Sht. Kor 27th, 2024

NGJARJET E DITËS, E MËRKURË 16.12.2020

By Rtv Arbëria Dhj16,2020

Hoti konsultohet me biznese para se Qeveria t’i merr masat e reja anti-COVID

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Odave Ekonomike, një takim ky para se të vendosen masat e reja anti-COVID.
“Momentalisht në fuqi janë masat e 11 nëntorit. Po flasim për numrin e rasteve me COVID, që është stabile. Është parandalu rritja, situate është nën kontrollë, në spitale po përballohen fluksi i pacientëve.
Pas këtij takimi do t’i takojmë edhe institucionet gjegjëse e eksportë, për t’i rishikuar në detaje masat që do t’i ndërmarrim.
Ju e keni pa edhe në regjion, s’jemi shkëput nga këto vende, duhet t’i marrim parasysh masat e tyre të njëjta”, tha Hoti.
Ai gjithashtu u shpreh, se situate sa i përket menaxhimit të pandemisë do të jetë e njëjtë edhe në javët e ardhshme.
“Brenda e këtyre Odave është që të rishikohet ora e mbylljes së bizneseve. Pas këtij takimi do të ulemi me profesionistë shëndetësore. Sot do të takohem edhe me Oda të tjera, para të marrim në Qeveri masat e reja”, tha kreu i Qeverisëduke i dalë zot Albin Kurtit gjatë mocionit kundër qeverisë së tij”, përfundoi Mehazi..

Vjosa Osmani pritet me ceremoni shtetërore nga Ilir Meta, dhurata e veçantë që i dorëzoi presidentit të Shqipërisë

Pas homazheve në memorialin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Lezhë, presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, mbërriti pasditen e sotme në Tiranë ku u prit në një ceremoni shtetërore nga homologu i saj shqiptar Ilir Meta.
Para nisjes së takimit në Presidencë, Osmani i dorëzoi Metës një dhuratë nga gratë, viktima të dhunës seksuale, gjatë luftës në Kosovë.
“Kjo është një dhuratë nga gratë e Kosovës që ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, por mbi të gjitha janë të mbijetuara të asaj dhune dhe sot dhimbjen e tyre e kanë shndërruar në guxim dhe shpresoj shumë që do të gjej vend për ta treguar historinë dhe dhimbjen e Kosovës edhe në zyrën tuaj.”
Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Shqipëri ajo do të takohet me presidentin Ilir Meta, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, kryeministrin Edi Rama, kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe ish kryeministrin Sali Berisha.
Axhenda e takimeve të Osmanit:
Të mërkurën (16 dhjetor), në orën 13:30, u.d Presidentja do të bëjë nderime te memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut në qytetin e Lezhës.
Kurse, në orën 15:30, u.d Presidentja, do të pritet me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Ndërsa, në orën 17:00, do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.
Të enjten (17 dhjetor), në orën 09:30 u.d Presidentja Osmani do të takohet me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. (Vendi: Zyra e Kryetarit të Kuvendit, Kryesia e Kuvendit përballë godinës se Kryeministrisë).
Ndërsa në orën 10:15, u.d. Presidentja do të bëjë nderime dhe vendos kurorë lulesh te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Ndërkaq, në orën 12:30, u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani, do të mbajë fjalim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Në orën 16:00, u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani do të takohet me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Të premten (18 dhjetor), në orën 10:00, u.d Presidentja Osmani do të takohet me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. (Vendi: Selia e PD-së).
Ndërkaq, në orën 11:00, në Bashkinë e Tiranës do të takohet me kryebashkiakun Erion Veliaj, ku do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të Çelësit të Qytetit.
Kurse, në orën 11:45, u.d Presidentja Osmani do të ketë takim me ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha…

Pesë të vdekur 319 te sheruar e 296 raste të reja me covid-19 në Kosovë,

Pesë persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në 24 orët e fundit në Kosovë, ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në raportin e së mërkurës. Po ashtu është njoftuar për 296 raste të reja me COVID-19, ndërsa janë shëruar 319 persona.
Në 24 orët e fundit janë kryer 1158 testime.
Rastet e vdekjes janë nga Prishtina (79 vjeç), Rahoveci (58 vjeç), Lipjani (78 vjeç), Klina (63 vjeç) dhe Vitia (65 vjeç). Nga fillimi i pandemisë në Kosovë kanë vdekur 1225 persona si pasojë e COVID-19.
Janë regjistruar 47 mijë e 499 raste pozitive, ndërsa prej tyre janë 11 mijë e 318 raste aktive.
Të mërkurën, sa i përket rasteve pozitive prin Prishtina me 139 raste e ndjekur nga komunat: Podujevë 25 rast, Fushë-Kosovë 19 raste, Gjakovë 16 raste, Lipjan 16 raste, Drenas 14 raste, Mitrovicë 13 raste, Gjilan 12 raste, Ferizaj 10 raste, Rahovec 6 raste, Vushtrri 5 raste, Obiliq 4 raste, Klinë 3 raste, Skënderaj 3 raste, Viti 3 raste, Prizren 2 raste, Kamenicë 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Graçanicë, Ranillug, Shtime dhe Suharekë…

Miftaraj: Drejtësia në 2020-n ka shënuar regresin më të madh që nga 2015-a.

“Një pengesë e madhe pa dyshim është se krerët e sistemit prokurorial të lidhur apo të nënshtruar nga politika ndikojnë që edhe në rastet kur ka prokurorë të guximshëm dhe me vullnet për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë, të pengohen në punën e tyre”, ka thënë Miftaraj
Vitit 2020, sipas drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, do të mbahet mend për reagimet e institucioneve ndërkombëtare karshi Këshillit Prokurorial dhe Qeverisë Hoti, për politizimin e sistemit të drejtësisë.
Miftaraj thotë se situata epidemiologjike ka ndikuar që dinamika e punës si në secilin sektor tjetër të ndryshojë, por kjo gjendje është shfrytëzuar nga institucionet që ta amnistojnë korrupsionin.
Problem permanent, sipas Miftarajt, është mungesa e profesionalizmit të prokurorëve për trajtimin e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë, ndërsa mungesa e lidershipit të prokurorëve, mungesa e koordinimit dhe bashkëpunimit prokurori-polici po ndikojnë në kualitetin e rasteve të korrupsionit, ku mbi 70% të tyre dështojnë.

Pavarësimi energjetik mbledh Vuçiqin me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takoi të mërkurën përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, me të cilët arriti përfundime për “veprim të përbashkët” në “ruajtjen e të gjitha interesave jetike kombëtare në Kosovë dhe interesave më të rëndësishme të Serbisë”, njoftoi Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë.
“Publiku do të informohet për të gjitha konkluzionet konkrete në 72 orët e ardhshme, pas konsultimeve shtesë me të gjithë përfaqësuesit e popullit serb në Kosovë, si dhe me përfaqësuesit përkatës të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.
Aty nuk sqarohet se cila ka qenë tema e takimit, por gjykuar nga pjesëmarrësit mund të supozohet se është biseduar për situatën pas fillimit të punës së pavarur të sistemit energjetik të Kosovës.
Në takim morën pjesë ministrja e Energjetikës dhe Minierave e Serbisë, Zorana Mihajlloviq, drejtori i ndërmarrjes publike “Elektroprivreda Srbije“, Millorad Gërçiq, dhe drejtorja e ndërmarrjes “Elektromrezha Srbije”, Jellena Matejiq.
Nga dita e hënë (14 dhjetor), Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës.
Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor.
Marrëveshja ka hyrë në fuqi më 29 shtator.
Siç ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Nebih Zariqi, anëtar i Bordit të KOSTT-it, menjëherë pas fillimit të operimit të pavarur të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova i ka importuar nga ky shtet.
Këta megavatë të bllokuar nga Serbia, pastaj, janë zëvendësuar me një marrëveshje të arritur ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut për furnizim nga kapacitetet energjetike të këtij shteti.
Njohësit e fushës së energjisë në Kosovë kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se ky pavarësim i sistemit energjetik të Kosovës ka elemente pozitive, por nuk përfshin zbatimin e marrëveshjes për pjesën e veriut të Kosovës dhe të sigurimit që ajo pjesë të integrohet në tregun energjetik të Kosovës.
Qytetarët që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), që nga përfundimi i luftës më 1999, nuk i kanë paguar faturat e energjisë elektrike, edhe pse janë furnizuar nga Kosova, e sipas nevojës edhe nga Serbia.
Megjithatë, qytetarëve në veri iu shkojnë faturat për energjinë elektrike nga “Elektrokosmet” i Serbisë, kompani të cilën Kosova e konsideron ilegale/REL.

Moti
Të enjten parashikohet mot pjeserisht me diell , temperaturat do të levizin nga 2 deri 8 gradë Celsius. Mot me diell ne Tiranë, me temperatura nga 7-19 gradë celcius.

COVID-19 NË KOSOVË:
Total raste: 47499. Të Shëruar: 34956. Të vdekur: 1225.
www.rtvarberia.com Tri kanalet e RTV Arbëria si dhe Radion mund të i ndiqni edhe në www.iptvshqipott.com

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *