gjendet e sfiduar, si për të kaluarën, ashtu edhe për të ardhmen e saj. Albin Kurti përfaqëson të vërtetën, autoritetin moral dhe vullnetin e njerëzve të rëndomtë në Kosovë – aktiv e rezistent ndaj sfidave shoqërore që nga vitet e 90-ta, por edhe të gatshëm për rrugën përpara. Data 14 shkurt 2021 do të jetë historike për Kosovën – Kurti do të jetë Kryeministri më i votuar, lajm i mirë dhe i domosdoshëm për Kosovën dhe shqiptarët”, ka thënë ndër të tjera Muja.
Ai po ashtu ka thënë se Kurti do të veprojë si kryeministër i të gjithë votuesve në Kosovë, dhe si partner me miqtë më të afërt të vendit.
”Kurti nuk i ka borxh askujt përpos popullit të Kosovës dhe dashamirësve të saj. Nuk duhet pritur që ai si Kryeministër të jetë kokulur para atyre që sfidojnë shtetësinë e Kosovës nga brenda dhe jashtë. Ai do te veproj si Kryeministër i të gjithë votuesve në Kosovë dhe partner me miqtë më të afërt te Kosovës. Nevojitet ilaç i shpejtë kundër pandemisë, papunësisë dhe krimit. Na duhet paqe e brendshme dhe kontributi i të gjithë diasporës për ecje me hapa të shpejtë drejt zhvillimit dhe integrimit evropian. Kosova do t’i kthehet fitoreve”, theksoi Muja.
Ai po ashtu ka thënë se Albin Kurti dhe Lëvizja VETËVENDOSJE janë e vetmja garanci për ndryshim në Kosovë dhe se për të është nder dhe përgjegjësi të jetë pjesë e këtij rrugëtimi.i……

Prishtinasit mund ta paguajë parkingun përmes postës

U.D. Kryeshefi Ekzekutiv, Xhevdet Smakiqi, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Kryeshefin Ekzekutiv të NPL “Prishtina Parking” Sh.A. Liridon Restelica për realizimin e shërbimit të regjistrimit/aplikimit për drejtuesit e automjeteve, banorë rezidentë të Komunës së Prishtinës.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është që drejtuesit e automjeteve të Komunës së Prishtinës, përmes kësaj mënyre të regjistrimit të kursejnë kohë dhe përnjëherë të kenë shërbimin e njëjtë siç do të merrnin nga stafi i “Prishtina Parking”, tani mund ta bëjnë edhe në Postën e Kosovës.
Posta e Kosovës është e shtrirë me zyra postare kudo në vendbanimet e Kryeqytetit, me dy ndërrime çdo ditë, nga ora 8:00 deri në 21:00, përfshirë ditëve të vikendit dhe festave..

Nuk e ktheu sekretarin e Përgjithshëm në punë, ministrit Vesel Krasniqi i hiqet 50% e pagës

Pasi ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, nuk ka zbatuar vendimin e Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, që Burim Rreci të kthehet në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, pasi është konstatuar se ministri Krasniqi, në mënyrë të kundërligjshme dhe arbitrare ka shkarkuar Recajn.
Më këtë rast, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka marr vendim për ndalimin e 50 përqind të pagës mujore, për ministrin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, për shkak se i njëjti nuk ka zbatuar vendimin për rastin e ankesës së ish-sekretarit të Përgjithshëm të kësaj Ministri Burim Rreci.

Moti
Të enjten parashikohet mot i vranet, me mundesi te reshurave te bores,temperaturat do të levizin nga -7 deri 0 gradë Celsius. Mot me shi në Tiranë, me temperatura nga 2-11 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 54560. Të Shëruar: 47605. Të vdekur: 1388
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *